Spitali i Djegie Plastikës drejt shembjes, si po cënohet shërbimi ndaj pacientëve

Iliada Kovaçi

Ndonëse kanë kaluar gati tre vite që prej tërmetit të 26 nëntorit, pasojat që tërmeti la qenë jo të pakta dhe fatkeqësisht po ndihen ende. Aktualisht situata duket tepër shqetësuese në Spitalin e Djegie Plastikës në QSUT. Sot gazetarë të gazeta Shëndetit u ndodhën aty për të parë më nga afër situatën dhe për të raportuar pakënaqësitë e pacientëve.

Mungesa e kushteve higjenike, pamjaftueshmëria e dhomave, fletë-dalja para kohës, janë disa nga problemet që qytetarët raportojnë. Një prej rasteve konkrete e cila ishte e gatshme të bashkëpunonte ishte një paciente e cila ishte tepër e shqetësuar dhe e revoltuar me kushtet që spitali po ofron.

Kam nënën prej disa ditësh të shtruar. Spitali është në kushte skandaloze sepse ka shenja ende të tërmetit nga brenda, ku njëra prej godinave është jashtë funksionit. Mjekët janë duke sakrifikuar për të punuar në një godinë të vetme me një pavion të vetëm që shërben njëkohësisht edhe si reanimacion, sepse nuk ka hapësirë dhe kushtet janë të tmerrshme. Mjekët janë të gjithë nën presion, detyrohen që të mbajnë të shtruar rastet më emergjente ndërsa ato pacientë të cilët janë në gjendje të përmirëruar por kanë ende nevojë për trajtim i nxjerrin para kohe. Kjo ka ndodhur edhe me një të afërmin tim. Këtu 1 tualet mbulon dy dhoma, në të cilat janë shtruar nga 3-4 pacientë. Ka kondicionerë, bëhet pastrimi, vijnë infermierët bëjnë mjekimin por pjesa tjetër është e ngatërruar. Gjithashtu shtretërit nuk funksionojnë.”

Ashtu siç mund të shihet edhe në imazhet e publikuara shembja e njërës godinë ka bërë që ajo të dalë jashtë funksioni. Sipas disa burimeve nga stafi i spitalit vetëm një zyrë dhe një sallë operacioni në godinën e vjetër është funksionale. Të gjithë pacientët po marrin shërbim në pjesën tjetër të spitalit brenda një pavioni, në të cilin 3 deri në 4 dhoma shërbejnë si reanimacion për pacientët. Ende nuk dihet se kur do të vihet dorë mbi këtë godinë e lënë prej kohësh jashtë vëmendjes.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*