Denisa Canameti
Matja e cilësisë së spitaleve vazhdon të jetë në rangun e thashethemeve, perceptimeve dhe përshtypjeve personale të pacientëve. Pasi, sipas Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore (QKCSA-ISH)s pitalet universitare të Tiranës dhe ato rajonale publike janë ende në proces të vetë përmirësimit të cilësisë dhe vetëvlerësimit të standarteve të cilësisë dhe akreditimit. Pra, asnjëra prej tyre nuk mban vulën e akreditimit, për rrjedhojë asnjë prej tyre nuk konfirmon cilësinë e shërbimit. Akreditimi i institucioneve shëndetësore është një mekanizëm rregullator i cilësisë në tregun e shërbimeve shëndetësore, i cili ndihmon pacientët, konsumatorët, por edhe institucionin blerës të shërbimeve që bashkë me sasinë dhe spektrin e shërbimeve të paketës që mbulon, të marrë në konsideratë edhe cilësinë e tyre.
Ligji detyron institucionet shëndetësore publike dhe private që operojnë në vendin tonë, detyrimisht t’i nënshtrohen procesit të akreditimit. Procesi i akreditimit është një mekanizëm matës i cilësisë së institucioneve shëndetësore. Kështu vlerësimi për cilësinë e shërbimit në institucionet shëndetësore si dhe për tërësinë e asaj që përfaqësojnë, duhet konfirmuar nga një vulë e lëshuar nga institucioni i Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore (QKCSA-ISH). Kjo vulë u dëshmon pacientëve se ai spital kryen ato që duhen dhe ka ato që duhen.
Edhe pse ky proces, ka vite që ka filluar duket se insitucionet shëndetësore janë ende larg përmbushjes së standardeve që duhen plotësuar për të përftuar statusin “i akredituar”.
Sipas të dhënave të siguruara deri më tani janë akredituar 4 spitale jo publike. Kërkesa/ nevoja për të përballuar konkurrencën me spitalet e tjera, si duket ka motivuar spitalet private për plotësimin e këtyre standardeve.
Ndërkohë gjendja e mjerueshme e spitaleve shtetërore, sidomos nëpër rrethe vë në pikëpyetje serioze sigurinë e pacientit.

E kontaktuar nga Shëndet plus, Qendra Kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore (QKCSA-ISH), iu është përgjigjur disa pyetjeve që lidhen pikërisht me procesin e akreditmit të institucioneve shëndetësore:
A është procesi i akreditimit i detyrueshëm edhe për spitalet private dhe për spitalet shtetërore?
Bazuar në Ligjin e ri të Kujdesit Shendeteror Nr. 51/2013, neni 4 “1. Institucionet shëndetësore i nënshtrohen procesit të akreditimit përmes Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit, në mënyrë periodike, për të vlerësuar shkallën e plotësimit nga ana e tyre të standardeve të paracaktuara dhe të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë.” Referuar ketij Ligji, procesi është i njëjtë për spitalet publike dhe jo publike.
A jane të gjitha spitalet private të akredituara?
Deri më tani janë akredituar 4 spitale jo publike.
A jane të gjitha spitalet shtetërore të akredituara, në Tiranë? Po spitalet rajonale?
Spitalet Universitare të Tiranës dhe ato rajonale publike, janë përfshirë në proçesin e Akreditimit dhe janë ende në proces të vetë përmirësimit të cilësisë dhe vetëvlerësimit të standarteve të cilësise dhe akreditimit.
A janë të njëjta standardet që duhet të plotësojnë spitalet si për privatin ashtu edhe për shtetërorin për tu akredituar?
Standardet e akreditimit janë të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe janë të njëjtë si për spitalet publike dhe ato private.
Rendisni standardet që duhet të plotësojnë spitalet që të akreditohen?
Standartet janë të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe në vetvete standartet përfshijnë një sërë kapitujsh. Çdo kapitull përmban një numër standartesh. Nëse i referohemi standarteve spitalore janë 17 kapituj me gjithsej 249 standarte për t’u ploteësuar. Pas depozitimit të kërkesës dhe plotësimit të formularit, institucionit shëndetësor që ka aplikuar i jepen standardet e shkruara, si dhe dokumentacioni bashkëshoqërues ndihmës për vetëvlerësim. (referuar VKM Nr.315 Neni 10 Pika 2)
Rendisni standardet që në përgjithësi nuk plotësojnë spitalet shtetërore? Po spitalet private çfarë problemesh shfaqin në plotësimin e standardeve?
QKCSAISH gjatë procesit të akreditimit luan rol ndihmues dhe mbështetës ndaj koordinatorit, ekipit vlerësues të brendshëm në shpërndarjen, njohjen, mënyrën e interpretimit të standarteve dhe ndihmon dhe i mbështet gjatë gjithë procesit për fazën e tyre vetëvlerësuese dhe vetëpërmirësuese, për t’u përgatitur për vizitën e jashtme akredituese.
Cilat janë masat që merren për spitalet e pa akredituara?
Nëse një spital nuk arrin të marrë akreditimin ka të drejtë të riaplikoje përsëri, deri në plotësimin e standareve të cilësisë dhe akreditimit. (referuar VKM 315 Neni 19 ku citohet “Në rastet kur institucionit nuk i është dhënë akreditimi ose i është hequr apo pezulluar, atëherë institucioni mund të riaplikojë, por jo më përpara se 6 muaj nga data e këtij vendimi.”)
Çertifikata e akreditimit a është e përjetshme?
Çertifikata e Akreditimit vlen për periudhë kohore 5-vjeçare (pesë). Pas përfundimit të tij, institucioni duhet të aplikojë për riakreditimin, përpara skadimit të afatit 5- vjeçar (pesë). (VKM 315, dt. 23.3/2011. Neni 22, pika 3)
Beqaj: Kontroll deri në kartela të spitaleve private dhe më pas akreditim
Edhe pse spitalet dhe klinikat private kanë mbirë gjithandej, vetëm 4 prejt tyre sipas Qendrës kanë arritur që të plotësojnë kushtet e marrjes së certifikatës së akreditimit. Sipas fjalës së Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, në shkurt të 2014-s, të gjitha spitalet private në vend do ti nënshtrohen kontrolleve të auditit të Ministrisë së Shëndetësisë për të parë cilësinë e tyre, si dhe për të shkuar deri tek kartelat e pacientëve në mënyrë që të shihet gama e ekzaminimeve që kërkohen. Kjo është edhe si pikë e fortë e këtij kontrolli pas ankesave të qytetarëve të cilët thonë se kryejnë shumë ekzaminime të cilat rrisin në fund faturën.
“Sigurisht që është detyrë e Ministrisë t’i miratojë këto standarde në bashkëpunim me profesionistët. Ndoshta ka shpeshherë mbingarkesë ose dhënie me tepri ekzaminimesh. Por ky shqetësim është edhe në Tiranë, por edhe nëpër rrethe. Tek shëndetësia jopublike do të fillojmë të bëjmë audite të rregullta për të parë gjithçka që është në një kartelë, gjithçka që është kërkuar të bëhet në ekzaminim, ka qenë në protokoll, ka qenë e nevojshme dhe aty është edhe gjurma e përgjigjes për të parë nëse ishte efektive ose jo”, është shprehur Beqaj më herët në një dekalaratë për shtyp.
***********
Ç’është Akreditimi?
“Akreditimi” nënkupton vërtetim direkt të plotësimit të standardeve specifike nga institucionet shëndetësore përmes vizitës dhe vlerësimit të jashtëm në vendin e punës së institucionit përkatës lidhur me atë se çfarë kryhet në atë institucion: produktet, proceset, sistemet, personelin ose ekipet, përfshirë këtu edhe një demonstrim formal të kompetencës së institucionit për të realizuar detyra të caktuara dhe në këtë kuptim, fjala “akreditoj” lidhet me këtë proces vizite konstatimi apo vlerësimi të jashtëm.
Qendra Kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore (QKCSA-ISH) QKCSA-ISH, është strukture në varësi administrative të Ministrisë së Shëndetësisë. Është institucioni i vetëm kombëtar, përgjegjës për kryerjen e akreditimit te institucioneve shëndetësore publike dhe private.
Ligj
Sipas ligjit Nr.10 107, datë 30.3.2009, Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë, Neni 26
Akreditimi (Ndryshuar pika 1 me ligjin nr.51/2013, datë 14.2.2013)
- Institucionet shëndetësore i nënshtrohen procesit të akreditimit përmes Qendrës Kombëtare
të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit, në mënyrë periodike, për të vlerësuar shkallën e plotësimit nga
ana e tyre të standardeve të paracaktuara dhe
të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë.
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve