Sistemi elektronik i referimit, përpjekje për të shmangur radhët në spitale

Në Tiranë tashmë ka nisur implementimi. Sistemi elektronik i referimit në institucionet shëndetësore do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë brenda vitit 2018 premton Kryeministri i vendit Edi Rama.

Në një video të shpërndarë përmes rrjetit social Facebook, Rama thotë se ky sistem i ri do të shmangë radhët e gjata deri në ofrimin e shërbimit tek mjeku specialist.

Aktualisht me ndihmën e mjekut të familjes, pacientët mund të prenotojnë në mënyrë elektronike vizitën tek specialisti.

“Sistemi i rekomandimit elektronik është që është risia e fundit në sistemin parësor, mundëson shmangien e ecejakeve të shtuara të pacientëve nga sistemi parësor në sistemin sekondar sipas nevojës së pacientit”, thotë mjekja e përgjithshme Brunilda Shiroka.

“Duke u bazuar tek dosja elektronike, edhe ne si specialistë e kemi më të lehtë të gjykojmë për gjendjen shëndetësore të pacientëve dhe t’u japim atyre trajtimin e duhur”, shton Manushaqe Batku, mjeke okuliste.

Sistemi elektronik i referimit është një përpjekje që nisi në vitet e para të qeverisë Rama.

Sistemi i referimit

Pavarësisht se sistemi i referimit e përcakton qartë procedurën që duhet ndjekur për lëvizjen e pacientit brenda institucioneve shëndetësore publike, në të shumtën e rasteve ky sistem nuk është respektuar. Pro Pacientit ka raportuar radhët e gjata të krijuara kryesisht në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për shkak të mos respektimit të sistemit referues. Edhe për rastet e thjeshta të komplikacioneve shëndetësore, qytetarët paraqiten menjëherë në urgjencë në QSUT duke shmangur vizitën tek mjeku i përgjithshëm.

Në të tjera raste, vetë pacientët kanë raportuar se mjekët e familjes nuk marrin përsipër trajtimin e problemeve të lehta shëndetësore duke i referuar menjëherë rastet tek mjeku specialist, gjë që krijon radhë të gjata.

Implementimi i këtij sistemi nuk dihet nëse do të ketë sukses në të ardhmen sa i përket shmangies së radhëve të gjata, kjo pasi për ta zbatuar nevojitet ngushtësisht bashkëpunimi i mjekëve të përgjithshëm dhe pacientëve.

Emanuel Smaka / Pro Pacientit

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*