Viti i Pandemisë, pse u rrit ekonomia me 3%, sektorët që kanë ndikuar; a është kjo rritje një iluzion?

Statistikat e ecurisë ekonomike për vitin 2020 habitën shumëkënd. Pas një tkurrje prej -5.5% për 9-mujorin, ekonomia bëri një kthesë të papritur, duke u zgjeruar me gati +3% në 3-mujorin e fundit. Ecuria positive që në fakt nuk ishte konstatuar as në dy tremujorët e parë të 2019, kur vendi ishte në në situatë normale, zvogëloi ndjeshëm treguesin e rënies vjetore në vitin 2020, në -3.31%, të paktën dy herë më të ulët sesa pritshmëritë e institucioneve ndërkombëtare (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim parashikonte një tkurrje deri në 9%, si rrjedhojë e varësisë së vendit nga turizmi). Në tremujorin e dytë të 2020, kur vendi ishte në karantinë totale, rënia e kapërceu -10%, por përmirësimi në pjesën e dytë të vitit ua kaloi edhe pritshmërive më optimiste.

A tregojnë këto shifra, positive në pamje të parë, se ekonomia arriti të përballojë me sukses krizën që shkaktoi covid-19 në ekonomi? Për ti dhënë përgjigje pyetjes duhet parë se nga cilët sektorë erdhi përmirësimi dhe sa u përkthye në punësim dhe të ardhura për individët.

Rezultati është zhgënjyes. Dy janë sektorët që kanë udhëhequr rritjen: I pari, që nuk e ka ndier pandeminë në asnjë moment është aktiviteti I pasurive të paluajtshme, me rritjen reale vjetore prej gati 7%. Asnjë logjike ekonomike, përvec informalitetit, nuk e shpjegon se pse duhet të rritej ai, ndërkohë që konsumi u tkurr, bankat u stepën për të dhënë hua. Sektori I dytë është ndërtimi, sidomos në 6-mujorin e dytë të vitit. Është I dukshëm shtimi I volumeve të tij, mjafton të ngresh kokën në cdo rrugë të kryeqytetit. Është e vërtetë që edhe rindërtimi ka dhënë efekt, por pesha e tij ishte e ulët, pasi pandemia e vonoi procesin, duke bërë të mundur realizimin e 50% të planit të planifikuar në buxhet. As kredia e dhënë nga sistemi banker nuk e shpjegon këtë hov të ndërtimit me huanë e re për këtë sector, e cila ra me gati 10% në vitin 2020.

Përtej shifrës së ecurisë në makro, sa e kanë nxitur dhe zbutur realisht krizën aktivitetet e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimit?! Sidomos I pari ka një efekt pothuajse zero, me numrin e të punësuarve që është më pak se 1% e totalit. Përkundrazi, fryrja e flluckës vetëm sa I ka shtrenjtuar cmimet e apartamenteve, ndërkohë që pagat kanë qëndruar pothuajse në vend prej vitesh. Ndërtimi ka një efekt pozitiv afatshkurtër, si në punësim me gati 10% e totalit ashtu edhe në nxitjen e zinxhirit mbështetës por që në afatgjatë, nuk I sjell asnjë vlerë të shtuar ekonomisë.

Gjeneratorët e vërtetë të punësimit në vend, tregtia, transporti, akomodimi e shërbimi ushqimor, si dhe industria që së bashku punësojnë rreth 64% të totalit në sektorin privat jobujqësor janë humbësit e vërtetë të krizës. Janë këta sektorë që tregojnë se vendi është goditur me të vërtetë nga pandemia, e cila kufizoi konsumin e ndërpreu turizmin, që po ecte realisht mirë duke cuar në kufijtë e mbijetesës mijëra subjekte dhe mbylljen e shumë bizneseve. Punësimi u ul, sidomos ai informal. Gjetjet e Anketës së Tregut të Punës së INSTAT tregojnë se në fund të 2020 u shtuan 43 mijë të papunë, të cilët nuk arritën ti “ndihmojnë” as aktiviteti I pasurive të paluajtshme dhe as ai I ndërtimit dhe për më tepër, as qeveria që I la jashtë radarit të punësuarit informalë.

Një tjetër debat është edhe ai I përparësive që ndoqi të zgjedhë qeveria. Tremujori I katërt shënoi dhe valën më të egër të krizës së pandemisë. Shumë shtete të europës u mbyllën sërish në mënyrë të rreptë, pavarësisht kostove që kjo mund të sillte në ekonomi. Qeveria shqiptare zbatoi vetëm kufizime minimale të orareve dhe moslejimin e grumbullimeve massive për festat. Presioni I sipërmarrjeve ishte I lartë, për të mos dëmtuar aktivitetin e bizneseve nga njëra anë. Në tjetrën, qeveria I kishte ezauruar pothuajse të gjithë stimujt fiskalë dhe praktikisht nuk I kishte mbetur asnjë armë për të mbështetur dhe një mbyllje tjetër.Rezultati tashmë dihet. Muajt nëntor dhe dhjetor ishin fatalë, deri në dyfishim të jetëve të humbura në vend. Por, ekonomia vazhdoi e qetë duke ndihmuar në treguesit e rritjes.

Nëse I vë në peshore sektorët që kishin ecuri më të mirë, ecurinë e punësimit, sidomos atij informal dhe, mbi të gjitha, pasojat fatale në shëndetin e qytetarëve, atëherë ecuria e mirë e ekonomisë në një vit të vështirë ekonomik mbetet vetëm një iluzion.

(Marrë nga revista Monitor)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*