Rreth 400 fëmijë, çdo ditë në urgjencë. Mjekët: Të informohen prindërit për sistemin e referimit

Emanuel Smaka, gazetar

Rreth 300 fëmijë janë paraqitur vetëm gjatë paradites së të hënës në Urgjencën e Pediatrisë së QSUT-së. Shifër kjo tejet e lartë në raport me numrin e stafit mjekësor që shërben pranë kësaj urgjence.

350 është numri mesatar i fëmijëve që paraqiten gjatë një dite shërbimi, ku shifrat kanë pësuar rritje graduale që nga mëngjesi i të premtes. Këto shifra janë siguruar nga burime të sigurta pranë Urgjencës së Pediatrisë, të cilët thonë se është mjaft e vështirë të menaxhohet ky fluks i shtuar.

Mjekët thanë për “Pro Pacientin” se kjo mbingarkesë, përveç ndryshimit të temperaturave, krijohet edhe për shkak se prindërit anashkalojnë sistemin e referimit duke i dërguar fëmijët e tyre menjëhere në urgjencë, pa u konsultuar me mjekun e familjes.

“Gjatë punës tonë kemi vërejtur se shumë fëmijë që na vijnë këtu, në të vërtetë mund të kishin marrë ndihmën mjekësore nga mjeku i familjes apo mjekët specialistë pranë poliklinikave përkatëse. Por prindërit zgjedhin që në rastin më të parë të drejtohen në QSUT duke krijuar fluks dhe radhë të gjata, të cilat shpeshherë i kalojnë kapacitetet tona”- u shpreh një burim pranë Urgjencës Pediatrike të QSUT-së.

Numri i lartë i fëmijëve të paraqitur, kryesisht në orët e paradites, përtej vështirësive që krijon për stafin mjekësor, për fëmijët gjithashtu krijohen pritje të gjata.

Kjo sipas specialistëve ndodh edhe si pasojë e mungesës së informacionit nga ana e prindërve.

“Nëse prindërit do të kishin informacionin e duhur në lidhje me sistemin e referimit, një pjesë e madhe e rasteve do të merrnin shërbim pranë poliklinikave. Është e rëndësishme që të bëhet një shpërndarje e barabartë e pacientëve fëmijë në institucionet shëndetësore. Urgjenca duhet të shërbejë për rastet më të rënda dhe serioze. Kështu që edhe ne do të kishim më tepër mundësi dhe kohë për t’u ofruar shërbim pacientëve”- tregojnë burimet pranë QSUT-së.

Sipas të dhënave zyrtare, pavijonet dhe Urgjenca Pediatrike kanë 40 shtretër në të cilët shtrohen pacientë me patologji reumatologjike, të pediatrisë së përgjithshme, kryesisht gjendje febrile të zgjatura pa vatër të njohur infeksioni, si dhe infeksione akute gastrointestinale, urinare, pulmonare. (Burimi: Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”)

 Simptomat me të cilat paraqiten fëmijët

Stina e vjeshtës shoqërohet me luhatje të shpeshta të temperaturave duke sjellë kësisoj shumë raste të fëmijëve me viroza.

Shenjat e para të virozave tek fëmijët që mund të shfaqen gjatë kësaj periudhe, sipas mjekëve, janë: skuqje e syve apo kollë që shpesh shoqërohet me të përziera. “Temperatura sigurisht është ajo që shoqëron rastet, e cila varet sipas tipit dhe rezistencës së fëmijës”- pohojnë mjekët.

 *Sistemi i referimit

Udhëzimi nr. 558 i vitit 2009 përcakton qartë regjistrimin, identifikimin dhe lëvizjen e pacientit brenda institucioneve shëndetësore.

Sipas këtij udhëzimi pacientët në momentet që kanë komplikacione shëndetësore duhet të drejtohen fillimisht pranë mjekut të familjes. Nëse ky i fundit e vlerëson të arsyeshme, rekomandon pacientin tek një mjek më i specializuar ose staf mjekësor brenda institucionit.

Nëse mjeku specialist e shikon të arsyeshme për vendosjen e diagnozës, që pacienti duhet të kryejë ekzaminime laboratorike apo imazherike, e referon me rekomandim të brendshëm.

Ndërkohë, pika 16 e udhëzimit të mësipërm përcakton se “në pranim urgjencën e institucioneve me shtretër duhet të funksionoje rregullisht filtri i shërbimeve dhe argumentimi i karakterit urgjent/i zakonshëm, sipas protokollit përkatës të miratuar nga Ministrta e Shëndetësisë”.

Pikërisht si pasojë e anashkalimit të këtij sistemi referues Urgjenca e Pediatrisë pranë QSUT, herë pas here përballet me fluks urgjencash thonë mjekët.

Kjo konstatohet edhe pas verifikimeve të bëra në terren nga “Pro Pacienit”. Pranë Poliklinikës së specialiteteve nr.3, një nga më të rëndësishmet në kryeqytet, numri i fëmijëve të paraqitur për konsulta mjekësore është mjaft i ulët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*