Pa efekt dhe kontroll: Pikëpyetjet mbi cilësinë e barnave në Shqipëri

Dhjetëra qytetarë shqiptarë, shumica pacientë kronikë, besojnë se ilaçet e përfituara nga lista e barnave të rimbursueshme nuk bëjnë efektin e pritshëm.

Denisa Canameti në Tiranë

Partizan Malkaj, kryetar i Shoqatës së Pacientëve me Hepatit në Shqipëri, shpenzon çdo muaj një kuotë nga xhepi për të siguruar medikamentin që i nevojitet.

“Marr gjithmonë alternativën e dytë në listën e barnave me rimbursim, pasi alternativa e parë nuk më bën efekt. Për të marrë alternativën e dytë paguaj një pjesë nga xhepi, siç funksionon,” tha Malkaj.

Lista e barnave të rimbursueshme zë ¼ e shpenzimeve totale për shërbimin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri dhe për vitin 2021 ka një kosto prej 107 milionë dollarësh.

Megjithatë, pacientë kronikë si Malkaj e shohin me dyshim cilësinë e një pjese të barnave të listës, ndaj janë detyruar që të shpenzojnë para shtesë për të trajtuar sëmundjen e tyre.

Pikëpyetje të ngjashme ndajnë edhe dhjetëra qytetarë të tjerë, shumica pacientë kronikë, të cilët u anketuan përmes një pyetësori mbi cilësinë e barnave të publikuar online dhe të shpërndarë në terren nga Pro Pacientit.

Pyetësori u plotësua online nga 61 qytetarë  dhe në terren nga 100 të tjerë, nga të cilët 59 për qind ishin femra dhe 41 për qind meshkuj. Mbi 70% e të anketuarve thanë se vuanin nga një sëmundje kronike – kryesisht nga sëmundjet e zemrës, hipertensioni, diabeti, sëmundjet reumatizmale apo të mushkërive.

Të pyetur për problemet që hasin me barnat e rimbursueshme, rreth 50 për qind e të anketuarve u përgjigjën se nuk bëjnë efektin e pritshëm.

Të dhënat e siguruara nga pyetësorët sugjerojnë gjithashtu se një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve detyrohen të blejnë ilaçe jashtë vendit për shkak të mungesës së besimit për barnat që qarkullojnë në Shqipëri, se ua ka sugjeruar mjeku apo se ilaçi që u duhet nuk gjendet nëpër farmaci.

Kryesisht, barna jashtë vendit kanë marrë ata që vuajnë nga sëmundjet kronike të veshkave apo mushkërive, ndërsa të sëmurët kardiakë zgjedhin të marrin kryesisht barna që janë 100% të rimbursueshme nga shteti.

Reforma e ‘gjenerikëve’

Popullsia e Shqipërisë po plaket me ritme të shpejta dhe sëmundshmëria ka pësuar rritje gjatë dekadës së fundit. Shtimi i sëmundjeve të zemrës, atyre tumorale si dhe i numrit të pacientëve kronikë ka sjellë gjithashtu një rritje të ndjeshme të konsumit të barnave.

Sipas Institutit të Statistikave, importi i medikamenteve është rritur me ritme dyshifrore gjatë dekadës së fundit. Ndërsa importi dhe konsumi i barnave rritet, ka një diskutim të madh sa i takon cilësisë së këtyre medikamenteve, veçanërisht atyre që ofrohen falas përmes listës së barnave të rimbursueshme.

Në vitin 2015, ligji i ‘Barnave dhe Shërbimit Farmaceutik’ pësoi një ndryshim rrënjësor me propozim të ministrit të kohës së Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ndryshimet kishin si qëllim liberalizimin e tregut farmaceutik, ndërsa hoqën kushtin ekzistues të qarkullimit të barit në një nga vendet e Bashkimit Europian.

Ndryshimi i ligjit i hapi rrugën tregtimit të barnave të prodhuara në vendet e Ballkanit me një nivel më të ulët të filtrave të kontrollit për garantimin e cilësisë dhe sigurisë së tyre.

Si rrjedhojë, disa kompani të mëdha farmaceutike u tërhoqën nga tregu, ndërsa volumi i barnave gjenerike të importuara nga prodhues të vendeve të Ballkanit dhe Turqisë pësoi rritje.

Në tabelën e mëposhtme, të përpunuar nga KLSH, paraqitet trendi në rritje i barnave të importuara nga Turqia, duke marrë si pikë reference vitin 2014, kur u miratua dhe ligji i barnave.

Sipas mjekëve të familjes, lista e barnave të rimbursueshme është zgjeruar çdo vit që prej ndryshimit të ligjit. Megjithatë, ata theksuan se qytetarët shqiptarë vazhdojnë t’u besojnë firmave të barnave dhe prodhuesve farmaceutikë të tyre.

“Është zgjeruar gama e ilaçeve të rimbursueshme në listë. Për shembull, unë si mjeke flas për fushën e endokrinologjisë, janë futur shumë medikamente të reja në listën e rimbursimit të ilaçeve,” tha për Pro Pacientit mjekja Mimoza Dollënga.

Edhe mjeku Besart Hysi beson se të gjitha barnat në listën e rimbursueshme janë cilësore, por diferencën sipas tij e bëjnë kompanitë farmaceutike që i prodhojnë këto medikamente.

“Duke pasur parasysh këtë edhe pacientët janë të prirur të bëjnë zgjedhjen e tyre në marrjen e ilaçeve” tha ai.

Pa mekanizma kontrolli

Në Shqipëri, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, AKBPM, është institucioni përgjegjës për të garantuar vendosjen në treg të barnave të sigurta, cilësore dhe efikase për popullatën. Ky institucion duhet të kryejë analizat si për barnat në proces regjistrimi, ashtu edhe për barnat që importohen ose qarkullojnë në treg.

Megjithatë, një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon se AKBPM nuk ka kryer asnjë analizë përgjatë vitit 2020 dhe se puna e Agjencisë në drejtim të garantimit të cilësisë është paralizuar plotësisht.

Raporti i KLSH vlerëson gjithashtu se numri i analizave kishte ardhur vazhdimisht në ulje nga viti 2014 deri në tetor të vitit 2019, duke e ekspozuar popullatën ndaj pasigurisë së barnave.

Nga 498 analiza të kryera në vitin 2014, numri i tyre pësoi një tkurrje me rreth 60% në vitin 2018, kur u kryen vetëm 169 të tilla. Ndërsa në vitin 2019 u kryen vetëm 68 analiza të barnave deri në tetor, kur laboratori e stopoi punën për 11 muaj.

Në raportin e KLSH-së sqarohet se shkak për ndërprerjen e punës u bë rikonstruksioni i godinës së institucionit, ndërsa tërmeti dhe pandemia e COVID-19 ndikuan gjithashtu negativisht.

Megjithatë, KLSH thekson se mungesa e analizave në afatgjatë ka ndikime të rëndësishme në ruajtjen e shëndetit të popullatës, ndërsa kritikon mungesën e kujdesit në përmbushjen e detyrimit institucional mbi analizimin e barnave.

“Nga ana e AKBPM të merren masat e nevojshme për rinisjen e punës së laboratorit të kontrollit, për të garantuar vendosjen në treg të barnave të sigurta, cilësore dhe efikase për popullatën…,” rekomandoi KLSH.

I pyetur nga Pro Pacientit për gjetjet e KLSH-së, AKBPM i është shmangur përgjigjes, ndërsa konfirmon se aktualisht po punon me kapacitete të plota.

“Laboratori i Kontrollit punon me kapacitete të plota njerëzore, teknike profesionale dhe financiare, duke vijuar normalisht analizimin e mostrave të marra nga tregu,” u përgjigj AKBPM.

 

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*