TFL, tryezë diskutimi me pacientët në zyrat e Avokatit të Popullit

Denisa Canameti

“Në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, e drejta për kujdes shëndetësor është një nga të drejtat më të rëndësishme”, u shpreh Ermir Kapedani, komisioner pranë institucionit të Avokatit të Popullit, në aktivitetin e organizuar sot nga shoqata “Together for Life”. Qëllimi  këtij aktiviteti ishte njohja dhe inkurajimi i pacientëve mbi rolin dhe angazhimin e institucionit të Avokatit të Popullit në mbrojtje të të drejtave të pacientëve.

“Përmes këtij projekti ne synojmë që të adresojmë në mënyrë konkrete problematika që paraqet shërbimi shëndetësor. Sipas disa të dhënave, rreth 70% e pacientëve që i drejtohen shërbimit shëndetësor kanë bërë pagesa të paligjshme për të marrë trajtim shëndetësor. E drejta për shëndet është një e drejtë themelore e njeriut”, u shpreh Andi Muratej përfaqësues ligjor i shoqatës “Together for Life”.

“Pacientët gjithnjë e më shumë po gjejnë mbrojtje nga këto institucione qoftë nga Avokati i Popullit, qoftë nga Komisionet për Mbrojtjen nga Diskriminimi, po ashtu dhe në Gjykata. Shoqata “Together for life” ka disa raste që ka ndjekur përmes këtyre institucioneve të pavarura. Ka rëndësi që këto institucione janë të pavarura, dhe ka rëndësi që të vihen në lëvizje. Rastet që ne kemi ndjekur kanë qenë të suksesshme. Prandaj është e nevojshme që shtetasit dhe shoqatat që mbrojnë pacientët t’i përdorin sa më shumë këto mekanizma ligjore.

“Avokati i Popullit është një partner i natyrshëm i shoqërisë civile, ku rekomandimet që ka dhënë në rastet e tjera që kemi ndjekur kanë qenë një bazë e mirë për të treguar mangësitë që ka sistemi shëndetësor”, u shpreh Muratej.

Lindita Xhillari – Ndihmëskomisionere që mbulon fushën e shëndetësisë pranë zyrës së Avokatit të Popullit.

“Për vitin 2017 kemi patur rreth 80 ankesa, dhe jemi të kënaqur që kemi zgjidhur një pjesë të tyre me negocim, çfarë do të thotë që me ndërhyrjen tonë problematika e qytetarit është zgjidhur.

Ka dhe raste të pazgjidhura, siç është rasti i një pacienti sëmundja e të cilit nuk është në protokoll mjekësor. Është angazhim institucional. Ka nevojë për bashkëpunim.

“Me shoqatën “Together for life” kemi një bashkëpunim disavjeçar, kemi patur raste të suksesshme, ashtu siç kemi pasur edhe raste që si kemi zgjidhur dot se kanë qenë objekt për gjykatat.

“Problematikë shumë e madhe mbetet rimbursimi i pacientëve të cilët detyrohen të operohen apo të trajtohen në spitale private. Këta pacientë kërkojnë rimbursimin që nuk jepet sepse nuk është e parashikuar në ligj për t’u dhënë.

Ermir Kapedani- Komisioner pranë zyrës së Avokatit të Popullit, theksoi gjithashtu të drejtën për kujdes shëndetësor si një e drejtë themelore e njeriut, ku rolin kryesor e luan shteti si garantues i sigurisë së pacientit bazuar në mosdiskriminim.

Nertila Celestina – paciente e diagnostikuar me kancer gjiri, u ndal në rastin konkret të një tjetër pacienteje e cila vuan nga e njëjta patologji e rëndë. Celestina theksoi mungesën e medikamenteve për këtë grup pacientësh, si një mungesë e cila sjell pasoja tepër të rënda shëndetësore.

“Individualisht nuk mund të bëjmë asgjë. Shoqëria civile bashkë me shoqatat dhe institucionet shtetërore duhet të gjejnë mekanizmat për të shpëtuar pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda”, tha Celestina.

Alban Hoxha, pacient i transplantuar, shpjegoi pranë Komisionerëve situatën e tij shëndetësore dhe përballjen me sistemin shëndetësor.

“Kam lindur i verbër. Më vonë pata dhe probleme të tjera shëndetësore. Kështu, para 4 vitesh kam nisur hemodializën. Ndërkohë, para një viti bëra transplantin e veshkës. Problemet nisin pas transplantimit.

Duhet të bëjmë një sërë analizash. Duhet të marrim medikamente që nuk na rimbursohen. Domethënë  mjekët na rekomandojnë disa ilaçe  që shteti nuk i rimburson.  Kemi një kosto shumë të lartë, që me mundësitë tona ekonomike nuk i përballojmë dot”, u shpreh Albani.

Elvira, kërkoi informacion për situatën e të atit i cili vuan nga një patologji e rëndë, por që e ka të pamundur trajtimin në Shqipëri.

Besart Nezaj, pacient me hemofili, shprehu shqetësimin e mungesës së faktorit së një medikament jetësor për këtë grup pacientësh.

Ermira Cenaj, paciente me diabet, listoi problematikat për të cilat u ftua t’i listonte/adresonte me shkrim brenda ditës në zyrat e Avokatit të Popullit.

Ky sesion informues u zhvillua në kuadër të projektit “Fuqizimi i pacientëve: Luftë kundër korrupsionit në sistemin shëndetësor përmes fuqizimit të pacientëve dhe institucioneve të pavarura”, pjesë e programit të USAID/Albania.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*