
Emanuel Smaka / Pro Pacientit
Shoqata “Together for Life” përmbylli me sukses seminarin me temë “Të drejtat e pacientëve në sistemin e drejtësisë” në partneritet me projektin e USAID-it Drejtësi për të Gjithë.
Gjatë diskutimeve u referuan raste dhe u ngritën problematika sa i përket mungesës së medikamenteve dhe vështirësive që hasin pacientët gjatë nevojave për kujdes shëndetësor.
Kryetarja e Gjykatës së Tiranës Enkeledi Hajro theksoi se është me prioritet plotësimi i kuadrit ligjor që mbron të drejtat e pacientëve.
“Vërej se ka legjislacion që mbron të drejtat e pacientëve, por nuk është i plotë. Është një korpus ligjesh dhe rregullash që duhet të ekzistojnë. Shoqatat mund të kontribuojnë për prezantimin e akteve nënligjore për plotësimin e këtij legjislacioni.
Ne kemi një eksperiencë shumë të mirë sa i përket akteve të paraqitura nga shoqatat. Shoqëria civile sot është pjesë e strukturave të shtetit. Shumicën e ligjeve i kemi nga projektet e zbatuara pikërisht nga shoqëria civile”, deklaroi Hajro.
Ndërkohë, ajo shtoi se numri i çështjeve të hapura gjatë 2 viteve të fundit që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të pacientëve është shumë i ulët.
“Sa i përket rasteve që kemi në gjykatë për ndërprerjen e shtatzanisë dhe për mosdhënien e ndihmës mjekësore për 2 vitet e fundit rezulton se nuk ka asnjë çështje, ndërsa për mjekim të pakujdesshëm ka 4 çështje që janë regjistruar që në vitin 2016. Vetëm për 3 prej tyre është dhënë vendimi, ku më rezultojnë se aktualisht janë të bartura në Gjykatën e Apelit”, përfundoi ajo.
Ndërkohë, mes pacientëve të pranishëm dhe përfaqësuesve të shoqatave që mbrojnë pacientët u diskutua rasti i Besart Nezaj, një 21 vjeçar nga Durrësi që vuan nga sëmundja e hemofilisë, e cila i shkakton probleme me koagulimin e gjakut. Nezaj pranoi se mungesa e medikamenteve e ka penalizuar që të bëjë një jetë normale.

“Ne vuajmë nga mungesa e medikamenteve. Ilaçet për ne mungojnë edhe në këto momente që flasim. Po përpiqemi fort që të na sigurohen faktorët e koagulimit që na duhen gjatë gjithë kohës. Kemi dërguar shumë shkresa në institucione, por nuk kemi gjetur asnjë zgjidhje konkrete. Sinqerisht jam shumë i indinjuar për shkak se unë kam vetëm gjimnazin. Nuk kam arritur të bëj universitetin dhe kjo ka ndodhur vetëm për shkak se unë nuk kam pasur medikamente”, tha Nezaj gjatë fjalës së tij.
Probleme të tilla si dhe buxhetimi i shëndetësisë për vitin 2018 u ndoqën me shqetësim nga deputetja Orjola Pampuri, njëkohësisht anëtare e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.

“Ofrimi i shërbimit në kushtet e duhura është e drejta bazë e pacientëve. Një ndër pikat e tjera është edhe mungesa e medikamenteve ose ofrimi i medikamente pa cilësi. Kjo janë dy gjërat që unë i shoh si më problematiket me të cilat sot përballet sistemi shëndetësor. Një tjetër problem shumë serioz është miratimi i buxhetit 2018 për sistemin shëndetësor. Po e shpreh hapur se buxheti i vitit të ardhshëm është më i ulët se vitet e tjera dhe duke pasur një financim të tillë nuk mund të kemi rritje të cilësisë”, deklaroi deputetja.
Për drejtoren e shoqatës “Together for Life” Eglantina Bardhin, mënyra më efikase për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve është përmes rrugës ligjore.

“Ne kemi përgatitur 3 dosje ku janë shkelur të drejtat e pacientëve në sistemin shëndetësor apo nuk kanë marrë mjekimin sipas protokolleve që mbrohen me ligj dhe shumë shpejt do të kemi çështje të tjera për të referuar. Ka ardhur koha që pacientët të dëmshpërblehen, të trajtohen me dinjitet dhe t’u zbatohen të drejtat”, përfundoi Bardhi.
Nga ana tjetër, koordinatorja e shoqatës, Alma Kordoni, vlerësoi se problemet e pacientëve duhet patjetër të kalojnë përmes një procesi zinxhir duke nisur nga raportimi deri tek vendimi gjyqësor.

“Është e rëndësishme që të bëhemi bashkë për nxitjen dhe inkurajimin e pacientëve për raportimin e shkeljes së të drejtave të tyre dhe rastet e korrupsionit. Ne synojmë që këto raportime të pacientëve të ndiqen më pas në sistemin e drejtësisë në mënyrë që të ketë një marrëdhënie zinxhir deri në momentin që të ketë një zgjidhje konkrete”, tha ajo.
Takimi vijoi me diskutime të mëtejshme nga përfaqësuesit e Avokatit të Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit, të cilët ofruan mbështetjen e tyre institucionale për problematikat e hasura në sistemin shëndetësor.




PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve