Nga Bardha Nergjoni
Pak ditë më parë e takova Sofien, ishte thuajse e braktisur nga të gjithë. Në gjendje të rënduar varej nga një shpresë e fundit, një operacion. Sot Sofie Sula nuk jeton më. Në 28.10.2017 ajo ndërroi jetë duke humbur atë fije shprese që e mbante në jetë përballë një tumori të tmerrshëm në gjoks. Historia e saj na bën të reflektojmë me shumë pikëpyetje që të mos mbetemi në fushata fasadë të sensibilizimit por të ndërhyjmë në rastet konkrete sa nuk është vonë. Sa i vjen në ndihmë mjekësia shqiptare njerëzve dhe a ka ende shpresë që një grua me tumor të shpëtojë nga kthetrat e sëmundjes?
Historia e saj e trishtë (16 tetor 2017)
Sofia është 51 vjeç. Para një viti ka zbuluar se është me kancer gjiri. Sot ka dorën e ënjtur, një plagë të madhe në trup dhe sytë me lot. Në Balldren, pak metra larg ndotësve më të mëdhenj, Sofia prej muajsh pret një operacion si shpresën e fundit për të jetuar. Nuk akuzon askënd, edhe pse ato që ka parë e dëgjuar i janë dukur të dyshimta në sjelljen e mjekëve ndaj saj. Ndërsa ka bërë një operacion në Greqi me shpenzimet e familjes, tashmë i është drejtuar shëndetësisë shqiptare në pamundësi për të përballuar shpenzime të tjera.
Nuk ishte kontrolluar më parë, por rritja e një gjëndre nën sqetull bëri që të shkonte për një kontroll. Edhe pse bëri ekzaminime, për shkak të sorollatjeve dhe mosgjetjes në fillim të diagnozës së duhur kaluan javë. Ndërsa konfirmon se vuan nga një tumor, pa shumë besim tek shëndetësia shqiptare pasi kishte humbur disa javë nëpër ekzaminime, Sofia niset për në Selanik tek djali i saj.
Nuk kishte asnjë letër nga Shqipëria dhe me shpenzimet e të birit mundi të operohet në një spital të Greqisë. Kostoja më e madhe për të ishte kimioterapia. Një kurë kushtonte deri në 9 mijë euro dhe shpenzimet e djalit të saj bashkë me operacionin shkuan 40 mijë euro. Edhe pse kishte nevojë për kimio pas operacionit Sofie Sula largohet nga Selaniku për në Shqipëri.
“Djali nuk kishte asnjë mundësi më. Kishte harxhuar 40 mijë Euro. Mendova ti bëj kimion në shtet në Shqipëri. Në kthimin nga Greqia kam marrë edhe një gjobë 1200 Euro pasi koha e operacionit dhe mjekimeve i kaloi 3 muaj”.
Sërish në Shqipëri do të vazhdonte kalvari i saj. Ndërsa merrte veten pas operacionit, pas 3 muajve filluan sërish shqetësimet.
“Një gjëndër tjetër më doli nën sqetull. Filloi sërish. Iki në Tiranë dhe atje më kërkuan të gjithë dokumentet çfarë kisha bërë në Greqi. Mi sjell djali dhe iki sërish. U deshën tre ditë që të konsultoheshin mjekët dhe vendosën të vazhdoja kimioterapi. Për 6 javë vazhdoi mjekimi ndërkohë që plaga hapej. Kërkova të bëhesha sërish operacion. I thashë të më heqin edhe krahun. Të rri sakate, se kam djalin me probleme me shëndetin. Më dërguan tek rrezet. Atje më thanë që nuk bëhej dot rreze në pjesën e sqetullës. U gjet një zgjidhje dhe fillova rreze për 12 ditë. Nuk më shtronin se më thoshin se s’ka vend kur unë isha në këtë gjendje.
“Për 12 ditë rreze mora taksi 30 mijë lekë dita duke bërë vajtje-ardhje në Tiranë. Pas 12 ditësh edhe pse mjeku që më bënte rreze tha që duhet të vazhdonte, përgjegjësja e rrezeve tha ka mbaruar puna. Shkova tek mjekja e terapisë. Ajo më dha 7 kokrra në ditë. I piva për 3 muaj dhe u bëra më keq”.
Gruaja vazhdimisht ka insistuar për operacion por edhe pse një prej mjekëve fillimisht i ka thënë për operacion, më pas ka ndryshuar mendim në konsultim me mjekët e tjerë që ndiqnin rastin.
“Një mjek që pa kartelën. Ai i tha, i keni sytë në ballë, duhet operuar. Nuk dija ku të shkoja. E thirri burrin dhe i tha që duhet operuar. Duhen 3 dhurues gjaku dhe firma. Ndërkohë mjeku që më kishte përgjegjësi kthehet e më thotë që nuk të fus në operacion. Unë nuk të operoj, vazhdo me doktoreshë Flutrën. E kisha djalin dhe vajzën në Greqi. Erdhën dhe bashkë me djalin. Ai thërriti mjekun që tha për operacionin. Edhe e kërcënoi me fjalë, që ishte gabim, por edhe kjo nuk bëri gjë. Vazhdova mjekimin. Më vunë një ilaç tjetër. Kam bërë kimion para tri javëve. “Do të vazhdosh me kokrrat” më thanë.
Sot nuk lëviz dot dorën. Pasi bëra ilaçin dora më është ënjtur. Më është hapur plaga. Ka shkuar në kockë tashmë. Nuk mund të akuzoj askënd por dua vetëm një të drejtë. Nëse është zgjidhe operacioni jam gati. Nëse duhet të më presin krahun le ta bëjnë. Trupi im kështu po shkatërrohet dhe dritë nuk shoh. Jeta ime është në duart e tyre, dhe sa më shumë kohë të kalojë, aq më shumë i humb shpresat” thotë Sofia e dëshpëruar.
Gjendja e saj është e mjeruar, familja ka shpenzuar çfarë ka mundur për të dhe tani është në dorë të mjekësisë shqiptare për ti dhënë shpresë apo për ta shuar atë./ ProPacientit.com
One comment
Pingback: Ndërgjegjësimi ndaj kancerit të gjirit, mes mungesës së ilaçeve dhe numrit në rritje – PRO PACIENTIT