Në shërbimin e hematologjisë pacientët përcillen pa kryer kimioterapinë, mungon Mabthera

Covid-19 është një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin e qytetarëve, ndaj e gjithë vëmendja e sistemit shëndetësor aktualisht është e përqëndruar në menaxhimin e kësaj krize. Por, ajo çfarë është paralajmëruar disa herë edhe nga gazeta “Shëndet Plus” është nevoja për të garantuar shërbim shëndetësor edhe për të sëmurët e tjerë që vazhdojnë të marrin shërbim në të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor.

Aktualisht në shërbimin e hematologjisë, ku trajtohen sëmundjet e rënda të gjakut, mungon kimiopreparati MABTHERA. Pacientët po përcillen prej disa ditësh pa trajtim. Krahas mungesës së këtij medikamenti me vlerë financiare të lartë, pacientët kanë hasur vështirësi edhe me kryerjen e analizave.

Shërbimi i Hematologjisë pranë QSUT trajton sëmundjet e rënda të kancerit në gjak dhe është shërbim unik mjekësor për pacientë nga zona të ndryshme të vendit.

Mungesa e kimiopreparateve është një problematikë e hershme e spitaleve në Shqipëri, që duket se do të vazhdojë të sfilisë pacientët me sëmundje të rënda. Pacientët nuk mund ta blejnë këtë medikament jashtë ambienteve të spitalit, sepse është medikament për përdorim spitalor, por edhe nëse e fusin ilegalisht nga vende të tjera, kostoja e tij është e lartë dhe dërrmuese për ekonominë e një familje shqiptare.

Farmacia e spitalit nuk ka dhënë një përgjigje pacientëve lidhur me kohën se kur pritet të vijë medikamenti, i domosdoshëm për ta, duke detyruar kështu pacientët që të shoqëruar nga familjarët të bëjnë vajtje-ardhje në spital, një ambient ku aktualisht veç të tjerash, për shkak të virusit përbën një rrezik akoma më të madh për shëndetin e tyre./ Gazeta Shëndet + 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*