Vlerësim i ri i aftësisë së kufizuar, Hoxha: Vendimet e komisioneve (on line) të padrejta, penalizuese për PAK

Denisa Canameti
“Rivlerësimi po sjell një problem shumë të madh, pasi Komisionet e ngritura në të shumtën e rasteve janë jo profesionale, pasi bëhen on line dhe sipas nesh japin vendime jo të sakta”, shprehet Adivije Hoxha, Kryetare e shoqatës së paraplegjikë-tetraplegjikëve Durrës.
Nga data 1 Dhjetor 2019 ka nisur një vlerësim i ri i aftësisë së kufizuar i cili zbaton një metodologji bio-psiko-sociale për vlerësimin dhe përcaktimin e aftësisë së kufizuar.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pretendoi në atë kohë se reformimi i sistemit të vlerësimit të personave me aftësi të kufizuar duke vënë në zbatim sistemin e ri të vlerësimit sipas “Modelit Social” do të ulë rastet e abuzitetit në skemën e aftësisë së kufizuar.
Në këtë vlerësim të ri, për të garantuar transparencë u vendos një sistem survejimi me kamera në intervistat e qytetarëve, të cilat janë subjekt montorimi dhe vlerësimi në çdo kohë. Nërkohë që, më shumë se 1 vit pas implementimit të këtij projekti, personat e prekur drejtpërejt shprehen se vlerësimet e dala kanë qenë të pa drejta.
“Në të shumtën e rasteve ua heqin kepin paraplegjikëve dhe kjo ka bërë që të ankohen dhe ta çojnë në kempin epror. Ndërkohë, kempi epror i vonon vendimet. Që nga koha që janë në rivlerësim dhe derisa të dalë kempi epror janë të shkëputur nga pagesa. Kjo ka sjellë pasoja të rënda ekonomike por edhe psikologjike”, e vazhdon ankesën e saj Hoxha, duke pretenduar se në adresë të shoqatës së saj kanë ardhur shumë ankesa për këtë sistem dhe mënyrën e organizimit nga ana e institucioneve shtetërore përgjegjëse.
Megjithatë problemet e personave me aftësi të kufizuar janë komplekse. Ata përballen çdo ditë me sfida të shumta: sociale, ekonomike e infrastrukturore, me stigmën dhe shpesh veçimin nga shoqëria (për këto shkaqe që lartpërmenda). Ndërkohë që një anketim me 360 persona me aftësi të kufizuar i publikuar nga shoqata Together for life, me mbështetjen e Westminster Foundation for Democracy (WFD), evidenton se gjatë periudhës së pandemisë problemet për këtë kategori u shtuan edhe më shumë. “Ulja e të ardhurave, pamundësia për të përballuar jetesën, humbja e vendit të punës, dhe nevojat e rritura për ushqime, ilaçe dhe detergjente përbënin mbi 95% të të gjitha efekteve të drejtpërdrejta të pandemisë COVID-19 tek PAK që pohuan se u prekën financiarisht nga kjo pandemi”, evidenton raporti. 
Në një intervistë për gazetë Shëndet plus, Adivije Hoxha, përveç ankesave për sistemin e ri të vlerësimit, liston edhe një sërë sfidash të tjera që prekin atë dhe komunitetin që përfaqëson.
Adivije, cilat janë kërkesat që keni bërë ndër vite, por që pak janë reflektuar nga politikbërësit?
Ne, si degë e Shoqatës Kombëtare të Para&Tetraplegjikëve të Shqipërisë, në Qarkun-Durrës, nuk kemi reshtur së kërkuari zbatimin e kuadrit ligjor për Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK), që kanë të bëjnë me Përshtatshmërinë dhe gjithpërfshirjen në institucione ku merren shërbime publike e jetën social-kulturore, mosdiskriminimin për shkak të aftësisë së kufizuar në transport dhe trajtimin social më me përgjegjësi e përkushtim.
Megjithatë aktualisht dua të ndalem tek dy probleme kryesore,
  • e para, rivlerësimi që po sjell problematika të shumta, pasi ankimet në KEMP-in Epror po vonojnë e ndërkohë pagesat ndalohen gjersa të jepet vendimi.
  • e dyta, problem mbetet dhe pajisja me karrige me rrota, të cilën e përfitojnë vetëm ata që janë të pajisur me status paraplegjiku, jo të gjithë ata që kanë nevojë. Ky është një nga problemet më të mëdha dhe më bazike për një person paraplegjik
Cilat ishin disa nga problematikat që iu shtuan personave me aftësi të kufizuara gjatë pandemisë?
Shumë prej tyre patën vështirësi ekonomike, pasi duke qenë se një kujdestarë i një para-tetraplegjiku paguhet me një pagesë krejtësisht qesharake (1.1000 lek/muaj) e nuk mund të kujdeset askush me një pagesë të tillë, kur dihet se problemet ekonomike në familjet shqiptare janë të mëdha,(aq më tepër që ka persona që kanë nevojë për 24 orë shërbim), pandemia bëri që ata të humbisnin punën (punë informale, sigurisht) dhe të mbeteshin vetëm me atë pagesë që sapo përmendëm.
Natyrisht, solli dhe “panik” apo frikë për jetën…kishin frikë të dilnin të merrnin medikamentet e nevojshme apo shërbimet ambulatore etj.
A pati mbështetje për këtë kategori? Cilat ishin institucionet që u angazhuan për të ndihmuar personat me aftësi të kufizuara gjatë periudhës së pandemisë?
Gjatë gjithë pandemisë, shoqata jonë ka qenë shumë aktive duke marrë e përcjellë informacione me institucionet për familjet e paraplegjikëve më në nevojë dhe mes shumë përpjekjesh kemi arritur të marrim dhe shpërndajmë te Shoqata jonë 60 pako me detergjentë dhe pastrues sanitarë aq shumë të nevojshme për ta, nga Shërbimi Social me sponsorizim të UNICEF-it, ku po për këta familje dhanë dhe nga 4.000 lek (kesh).
Theksoj se ishte “fitore” për ne që arritëm të merrnim këtë ndihmë, pasi “paraplegjikët dhe tetraplegjikët trajtohen me pagesë nga qeveria dhe nuk iu takon ndihmë” (ligjëratë e drejtë, kjo).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Download Premium Magento Themes Free | download premium wordpress themes free | giay nam dep | giay luoi nam | giay nam cong so | giay cao got nu | giay the thao nu