Në vijim të publikimit të planit gjithëpërfshirës për reduktimin e anemisë, OBSH ju bën thirrje vendeve të përshpejtojnë veprimet e tyre për të reduktuar prevalencën e anemisë, sidomos tek gratë në moshë riprodhuese, deri në vitin 2025. Progresi i këtij procesi, sipas OBSH, ka qënë i ngadaltë dhe bota nuk është në rrugën e duhur për të arritur objektivin global. Anemia është një problem serioz global i shëndetit publik, duke prekur 571 milionë gra dhe 269 milionë fëmijë të vegjël në mbarë botën.
Në vitin 2019, anemia preku 40% të fëmijëve nga 6 muaj deri në 5 vjeç, 37% të grave shtatzëna dhe 30% të grave 15-49 vjeç. Ai është më i përhapur në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Anemia rrit rrezikun e infeksioneve dhe vdekjes, dëmton performancën mendore dhe shkakton lodhje ekstreme, rezultate të dobëta të shtatzënisë, humbje të të ardhurave dhe zhvillim të dobët. Është një tregues i fuqishëm i shëndetit të përgjithshëm.
“Shumica e punës lidhur me adresimin dhe trajtimin e anemisë është përqendruar tek parandalimi dhe trajtimi i mungesës së hekurit”, shprehet Francesco Branca, Drejtuesi i Departamentit të Ushqyerjes dhe Sigurisë Ushqimore pranë OBSH. “Megjithatë, anemia është një gjendje komplekse me shkaqe të ndryshme – duke përfshirë edhe mungesa të tjera ushqyese, si edhe çrregullime të trashëguara të qelizave të kuqe të gjakut.” Të gjitha këto duhet të adresohen efektivisht për të parandaluar dhe trajtuar aneminë.
Plani i ri gjithëpërfshirës përcakton mënyra për të adresuar shkaqet e drejtëpërdrejta, faktorët e rrezikut dhe pabarazitë sociale dhe ekonomike që janë faktorët kryesorë nxitës të anemisë. Ai përshkruan qasjen gjithëpërfshirëse që bashkon shumë sektorë dhe akstorë dhe cilëson fushat kryesore të veprimit për të përmirësuar mbulimin dhe ndërmarrjen e ndërhyrjeve.
Duke pranuar se shëndetësia mbetet sektori mbizotërues për kryerjen e shumë prej ndërhyrjeve të rekomanduara, plani propozon gjithashtu veprime që mund të ndërmarrin aktorët e tjerë të shoqërisë. Këto përfshijnë qeveritë, shoqërinë civile, akademinë, studiuesit, agjencitë e financimit, organizatat ndërkombëtare dhe mediat. Secili ka rolin e tij të veçantë në procesin e reduktimit të anemisë dhe mbajtjen e njerëzve të shëndetshëm.
Përshtati në shqip: Redina Çanaku
Burimi: https://www.who.int/news/item/12-05-2023-who-calls-for-accelerated-action-to-reduce-anaemia