Thirrje publike për t’iu bashkuar nismës për ndryshimin e Sistemit të Referimit për të sëmurët kronikë

Zbatimi i procedurës së referimit me qëllim marrjen e shërbimit të kujdesit shëndetësor ka krijuar një barrë shumë të madhe për të sëmurët kronikë. Në kushtet që ky grup i pacientëve ka nevojë për kujdes të specializuar në mënyrë të vazhdueshme, zbatimi i të gjitha hapave për të marrë rekomandime referuese tek mjekët specialistë ka krijuar një kalvar të gjatë dhe të panevojshëm veprimesh, por që janë detyrim ligjor[1] për t’u ndjekur me qëllim përfitimin e shërbimit shëndetësor.

Koha dhe angazhimi i shpenzuar në procedura burokratike për të marrë disa rekomandime me qëllim referimin tek mjeku specialist cenon cilësinë e kujdesit shëndetësor pasi sjell vonesa. Të sëmurët kronikë janë grupi që preket më shumë, sepse ata kanë nevojë për ekzaminime periodike nga mjekët specialistë, dhe konsultat tek mjeku i familjes ose tek mjeku i përgjithshëm nuk janë të nevojshme, pasi ai nuk mund t’i ofrojë shërbimin e duhur sipas nevojave të tyre.

Sipas Kartës Shqiptare të të Drejtave të Pacientit, “Çdo pacient ka të drejtën të marrë trajtimin e nevojshëm brenda një periudhe kohe të shpejtë dhe të paracaktuar; kjo e drejtë është e zbatueshme për çdo fazë të trajtimit. Pacienti ka të drejtën për të qenë i mbrojtur nga dëmtimet dhe rreziqet shkaktuar nga mos funksionimi i duhur i shërbimit shëndetësor, si dhe të drejtën për të marrë pjesë në përkufizimin, implementimin dhe vlerësimin e politikave publike lidhur me mbrojtjen e të drejtave të kujdesit shëndetësor”.

Më qëllim sigurimin e një mjekimi efikas dhe të shpejtë është e nevojshme që, të ndryshohet legjislacioni i sistemit të referimit duke përcaktuar procedura më të përshtatshme për përfitimin e kujdesit shëndetësor në përputhje me nevojat specifike të pacientëve kronikë.

Sa më sipër, u bëjmë thirrje të gjithë pacientëve kronikë si dhe pacientëve në përgjithësi, t’i bashkohen Nismës së Shoqatës “Together for Life”, për ndryshimin e sistemit të referimit për pacientët kronikë me qëllim thjeshtimin e marrjes së mjekimit.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të Projektit “Ndryshime në kuadrin ligjor për sistemin e referimit për pacientët me sëmundje kronike”, mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – OSFA. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – OSFA.

[1] Sipas Urdhërit nr. 28, dt. 26.01.2016 “Për sistemin e referimit dhe tarifat e shërbimin shëndetësor publik”, i Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*