
Fiks Fare zbuloi mbrëmjen e djeshme se si fermerët përdornin stimulantë dhe hormone në rritjen dhe pjekjen e fruta-perimeve. Në një vëzhgim në Lushnje dhe Berat, “hambarin” e fruta-perimeve në Shqipëri, gazetarët e Fiksit zbuluan se dora e parë e domateve ishte me hormone, madje fermerët vijonin t’i lyenin për skuqje nga jashtë.
Ndërkohë, bima e shalqirit shartohet me një bimë kungulli, me qëllim që kokrra të jetë sa më e madhe. Më pas, kjo bimë, gjysmë shalqi dhe gjysmë kungull, stimulohet me plehra kimikë, me qëllim rritjen e kokrrës dhe pjekjen sa më të shpejtë. Për të dyja këto produkte, gazetarët e Fiksit shkuan direkt te fermerët, duke u bërë një pyetje të thjeshtë: A i konsumojnë vetë? Përgjigjja e tyre ishte se jo, madje treguan edhe “bëmat” e tyre.
Për gazetarin e ekonomisë, Klodian Tomorri, ky mund të quhet një terrorizëm, madje një krim i mirëfilltë kundër njerëzimit.
Lexoni reagimin e tij të plotë në faqen në Facebook:
Ky është terrorizëm! Ajo që ndodh në fushat bujqësore të Shqipërisë është terrorizëm i mirëfilltë. As më shumë e as më pak, krim kundër njerëzimit.
Fiks Fare vërtetoi dje se si te gjitha produktet bujqësore, pa përjashtim, modifikohen dhe manipulohen me hormone në sasi të pakontrolluara.
Rezultati?
Në dekadën e fundit vdekjet e parakohshme nga sëmundjet kardiovaskulare janë dhjetëfishuar. Sëmundjet tumorale po ashtu. Shqipëria po vdes e re. Arsyeja kryesore është pikërisht masakra që ndodh me ushqimet.Por nuk është e vetmja. Një miku im doktor më tregonte se si shoqëria shqiptare po hyn në depresion dhe një nga shkaqet kryesore mendohet se është pikërisht ky, përdorimi i hormoneve dhe pesticideve tek ushqimet.
Këta po shfarosin njerëzit në masë. Kostot që merr shoqëria nga gjithë kjo veprimtari kriminale janë me qindra dhe me mijëra herë më të larta se sa fitimet e qelbura nga eksportet e perimeve bujqësore.
Kjo është një situatë që kërkon ndërhyrje drastike, në të kundërt Shqipëria do shndërrohet arena e eksperimentit më të madh gjenetik në botë, ndërsa shqiptaret kavie në duart e disa injorantëve të babëzitur, që nuk njohin asnjë limit.
Ligji duhet të ndryshojë urgjentisht. Përdorimi i pakontrolluar i pesticideve apo hormoneve në produktet ushqimore duhet të kriminalizohet.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, sot pjesë e tepsisë, siç e thotë vetë qeveria, duhet të forcohet dhe të marrë atribute ekstra ligjore.
Çdo fushë apo njësi bujqësore prodhuese duhet të jetë subjekt i inspektimeve të papritura. Në ato fusha ku konstatohet përdorimi i substancave të dëmshme, përgjegjësit duhet të shkojnë pas hekurave me dënimet ekzemplare.
Nuk mund të tolerohet më. Ky është terrorizëm. Probabiliteti që dikush të sëmuret dhe të vdesë nga ushqimet në Shqipëri është mijëra herë më i lartë se sa të vdesë në një sulm terrorist. Llogaritë bëhen vetë./ ProPacientit.com
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve