Komisioneri Evropian i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Ushqimore Vytenis Andriukaitis ka reaguar ashpër ndaj lëvizjeve kundër vaksinimit që njihen ndryshe si “No Wax”.
Gjatë një konference për shtyp mbi situatën e shëndetësisë në Evropë, Andriukaitis tha se ata që mbështesin mos vaksinimin duhet të shohin varrezat e shekullit të XIX, ku për shkak të mungesës së vaksinës vdiqën shumë njerëz.
“Ato familje që kanë dëgjuar rekomandimet “No Wax” janë detyruar të varrosin fëmijët e tyre. Ata që refuzojnë imunizimin, i këshilloj të bëjnë një shëtitje nga varrezat evropiane, ku ka ende varre njerëzish që kanë vdekur në shekullin e nëntëmbëdhjetë, sepse nuk kishte vaksina atëherë. Këto lëvizje na çojnë dekada pas, në vitet e obskurantizmit”.
Në Shqipëri nuk ka shifra të sakta mbi numrin e rasteve të fëmijëve që kanë humbur jetën si pasojë e mos vaksinimit, ndërsa OBSH thotë se gjatë vitit 2016, 5.6 milionë fëmijë kanë humbur jetën.
Gjatë intervistave të zhvilluara nga Shëndet+ dhe Pro Pacientit mjekët, kryesisht ata pediatër, kanë theksuar rëndësinë e vaksinimit të fëmijëve.
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve