Urdhër nga lart, “asnjë informacion për situatën e fruthit”

Elona Tereziu

162 raste të konfirmuara me fruth, dy viktima dhe asnjë informacion për mediat! Kjo është situata aktuale e epidemisë së fruthit që ka përfshirë vendin tonë që prej janarit.

Kjo shifër është raportuar nga vetë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale javën e kaluar, ku për herë të parë, në një deklaratë për mediat u bënë të njohura dhe një plan masash që Ministria ka marrë bashkë me institucionet në varësi.

Megjithatë, në përpjekjen për të bërë punën e saj, në drejtim të informimit të popullatës, duket se Ministria po krijon barriera të panevojshme. Me një urdhër (jo të shkruar), Ministria ka urdhëruar mjekët që  të mos përgjigjen për asnjë media lidhur mbi këtë situatë,  çka nënkupton, mosdhënien e asnjë informacioni mbi numrin e rasteve dhe situatën aktuale.

Ky urdhër duket se nuk është dhënë vetëm për mjekët e shërbimit terciar, pra QSUT, por edhe për Poliklinikat e kryeqytetit, ku nga shërbimet e infektivit mjekët pohojnë se kanë marrë urdhër që të mos flasin për epidemi , duke refuzuar dhënien e çdo lloj informacioni.

Kujtojmë se nga fruthi  deri më tani janë regjistruar 2 humbje jetësh (dy foshnja, 4 dhe 8 muaj), ndërkohë që në pavionin e infektivit të Pediatrisë në QSUT janë 15 fëmijë të shtruar që po marrin mjekim./ Shendeti.com.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*