
Autor: Emanuel Smaka / Pro Pacientit
Pedagogu i Sëmundjeve Profesionale në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë Dr. Ilir Alimehmeti, deklaroi të premten se rreth 60% e vdekjeve në Shqipëri shkaktohen nga sëmundjet kardiovaskulare. Alimehmeti shtoi gjithashtu se sipas studimeve, Shqipëria zë vendin e 8 në botë sa i përket numrit të vdekjeve të shkaktuara nga insulti cerebral.
“58.4% e shqiptarëve, pra rreth 60% e vdekjeve në vit në vendin tonë, shkaktohen nga sëmundjet kardiovaskulare. Për këtë kemi statistika zyrtare, ku sëmundja e arterieve koronare paraqet 182 vdekje për 100 mijë banorë në vit që është një shifër shumë e lartë, ku zëmë vendin e 24 në botë. Insulti cerebral është i dyti sa i përket numrit të vdekjeve të shkaktuara në vit në Shqipëri, i cili shkakton 178.5 vdekje për 100 mijë banorë. Për numrin e vdekjeve nga insulti cerebral, Shqipëria zë vendin e tetë në botë”, deklaroi Alimehmeti gjatë fjalës së mbajtur të premten në Tiranë në një konferencë të organizuar nga Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë.
Ndërkohë, pedagogu u tha infermierëve dhe studentëve të infermierisë, se këta të fundit duhet të kenë parasysh që të jenë të specializuar më së shumti për sëmundjet me të cilat përballet vendi ynë apo rajoni aktualisht.
“Pikë e rëndësishme është se në fund ne kemi detyrim ndaj pacientit që ti japim një shifër konkrete, nuk mund të hamendësojmë apo të paraqesim ide. Ne duhet të bëjmë atë që quhet “mjekësia e bazuar në të dhëna”, pra për të dhënë argumente mbi sëmundjen që mund të ketë pacienti. Ne duhet t’i japim një përfundim pacientit. Duhet të kemi parasysh që me vitet gjërat ndryshojnë. Më përpara nuk ishin sëmundjet kardiovaskulare problemi dhe kjo është arsyeja pse brezat e infermierëve të mëparshëm janë shumë të ndërgjegjësuar ndaj vaksinimeve dhe ndaj përdorimit të antibiotikëve, sepse ai ishte armiku kryesor. Prandaj infermierët duhet t’i përshtaten gjithnjë e më tepër sëmundjeve që ekzistojnë aktualisht”, përfundoi Alimehmeti.

Pjesë e takimit të organizuar ishte edhe zv. ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli. Ndër të tjera, ajo theksoi se synimi kryesor i qeverisë është që brenda vitit 2022, për shërbimin shëndetësor, qytetarët të paguajnë 30% nga xhepi i tyre dhe pjesa tjetër të mbulohet nga Instituti i Sigurimeve.
“Qëllimi ynë është që të bëjmë një sistem shëndetësor të arritshëm dhe të prekshëm nga të gjithë. Shqipëria është një vend që nuk i ka buxhetet e mira në krahasim me vendet e tjera. Në vitin 2013 rreth 60% e shpenzimeve ishin nga xhepi i shqiptarëve, ndërsa 40% nga sigurimet shëndetësore. Targeti është që në 2020 raporti të jete 40 me 60 dhe në 2022, 30 me 70, në favor të qytetarëve.
Është meritë e infermiereve që sistemi i vaksinimit funksionon edhe në vendet më të largëta të Shqipërisë”, deklaroi zv. ministrja Rakacolli.
Ndërkohë, kirurgu dhe pedagogu i njohur Arben Gjata, ftoi infermierët që t’i japin gjithnjë e më tepër rëndësi edukimit në vazhdim.
“Mendoj se është shumë i rëndësishëm edukimi në vazhdim. Gjithashtu uroj të mbeteni një shoqate e bashkuar, sepse vetëm kështu mund të bëni përpara dhe të rriteni profesionalisht”, përfundoi Gjata.
Profesoresha Anyla Bulo referoi temën “Gabimet Laboratorike dhe faktorët jashtë-laboratorikë që ndikojnë në to”, ku vuri në dukje se puna në laborator mund të jetë vendimtare në përcaktimin e diagnozës së saktë për pacientët.
“Gabimet nga ana tjetër mund të kenë pasoja të rënda në shëndetin e pacientit”, tha ajo, teksa ftoi infermierët dhe stafin e spitaleve që të jenë të kujdesshëm gjatë punës së tyre në laboratore.
Konferenca me temë “Manipulimet Mjekësore dhe Testet Diagnostike” është një organizim i Shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë dhe do të zgjasë për 2 ditë me radhë. Të ftuar për të referuar në këtë konferencë janë mbi 20 pedagogë dhe profesionistë të fushës nga Shqipëria dhe vendet e rajonit. Në përfundim të takimeve, pjesëmarrësit, kryesisht infermierë dhe studentë të infermierisë, do të vlerësohen me certifikatë.



PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve