Zjarri në QSUT/ Tender sekret 300 mijë euro për dëmet

Kur kanë kaluar rreth dy muaj nga zjarri në Urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë, titullarët e këtij institucioni kanë vendosur të shpenzojnë 300 mijë euro për riparimin e dëmeve, ndërkohë që ende nuk është identifikuar asnjë person përgjegjës për dëmtimin e godinës me vlerë 17 milionë euro vetëm pak muaj pas ndërtimit.

Gjatë muajit Prill është parashikuar që të kryhet tenderi “Ndërhyrje në godinën A2 në QSUT për kthimin në gjëndje pune të shërbimeve shëndetësore”, me fond limit 307 milionë lekë të reja.

Në foto: QSUT planifikon shpenzimin e 300 mijë eurove për riparimin e Urgjencës

Procedura e zgjedhur për këtë tender është ajo e “negocimit, pa shpallje paraprake”, që do të thotë se gara do të jetë e mbyllur, nën argumentin e emergjencës.

Mëngjesin e 17 Shkurtit të këtij viti, një shtëllungë zjarri doli nga kati i nëndheshëm i godinës së Urgjencës, duke u përhapur në të pjesën më të madhe të godinës shumëkatëshe.

Shërbimet zjarrfikëse, të Policisë, si edhe familjarë të pacientëve, u angazhuan për të nxjerrë nga godina me urgjencë personat e shtruar në pavione.

Në foto: Tymi i zjarrit pushtoi godinën e Urgjencës së QSUT në 17 Shkurt 2024

Prej mëse dy muajsh, Urgjenca e QSUT-së është jashtë funksionimit, ndërkohë që pacientët shpërndahen për trajtim mes Spitalit të Traumës dhe Spitalit “Shefqet Ndroqi”.

Prokuroria e Tiranës po zhvillon hetime mbi shkaqet e zjarrit.

Burime zyrtare nga grupi hetimor deklarojnë se kanë kryer kqyrjen e vendit të ngjarjes, është administruar dosja e tenderit për godinën dhe pajisjet mjekësore, janë pyetur persona të ndryshëm, ndërkohë që janë në pritje të përgjigjeve të ekspertizave teknike, të zjarrëfikësve dhe të pajisjeve mjekësore.

Pak ditë pas rënies së zjarrit, u njoftua shkarkimi nga detyra e drejtoreshës së QSUT-së, Albana Fico.

Në foto: Drejtoresha e QSUT, Albana Fico, e shkarkuar nga detyra pas zjarrit tek Urgjenca

Për këtë shkarkim nuk pati asnjë justifikim zyrtar, por besohet se lidhet me zjarrin në QSUT, si edhe me shkelje të shumta financiare, të evidentuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Godina e Urgjencës së Re të QSUT-së u inagurua në Prill të vitit 2023. Ndërtimi i saj ka kushtuar rreth 17 milionë euro, ndërkohë që vlera të tjera financiare janë shpenzuar për aparaturat mjekësore.

Por, vetëm pak muaj pas inagurimit, investimi u përfshi nga flakët, duke ngritur dyshime për cilësinë e punimeve.

Investimi 17 mln euro në tym

Shërbimi i Urgjencës  është pjesë integrale e Spitalit të Ri të Sëmundjeve të Brendshme. Godina 7-katëshe u mor në dorëzim nga Ministria e Shëndetësisë vetëm pak muaj më parë.

Në foto: Kryeministri Rama njoftoi në rrjete sociale hapjen e Urgjencës së Re të QSUT, në Prill 2023

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar më herët se Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme (dhe Urgjenca e Re) përbëjnë investimin më serioz në Shëndetësi në 30 vitet e fundit.

Por, incidenti i rëndë i së dielës, kur Spitali i ri ende nuk ka mbushur një vit punë, tregon se fjalët në rrjete sociale të kryeministrit duhen marrë me rezervë të theksuar.

Investimi për Spitalin e Ri në Qendrën Spitalore Universitare ka kushtuar rreth 17 milionë euro. Nga kjo vlerë, më shumë se 11 milionë euro janë shpenzuar për godinën dhe pjesa tjetër për aparatura spitalore.

Investimi është kryer me një kredi të marrë nga Bankë e Këshillit të Europës (CEB), si edhe me financim nga qeveria.

Në vitin 2015, qeveria shqiptare, nëpërmjet ministrit të Shëndetësisë së kohës, Ilir Beqja, negocioi për marrjen e një kredi për sistemin shëndetësor në shumë totale prej 24 milionë euro. Kjo shumë do të përdorej kryesisht për infrastrukturën e QSUT-së, por edhe për disa spitale rajonale.

Marrëveshja e qeverisë me Bankën e Këshillit të Europës u ratifikua në Parlament në vitin 2016.

Në Maj të vitit 2018, Ministrja e Shëndetësisë së kohës, Ogerta Manastirliu, nënshkroi kontratën për ndërtimin e godinës së re me drejtorin ekzekutiv të shoqërisë italiane “INSO”, Fabrizio Puccarelli.

Në foto: Ministrja e Shëndetësisë së kohës, Ogerta Manastirliu, nënshkroi kontratën me kompaninë italiane, “INSO”, për ndërtimin e godinës së re

Kontrata parashikonte që Spitali i Ri, me një investim prej 14.4 milionë euro, do të ndërtohej nga themelet brenda ambjenteve të QSUT, ku do të përqëndrohen të gjitha repartet e sëmundjeve të brendshme (të 6-katëshit aktual) duke filluar nga kardiologjia, hemodinamika, nefrologjia etj. si dhe do të bëjë bashkë shërbimin e mjekësisë interne, alergologjisë, të cilat së bashku me shërbimet ekzistuese do të kompletojnë profilin e nje spitali të mirëfilltë të sëmundjeve interne.

Boldnews.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*