Rrëfimi i pacientit: 15 vjet me diagnozë të gabuar, mbeta i paralizuar në të dyja këmbët

Denisa Canameti

“U trajtova për 15 vjet si bartës i hemofilisë A. Pas shumë vitesh mësova që isha trajtuar gabim. Isha bartës i hemofilisë B. Mjekët më thanë që trajtimi i gabuar nuk ka më shkaktuar ndonjë problem. Me kalimin e viteve fillova të shfaq probleme në të dy gjunjët, aq sa thuajse u paralizova.

“Kam qëndruar për 8 muaj në krevat. Lëvizja me ndihmën e një paterice. Jam diagnostikuar edhe me hepatit. Kur më kanë thënë për hepatit, jam ndier më keq se për çdo diagnozë tjetër. Lexoja dhe nuk më besohej.  Jetoj vetëm me nënën. Nuk kam mundësi të shumta ekonomike. Gjithçka kam bërë e kam arritur përmes kërkesave të pafundme nëpër institucione”.

Anamneza 

Në anamnezë përshkruhet se: Nga shkurt 2009 diagnostikohet me hemofili B të shkallës së rëndë. Pacienti është ndjekur në spitalin e Tiranës. I vihet diagnozë gonartrozë dhe artrozë talokrutale bilateral me semiankiloze artikulacioni, për të cilën i jepet indikacion për ndërhyrje kirurgjikale…”

Pas shumë kërkesave në Ministri, pacientit F.A. i miratohet e drejta për t’u dërguar në një klinikë më të specializuar ortopedike onkologjike jashtë vendit, për vendosjen e protezave të gjurit, të cilat do të sillnin përmirësim të ndjeshëm tek lëvizjet e të sëmurit, pasi këto proteza nuk gjenden në vendin tonë.

Pas këtij urdhri të nënshkruar më datë 14.04.2009 pacienti niset për në Turqi, me shpresën për të operuar njërin gju. Por, kur shkon atje. mëson se e vetmja gjë që i kishte paguar shteti shqiptar është një ekzaminim, jo ndërhyrje.

“Në 2009-n, ministria e Shëndetësisë më premtoi që do të më nxirrte jashtë për të operuar gjurin tjetër. Mjekët këtu nuk e marrin përsipër. Më thanë që më kanë paguar operacionin në Turqi. Kur shkova në spitalin e Ankarasë, më thanë se ministria juaj ka paguar vetëm vizitën, por jo ndërhyrjen. Kuptova që ishte premtim për fushatë. U ktheva pa e bërë ndërhyrjen”.

Pas vizitës, F.A. kthehet sërish në Tiranë, ashtu, thuajse i paralizuar. Ministri i Shëndetësisë së asaj kohe, i krijon mundësinë e kontaktit me një fondacion në Itali.

“Ministria e Shëndetësisë më ndihmoi me një adresë të një fondacion në Milano. Pastaj u lidha vetë me ta. Përmes kontaktit dhe pasi u njohën me rastin tim, morën përsipër që të më operojnë njërin gju. Njërin gju e bëra, ndërsa gjurin tjetër vazhdoj që ta kem me probleme. Ka që në vitin 2009 që kërkoj, por s’e bëj dot.

“Mos ta kisha bërë njërën protezë, nuk do të lëvizja fare, por deshi Zoti e bëra dhe tani eci. Që ta dini mirë, kam kërkuar mjekim te spitali, te shëndetësia, kam shkruar pafund te të gjithë ministrant, që nga 2009 e deri më sot dhe në fund asgjë. Nuk besoj në shëndetësinë shqiptare”, përmbyll pacienti.

“Shërbimi i kujdesit shëndetësor është aktualisht nga shërbimet publike më të këqija për qytetarët shqiptarë. Shëndetësia shqiptare nuk arrin të realizojë asnjë nga funksionet e saj: nuk parandalon, nuk diagnostikon, nuk kuron dhe nuk rehabiliton”.

Është ky përshkrimi (i papërditësuar) në faqen e Kryeministrisë që i bëhet gjendjes së shëndetësisë në vendin tonë. Megjithatë, sot, thuajse në përfundim të mandatit, qeveria e rendit Ministrinë e Shëndetësisë si më të suksesshmen në drejtim të zbatimit të reformave, ku cilësia dhe siguria e kujdesit shëndetësor në përputhje me standardet, është detyrim profesional dhe etik i kujdesit shëndetësor/ https://propacientit.al/

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*