Mjeku gjerman: Largimi i mjekëve nga Shqipëria nuk është çështje parash

Bisedoi: Denisa Canameti

Në një kohë kur numri i mjekëve të larguar nga Shqipëria drejt Gjermanisë sa vjen e rritet, ka edhe mjekë gjermanë që zgjedhin Shqipërinë. Salah el Dsoki është kardiokirurg i lindur dhe rritur në Gjermani, por që prej vitesh punon në Shqipëri. Ai ka ndjekur me interes lajmet që flasin për një numër shumë të lartë mjekësh dhe infermierësh që lënë Shqipërinë për të shkuar drejt Gjermanisë. I kontaktuar nga gazeta “Shëndet+”, mjeku tregon se pse, sipas tij, mjekët e preferojnë kaq shumë Gjermaninë dhe se cilat jane kushtet që shteti gjerman u ofron atyre.

Kush është doktor Salah El Dsoki?

Jam kardiokirug. Kam lindur në Gjermani, kam jetuar në Gjermani, ndërsa universitetin e kam kryer në Egjipt, sepse babi im ishte nga Egjipti, mamaja nga Gjermania. Pas studimeve, u ktheva sërish në Gjermani, ku fillova të punoj.  Fillova të punoj si kardiokirurg. Kam 25 vite përvojë si kardiokirurg.

Cila është puna e një mjeku në Gjermani? Cila ishte puna juaj?

Të punosh në Gjermani si doktor është e vështirë. Unë punoja 15 orë në ditë. E lija shtëpinë në orën 6:30 të mëngjesit dhe kthehesha në shtëpi në orën 21:00. Midis dy operacioneve duhet të zgjidhja: të shkoja në tualet apo të pija një kafe. S’kisha kohë për të dyja.

Kështu është puna në Gjermani. Kur ishte specializant, në fundjavë isha roje në 4 pavione dhe secili nga pavionet kishte nga 28 pacientë. Më shumë se 100 pacientë. Kam dëgjuar që disa mjekë këtu ankohen dhe thonë: kam 6 pacientë. Është normale. Një specializant normal në Gjermani në kardiologji ose kirurgji ka 12-14 pacientë si rutinë, ndërsa si roje ka pavione në ngarkim. Njerëzit këtu nuk e dinë se si funksionon Gjermania.

Shpesh thuhet që mjekët e huaj vijnë këtu pasi nuk kanë gjetur veten në vendin e vet… Pse keni ardhur nga Gjermania?

Në Gjermani kisha një pagë shumë të mirë. Isha pjesë e sindikatës, merrja pjesë në çdo aktivitet apo konferencë shkencore. Erdha sepse kam tre fëmijë dhe nuk kisha kohë që t’i shikoja fëmijët e mi.

Kur keni ardhur në Shqipëri?

Kam ardhur në Shqipëri në 2012-n, në një spital privat. Kam punuar aty deri në tetor të 2015-s. Pas kësaj shkova në një spital tjetër privat dhe tani jam në proces të nënshkrimit të kontratës me një spital tjetër privat për të ndërtuar një departament për kardiokirurgjinë.

Mjekët në Shqipëri vlerësohen shumë pak financiarisht për punën që bëjnë dhe kjo cilësohet si një ndër arsyet pse ata zgjedhin të ikin… Në fakt, si trajtohen me paga mjekët në Gjermani? Sa merr një mjek që ka të paktën 5 vite përvojë?

3800 euro bruto për një specializant dhe rreth 5000 euro bruto për një specialist. Për shumë orë. Nuk është pagë e lartë në raport me taksat që paguajnë dhe standardin shumë të lartë të jetesës. Neto është rreth gjysma e shumave më lart.

Nëse mendoni se mjekët ikin në Gjermani vetëm për pagë, nuk është e vërtetë. Nuk është çështje page Është çështje edukimi. Të rinjtë që sapo mbarojnë universitetin, e gjejnë veten pa perspektivë. Edukimi pasuniversitar nuk është në të njëjtin nivel si në Gjermani apo shtete të tjera europiane. Doktorët e rinj që sapo kanë mbaruar universitetin, më duken të miredukuar, kështu që problemi qëndron pas universitetit.

Në Gjermani angazhohemi maksimalisht që t’i trajnojmë mjekët e rinj që ata shumë shpejt të bëhen të pavarur. Situata në Shqipëri është ndryshe. Edukimi është monopol. Specializimi bëhet vetëm në QSUT dhe ky është problemi i parë. Çdo monopol në edukim është i keq, nuk ka alternativë.

Pjesa më e madhe e spitaleve në Gjermani, shtetërore apo private, kanë të drejtën të trajnojnë mjekë për specializim. Kjo varet nga pajisjet dhe nga spektri mjekësor që performojnë në çdo department. Kështu spitalet konkurrojnë me njëri-tjetrin për të tërhequr mjekë të rinj për të punuar, jo nga ana financiare, sepse kjo është e njëjtë kudo në Gjermani, por nga cilësia e trajnimit dhe edukimit mjekësor. Ju e vini re që kur njerëzit shkojnë në klinika private, midis një mjeku të huaj dhe një mjeku shqiptar, kë zgjedhin? Ata zgjedhin mjekun e huaj sepse ata e dinë që ai është i mirëtrajnuar dhe përdorin trajtimet më të fundit mjekësore.

Këtu ka mjekë shumë të mirë, të vjetër, që punojnë në shtet dhe në privat. Edhe kjo është problem. Në Gjermani nuk ekziston kjo. Ti punon në një spital privat ose shtetëror dhe nuk punon në një vend tjetër, kështu që të gjitha përpjekjet i jep për një vend të vetëm pune.

A ka Gjermania nevojë për mjekë dhe pse?

Po, ata kanë nevojë. Sepse gjenerata e re nuk duan të punojnë për 15 orë. Duan të punojnë 8 orë, në zyrë, të mbarojnë punën dhe të ikin dhe të jetojnë.

A ka ndodhur që mjekë shqiptarë të të pyesin përpara se të marrin vendimin për të ikur në Gjermani? Çfarë u keni thënë?

Shkoni! Njoh shumë mjekë dhe tre nga ata kanë punuar me mua këtu në Shqipëri të cilët më kanë pyetur, i kam rekomanduar të largohen dhe janë larguar…

 Pasi kanë ikur, çfarë ju kanë thënë? A keni pasur komunikim me ta?

Më kanë thënë: “Doktor, kam shumë punë. Por kam mësuar shumë”. Gjermania nuk është parajsë.

Si ju shohin pacientët shqiptarë?

Kam punuar në klinika ku ka pasur edhe mjekë shqiptarë. Pacientët shqiptarë preferonin t’i vizitoja unë. Nuk është çështje nacionaliteti. Ata kanë besim te edukimi ynë.

Besoj se në Shqipëri me pak para mund të jetosh një jetë të mirë. Më mirë sesa me 3 mijë euro që mund të marrësh në Gjermani. Më besoni që cilësia e jetës është më e mirë këtu. Punon më pak orë, ke mundësi të dalësh, të rrish me familjarët, të takosh miqtë.

Të rinjtë këtu edukohen shumë mirë në universitet, por nuk janë shumë mirë në praktikë. Pas katër vitesh specializim ata nuk mund të jenë të pavarur.

Do të ktheheni më në Gjermani?

Nuk po e planifikoj që të largohem, por Gjermania është atdheu im…

Ju jeni një mundësi e mirë për klinikat private, jeni një “reklamë e mirë”?

Mendoj se po. Kam operuar mbi 700 pacientë në Shqipëri dhe kam shumë miq këtu. Në përgjithësi operacionet e zemrës rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor. Pacientët përfitojnë nga rimburisimi shtetëror edhe në spitalet private.

 Është treguar e mirë Shqipëria e mirë me ty?

Po, njerëzit janë treguar shumë të mirë. Unë dhe im bir ndihemi shumë të lumtur këtu.

 

Largimi i mjekëve: 400 në tre vitet e fundit

Për tre vitet fundit ka shkuar në 400 numri i mjekëve që kanë bërë kërkesë të largohen nga Shqipëria. Ndërkohë, Gjermania është destinacioni i preferuar për shkak se ky shtet njeh çdo diplomë, certifikatë apo specializim të bërë. Kriteri i vetëm është gjuha.

Pavarësisht nevojave të theksuara të vendit tonë për mjekë e sidomos mjekë specialistë, këta të fundit refuzojnë t’i ofrohen një vendi i cili nuk ofron as kushtet më minimale të punës, duke fyer rëndë dinjitetin e të qenit mjek, siç janë shprehur vetë ata në intervista të ndryshme.

Në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+”, Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, flet për numrin e mjekëve që kanë bërë kërkesë për t’u larguar, si dhe arsyet e këtij vendimi. Sipas regjistrit që ky institucion disponon, në vitin 2016 kanë bërë kërkesë për të tërhequr një certifikatë që dëshmon sjellje të mirë të mjekut në punë 145 mjekë, çka nënkupton edhe aplikimin e tyre për t’u larguar nga vendi.

“Nëse Fakultetit i Mjekësisë nxjerr 150 mjekë në vit, është po kaq numri i mjekëve që bëjnë kërkesë për t’u larguar çdo vit. Praktikisht, po na ikin të gjithë”, thotë doktor Brahimaj për gazetën “Shëndet+”.

Statistikat e nxjerra nga Urdhri i Mjekut japin një shifër të rritje të mjekëve që kanë vendosur të largohen për vitin 2016. Rezulton se janë 31 mjekë specialistë dhe 114 mjekë të përgjithshëm të cilët kanë vendosur që të mos rrinë më në Shqipëri por t’i drejtohen vendeve të tjera (kryesisht Gjermanisë). Pra rezulton se janë 145 mjekë që kanë vendosur të largohen gjatë vitit 2016, më i keqi nga tre vitet e fundit, teksa në vitin 2014 kërkesat ishin nga 132 mjekë, ndërsa në vitin 2015 nga 120 mjekë. Përmirësimi i vogël i vitit 2015 duket se është pasuar nga një rritje më e madhe në vitin që shkoi duke treguar se situata për mjekët në Shqipëri nuk është përmirësuar aspak./

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*