Raporti i OBSH: Afërsisht 1 në 6 persona në mbarë botën përjetojnë infertilitet

Një numër i madh personash preken nga infertiliteti gjatë jetës së tyre, sipas një raporti të ri të publikuar nga OBSH. Rreth 17.5% e popullsisë së rritur – afërsisht 1 në 6 persona në mbarë botën – përjetojnë infertilitet, duke treguar nevojën urgjente për të rritur aksesin e kujdesit ndaj fertilitetit në një mënyrë të përballueshme dhe me cilësi të lartë.

“Raporti zbulon një të vërtetë të rëndësishme: infertiliteti nuk diskriminon”, tha Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtor i Përgjithshëm në OBSH. “Përqindja e madhe e njerëzve të prekur tregon nevojën për të zgjeruar aksesin në kujdesin e fertilitetit dhe nevojën që kjo çështje të mos mënjanohet më në kërkimet dhe politikat shëndetësore, në mënyrë që mënyra të sigurta, efektive dhe të përballueshme për të arritur prindërimin të jenë të disponueshme për ata që e kërkojnë atë.”

Infertiliteti është një sëmundje e sistemit riprodhues të mashkullit ose femrës, e përcaktuar nga dështimi për të arritur një shtatzëni pas 12 muajsh ose më shumë të marrëdhënieve të rregullta seksuale të pambrojtura. Mund të shkaktojë shqetësim të konsiderueshëm, stigmë dhe vështirësi financiare, duke ndikuar në mirëqenien mendore dhe psikosociale të njerëzve.

Pavarësisht nga përmasat e çështjes, zgjidhjet për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e infertilitetit – duke përfshirë teknologjinë riprodhuese të asistuar si fekondimi in vitro (IVF) – mbeten të paarritshme për shumë njerëz për shkak të kostove të larta, stigmës sociale dhe disponueshmërisë së kufizuar.

Aktualisht, në shumicën e vendeve, trajtimet e fertilitetit financohen kryesisht nga xhepat e vetë personave, duke rezultuar shpesh në kosto financiare shkatërruese. Njerëzit në vendet më të varfra shpenzojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave të tyre për kujdesin e fertilitetit në krahasim me njerëzit në vendet më të pasura. Shpenzimet e larta shpesh i pengojnë të kenë akses në trajtimet e infertilitetit ose mund t’i çojnë ata në varfëri si pasojë.

“Miliona njerëz përballen me kosto katastrofike të kujdesit shëndetësor pasi kërkojnë trajtim për infertilitetin, duke e bërë këtë një çështje të madhe të barazisë dhe shumë shpesh, një kurth të varfërisë mjekësore për ata që preken nga kjo”, tha Dr Pascale Allotey, Drejtoreshë e Shëndetit dhe Kërkimit Seksual e Riprodhues në OBSH, duke përfshirë Programin Special të Kombeve të Bashkuara për Kërkim, Zhvillim dhe Trajnim Kërkimor në Riprodhimin Njerëzor (HRP).  Allotey thekson se: “Politikat më të mira dhe financimi publik mund të përmirësojnë ndjeshëm aksesin në trajtim dhe të mbrojnë familjet më të varfra nga rënia në varfëri për shkak të kësaj”.

Ndërsa raporti i ri tregon prova bindëse të prevalencës së lartë globale të infertilitetit, ai nxjerr në pah një mungesë të vazhdueshme të të dhënave në shumë vende dhe disa rajone. Ai bën thirrje për disponueshmëri më të madhe të të dhënave kombëtare për infertilitetin të ndara sipas moshës dhe shkakut për të ndihmuar në përcaktimin sasior të infertilitetit, si dhe për të ditur se kush ka nevojë për kujdes për fertilitetin dhe si mund të reduktohen rreziqet.

 

Përshtati në shqip: Redina Çanaku

Burimi: https://www.who.int/news/item/04-04-2023-1-in-6-people-globally-affected-by-infertility

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*