Kryetarja e e Komisionit të Shëndetësisë, Zheni Gjergji deklaron se, pavarësisht se qeveria flet për “buxhete historike”, Shqipëria është një nga vendet me buxhete më të ulëta për shëndetësinë.
“Komisioni i Shëndetësisë analizon cdo vit buxhetet që akordon qeveria shqiptare për shëndetësinë dhe ajo që vihet re është se këto buxhete e klasifikojnë Shqipërinë si një nga vendet me buxhetet më të ulëta, krahasuar me vendet e BE dhe ato të rajonit. Ne shkojmë diku te 30% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që vendet e rajonit dhe të Europës shkojnë tek 47-56% . Pra ne shikojmë se i gjithë kalvari i marrjes së shërbimit shëndetësor për qytetarët shqiptarë vjen edhe nga mungesa e një buxheti që vazhdon të jetë një buxhet që nuk lëviz. Vetëm në vitin 2021 kemi pasur një rritje të lehtë të buxhetit për shkak të COVID me 7.5 %, pastaj po të shikojmë buxhetin e 2024 ka një ulje diku rreth 1.5%. Sot në vitin 2024, edhe pse dixhitalizimi dhe ashtuquajtura e qeverisë Transparenca propagandohet si e një niveli të lartë, në fakt e vuajmë edhe ne si Komision i Shëndetësisë mungesën e Transparencës. Materialet për buxhetin apo edhe për ligje të cilat kanë kaluar në komision vijnë ditën e fundit apo orën e fundit përpara se ne të shqyrtojmë buxhetin apo ligjet që kanë prekur sistemin shëndetësor, siç ka qenë ligji i autonomisë financiare, por edhe ligji për studentët që prek të ardhmen tonë,” u shpreh Gjergji gjatë tryezës së diskutimeve organizuar nga Shoqata Together for Life, ku u prezantua raporti me temën “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – A mbulon skema nevojat reale të kujdesit shëndetësor”, mbështetur nga National Endowment for Democracy.
Sipas saj qytetarët shqiptarë paguajnë më shumë nga xhepi i tyre për të marrë shërbim dhe trajtim mjekësor.
“Këmbanë alarmi për komisionin ishte edhe raporti i OBSH-së, që vërtetoi dhe njëherë që shqiptarët janë qytetarët që pagujnë më shumë për sistemin shëndetësor, rreth 465 dollarë në vit, nga këto 277 dollarë paguante secili qytetar nga xhepi i vet për shërbim dhe trajtim mjekësor. Që do të thotë se skema e FSDKSH bie, nëse ti mendon se 60% çdo qytetar e nxjerr nga xhepi vet për të siguruar shërbim dhe trajtim shëndetësor,” nënvizon ajo.
Znj. Gjergji nënvizon se shëndetësia falas në Shqipëri nuk ekziston.
“Ndaj edhe raportet e fondit kanë disa mangësi, sepse ndeshemi edhe me ankesat e qytetarëve, të medias, ndërkohë që është një gamë e medikamenteve të reja të cilat qarkullojnë në Shqipëri, por që nuk janë pjesë e listës së barnave të rimbursueshme. Sëmundjet Onkologjike nga 140 preparatë, vetëm 40 qarkullojnë në Shqipëri, çka do të thotë që nuk marrin protokollet e reja të miratuara nga OBSH për trajtimin e patologjive. Ky është një andikap. Lista rimbursueshme prej tre vitesh vetëm është iniciuar, por nuk është ndryshuar dhe në fakt nuk e kisha kapur te raporti i KLSH-së, që disa barna nuk përdoren fare nga kjo listë e miratuar prej vitesh, kshuqë është një alarm në fakt edhe për komisionin, i cili do të hartojë listën për 2024, që ta ketë në prioritetin e tij, që këto barna që nuk përdoren dhe kanë ndalë nga protokollet e mjekimit prej vitesh, nuk duhet të jenë më pjesë e listës së barnave të rimbursueshme, apo mendikamente të një cilësie jo të mirë të pamiratuara nga FGA apo dhe kritere të tjera.”
Problematikë shfaqet edhe me personat me aftësi ndryshe.
“Një kategori shumë e prekur nga skema e kujdesit shëndetësor janë invalidët. Vetëm 1% e personave me PAK mbulohen në shërbimin shëndetësor dhe pagesa mesatare e këtyre personave për ndihmën ekonomike ka rënë nga viti i aplikimit të skemës së re për ndihmën ekonomike dhe është parë që për vitin 2023 kemi 2.8 % të të ardhurave, dhe në 2014 kemi një rritje 0.4%,” thekson Gjergji.
Lidhur me autonominë spitalore, Gjergji shprehet se, “kemi kërkuar ekspertiza dhe për ligjin e autonomisë spitalore, që në gjykimin tim nuk pati një konsulencë të qartë edhe me stafet mjekësore të spitaleve rajonale, jo vetëm të QSUT, dhe besoj se ai është një ligj që shumë shpejt do të ketë handikapet e veta madhore në dhënien e shërbimit shëndetësor për qytetarët.”/Gazeta Shendeti