Shenjat e lisë së majmunit dhe disa udhëzime për mjekët

Teksa OBSH ka paralajmëruar rritje të rasteve me linë e majmunëve, përfaqësuesit e institucioneve të shëndetit publik, kanë shpjeguar si transmetohet tek njerëzit, shenjat klinike të virusit dhe sa zgjasin simptomat.

Informacione të përditësuara po publikohen në faqen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve etj.

Sëmundja fillon me:

  • Ethe
  • Dhimbje koke
  • Dhimbje muskulare
  • Dhimbje shpine
  • Nyjet limfatike të fryra
  • Të dridhura
  • Lodhje

Brenda 1 deri në 3 ditë (ndonjëherë më gjatë) pas shfaqjes së etheve, pacienti zhvillon një skuqje të lëkurës, që shpesh fillon në fytyrë dhe pastaj përhapet në pjesë të tjera të trupit.

Lezionet në lëkurë progresojnë në stadet e mëposhtme para rënies së tyre:

  • makula (njollë e kuqe),
  • papula,
  • fshikza (vezikula),
  • pustula
  • dhe krusta (koriçka)

Sëmundja zakonisht zgjat 2-4 javë. Në Afrikë, lija e majmunëve është treguar se shkakton vdekjen në 1 në 10 persona që preken nga kjo sëmundje.

Rekomandime për mjekët

Nëse klinicistët identifikojnë pacientë me një skuqje që mund të jetë në përputhje me linë e majmunëve, veçanërisht ata me një histori udhëtimi të kohëve të fundit në vendet e Afrikës Qendrore ose Perëndimore, pjesë të Evropës ku është raportuar lija e majmunëve ose zona të tjera që raportojnë raste të lisë së majmunëve, lija e majmunëve duhet të konsiderohet si një diagnozë e mundshme.

Skuqja e lidhur me linë e majmunit mund të ngatërrohet me sëmundje të tjera që hasen në praktikën klinike (p.sh., sifilizi sekondar, herpesi, kankroidi dhe variçela zoster).

Informacioni mbi parandalimin dhe kontrollin e infeksionit në mjediset e kujdesit shëndetësor ofrohet në faqen e internetit të CDC.

Për Shqipërinë, mjekët që dyshojnë për raste të lisë së majmunit, duhet të konsultohen me Institutin e Shëndetit Publik. Burimi: CDC

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*