
Dhjetëra studentë dhe vullnetarë u testuan të martën në konkursin e ndihmës së parë në Tiranë. Garat tradicionale të organizuara nga Kryqi i Kuq shqiptar u mbajtën në sheshin Skënderbej duke improvizuar 3 situata të ndryshme aksidentesh. Vullnetarët demonstruan aftësitë e tyre për dhënien e ndihmës tek personat e aksidentuar. Sipas organizatorëve “qëllimi i konkursit në ambiente publike është sensibilizimi i publikut me mënyrën e dhënies së ndihmës së parë në raste të ndryshme aksidentesh”. Vullnetarët e përfshirë në këtë konkurs janë trajnuar përgjatë 1 muaji me qëllim aftësimin e tyre për dhënien e ndihmës.

Gjatë situatave improvizuese që ndoqi Pro Pacientit, pjesëtarët e ekipeve ishin të pajisur me çantat e ndihmës së parë, ndërsa në bazë të performancës u vlerësuan me pikë nga vëzhguesit e certifikuar.
Në fund të ditës u shpallën edhe grupet vullnetare fituese, të cilët do të konkurrojnë me qarqet e tjera të vendit. Në fund të konkursit për dhënien e ndihmës së parë, disa grupe vullnetarësh do të përzgjidhen për të përfaqësuar Shqipërinë ne konkurse të tilla rajonale dhe Evropiane.
Ekspozita Fotografike
Në të njëjtën ditë, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u paraqiten 300 piktura të fëmijëve nga të gjitha qytetet e vendit.
“Nëpërmjet ekspozitës përpiqemi të përhapim humanizmin dhe vullnetarizmin në vendin tonë. Mesazhi sot vjen nga fëmijët përmes pikturave me duart e tyre. Në punime janë paraqitur mesazhe promovuese për humanizëm dhe shërbim shëndetësor”, tha Manjola Syknej, koordinatore e programit të rinisë dhe edukimit humanitar pranë Kryqit të Kuq Shqiptar.

Pikturat e paraqitura në këtë ekspozitë janë përzgjedhur nga 3000 punime që kanë konkurruar në rang vendi. 252 shkolla 9-vjeçare në të gjithë Shqipërinë u angazhuan në paraqitjen e kësaj ekspozite. / Pro Pacientit
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve