Numër i ulët i vaksinimeve AntiCovid në Shqipëri, pse shqiptarët po refuzojnë

Rritja e rezistencës mes shqiptarëve të pavaksinuar rrezikon të përkeqësojë situatën e pandemisë këtë vjeshtë, ndërsa mjekët bëjnë thirrje për strategji të reja në informimin dhe nxitjen e qytetarëve.

Denisa Canameti

Shqipëria po përballet me rezistencë ndaj programit të vaksinimit këtë vjeshtë, ndërkohë që një valë e re e koronavirusit ka rritur numrin e infektimeve, të të shtruarve në spital si dhe të fataliteteve. Qendra e hapur e vaksinimit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë është pothuajse e zbrazur. Ndërkohë, mjekët e familjes dhe qendrat shëndetësore po hasin vështirësi për t’i bindur qytetarët –një pjesë e të cilëve janë edhe pacientë kronikë.

“Kemi pacientë të sëmurë kronikë që refuzojnë të vaksinohen, edhe pse janë kontaktuar disa herë prej nesh,” thotë mjekja Mira Hyseni. “Kanë dëgjuar se vaksina u shkakton trombozë dhe druajnë,” shtoi ajo.

Shqipëria e nisi programin e vaksinimit në janar të këtij viti, ndërsa qeveria nisi të kontraktojë katër lloje vaksinash; Pfizer, AstraZeneca, kinezen Sinovac si dhe vaksinën ruse Sputnik.

Deri në fillim të shtatorit raportohen 1.9 milionë doza vaksine të administruara, por përqindja e popullsisë së vaksinuar plotësisht mbetet në nivelet e ulëta të 21.9 për qindëshit sipas agjencisë “Reuters”.

Njësoj si vendet e tjera, fushata e vaksinimit në Shqipëri po frenohet nga qarkullimi i miteve, informacioneve kontradiktore dhe një mase në rritje të njerëzve që janë kundër vaksinimit.

Përmes një pyetësori të detajuar, Pro Pacientit mblodhi të dhëna nga dhjetëra qytetarë për të mësuar arsyet që i shtyjnë ata drejt refuzimit të vaksinës.

Të dhënat kyçe janë si më poshtë:

  • Mes personave që morën pjesë në anketim, 59% ishin të vaksinuar dhe 41% ishin të pavaksinuar. Mes të anketuarve të pavaksinuar, rreth 65% u përgjigjën se nuk ishin të gatshëm që të merrnin dozën e tyre të vaksinës, kur t’u vinte radha.
  • Rreth 42.9% e personave ende të pavaksinuar mendojnë se vaksina nuk është e sigurtë, ndërsa 28% besojnë se kanë fituar ‘imunitet natyral pasi e kanë kaluar COVID-19”.

  • Shkaqet të tjera për moskryerjen e vaksinimit janë: besimi se vaksina ndikon në ADN; u është ofruar një lloj tjetër vaksine nga ajo që kanë kërkuar, vaksina ndikon në infertilitet etj.

Ndërsa skepticizmi ndaj vaksinave rrezikon të përkeqësojë situatën e mëtejshme të pandemisë këtë vjeshtë, mjekët në Shqipëri sugjerojnë ndjekjen e strategjive të reja dhe një informim më të mirë të popullatës.

Mes dyshimit dhe kërkesave për Pfizer

Vaksinimi konsiderohet si arma më e rëndësishme në parandalimin e përhapjes së COVID-19 si dhe për shmangien e rasteve të rënda të sëmundjes dhe hospitalizimeve. Sipas Komitetit Teknik të Ekspertëve, rreth 95% e personave të infektuar me variantin Delta në Shqipëri janë të pavaksinuar.

Ekspertët llogarisin gjithashtu se vaksinimi i plotë i ul shanset për t’u infektuar me 32 herë, ndërsa mbrojtja ndaj formave të rënda të sëmundjes është edhe më e madhe.

Pro Pacientit vizitoi disa qendra shëndetësore në Tiranë dhe intervistoi një duzinë qytetarësh; një pjesë e të cilëve ishin dyshues për t’u vaksinuar, ndërsa pjesa tjetër ishte në kërkim të vaksinave Pfizer.

Të dyja kategoritë mbartin megjithatë shqetësim për efektet anësore që mund t’u shkaktojë vaksina. Vaksina Pfizer rezulton si më e preferuara në Shqipëri, por marrja e saj kërkon rekomandim nga mjeku i familjes.

“Mjeku i familjes më dha vetëm recetën që jam pacient kronik, që të bëj vaksinën Pfizer, por nuk më dha asnjë informacionin nëse do të kem ndonjë efekt anësor. E pyeta nëse shkakton trombozë, por u përgjigj se asgjë nuk është konfirmuar nga shkenca,” tha një pacient kronik në një qendër shëndetësore në Tiranë.

“Derisa shkenca nuk e ka thënë fjalën e fundit, kam dyshime, po meqë po e bëjnë të gjithë, po e bëj,” shtoi ai.

I pyetur nëse do t’ua sugjeronte fëmijëve, ai tha se është dyshues, pasi nuk është i sigurt mbi efektet e mundshme në shëndetin e tyre.

“Nuk di të them për fëmijët, ata s’e kanë nisur jetën ende. Frikë kam, nuk ua sugjeroj dot, por as nuk u them dot mos e bëni,” thotë ai.

Mjekja e familjes, Mira Hyseni i tha Pro Pacientit se edhe kur qytetarët binden që të bëjnë vaksinën, ata kërkojnë me këmbëngulje Pfizer.

”..kanë lexuar rreth saj, e dinë që është vaksinë e cila prodhohet në Amerikë dhe duke qenë se prodhohet atje, mendojnë se është më e mira. Arsyeja tjetër është se kjo vaksinë njihet për të udhëtuar jashtë vendit,” tha mjekja, ndërsa shtoi se brezi i ri kërkon kryesisht të bëjë Pfizer.

Në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3 në Tiranë, Astriti pret gjithashtu që të bëjë Pfizer.

“Unë jam alergjik dhe këtë vaksinë më tha mjekja e familjes për të bërë, erdha këtu tek poliklinika që ta bëj. Këtë vaksinë po e bëjnë të gjithë dhe njihet jashtë vendit,” tha ai.

Bashkëshortja e tij, Marjana është në dilemë, pasi nuk vuan nga ndonjë sëmundje kronike dhe për rrjedhojë, nuk po gjen mundësinë që të bëjë Pfizer.

“Unë nuk dua të bëj vaksinë tjetër vec vaksinës Pfizer, kjo është më e mira, por këtë nuk po e bëj dot, sepse nuk kam sëmundje kronike,” tha ajo.

Jetmira, 27 vjeç thotë se ishte informuar përpara se të paraqitej në Poliklinikë për t’u vaksinuar.

“Nga sa kam lexuar në internet dhe studimet që janë bërë, për moshat e reja nuk është e rekomandueshme AstraZeneca. Sinovac e ka efektshmërinë e ulët. Prandaj kërkoj të bëj Pfizer. Nuk e di nëse do jetë e mundur për të bërë Pfizer, sepse mesa dëgjova, duhet të kesh sëmundje kronike,” tha ajo ende e paqartë.

Në qendrën shëndetësore në Babrru, një qytetare 44-vjeçare është gjithashtu e dyzuar, pasi e informuan se mund të zgjidhte mes AstraZenecas dhe vaksinës kineze Sinovac.

“Jam nisur për të bërë vaksinën, por tani shikoj se cila është aty. Unë Pfizer kisha qejf që të bëja por nuk kishte, thonë që ajo është shumë e mirë dhe për këtë arsye dua të bëj atë,” tha ajo.

Ndërsa disa kanë preferenca, të tjerë nuk duan të bëjnë asnjërën prej vaksinave të pranishme në Shqipëri.

“Jam 30 vjeç, nuk jam vaksinuar dhe nuk dua të vaksinohem. Thjesht nuk dua, nuk kam asnjë arsye më shumë se kaq,” tha një i ri për Pro Pacientit.

“Nëse do shikoj që kam simptoma të virusit, do bëj testin. Nëse vendoset me detyrim ligjor atëherë jam i detyruar ta bëj, por kështu jo, nuk e bëj,” shtoi ai.

Strategji të reja

Pandemia e COVID-19 është shoqëruar nga një fushatë e egër dezinformimi në media dhe rrjetet sociale në të gjithë botën, ku pjesë e debatit publik u bënë edhe konspiracionistët apo thashethemet. Lumi i informacioneve të paverifikuara besohet se ka një rol thelbësor në rritjen e skepticizmit ndaj vaksinave.

Rezistenca ndaj vaksinimit përmendet edhe në Planin Kombëtar të Vaksinimit ndaj Covid-19, pika 10 “Kërkesa dhe hezitimi ndaj vaksinës”. Qeveria premton qasje të integruara, informim të plotë dhe luftë kundër dizinformimit për të rritur shifrat e vaksinimeve, megjithatë pak nga premtimet duket se po realizohen.

Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria lë pas vetëm Kosovën dhe Bosnje dhe Hercegovinën për numrin e ulët të vaksinimeve. Sipas të dhënave të publikuara nga World in Data, Serbia ka rekordin më të mirë të vaksinimit me 41% të popullsisë me të dyja dozat, e ndjekur nga Kroacia dhe Maqedonia e Veriut.

Për të rritur numrin e të vaksinuarve, qeveria shqiptare po sheh mundësinë e detyrimit për një kategori profesionesh, të tilla si arsimtarët, mjekët dhe studentët.

Megjithatë, ekspertët i thanë Pro Pacientit se qeveria nuk kishte bërë mjaftueshëm me fushatën e vaksinimit dhe se nevojiten strategji të reja për të bindur popullatën.

Mjeku infeksionist, Petrit Gjorgji tha se të gjithë duhet ta bëjnë vaksinën dhe se nuk duhet pasur frikë nga efektet anësore.

“Ne kemi pritur kaq kohë për vaksinën antiCovid. Sepse para se të dilte vaksina, ne të vetmin mjet mbrojtës kishim maskën dhe distancimin fizik, tashmë kemi vaksinën,” tha ai.

Gjorgji është megjithatë i ndërgjegjshëm për skepticizmin dhe sugjeron që në fushatën e vaksinimit të përfshihen edhe mjekët e familjes. Sipas tij, mjekët e familjes janë personat e duhur për t’i bindur pacientët e tyre, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me ta.

“Mjeku i familjes në radhë të parë duhet të jetë i qartë vetë rreth vaksinës dhe që bërja e saj është shpëtim për njerëzimin. Nuk po them të bëjë propagandë rreth vaksinës, por një bindje mjekësore pse duhet bërë,” thotë Gjorgji.

Mjeku infeksionist mendon se fushata e deritanishme për vaksinimin nuk ka qenë e mjaftueshme dhe se nevojitet një qasje më e rreptë në informimin e qytetarëve.

Të jetë në çdo kanal televiziv një spot rreth vaksinimit, ashtu sikurse u bënë spotet rreth distancimit fizik dhe larjen e shpeshtë të duarve,” sugjeron mjeku.

“Të dalin mjekë të njohur dhe të flasin, qoftë edhe mjekët që bëjnë politikat mjekësore të dalin dhe të thonë: Vaksinat duhen bërë dhe të rendisin arsyet pse duhet,” përfundoi ai.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*