Ndryshe nga sa ka ndodhur në vitet e shkuara, pagesat për lejet e lindjes do llogariten mbi pagën neto të vitit aktual, dhe jo më mbi pagën bruto të vitit paraardhës. Zbatimi i skemës së re të pensioneve, duke nisur nga data 1 janar, përcakton edhe formulën e re që përdoret në llogaritjen e të ardhurave të barrëlindjes.
Nëse më parë pagesa llogaritej mbi pagën bruto të vitit paraardhës, ekspertët e sigurimeve shoqërore thonë se me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të sigurimeve, llogaritja do të aplikohet mbi pagën neto të vitit aktual në të cilën lind e drejta e përfitimit. Masa e pagesës për lejet e lindjes të lëshuara gjatë 2015-s e në vijim do të jenë të ndryshme nga ato të llogaritura në vitet e mëparshme, për shkak të ndryshimit të pagës mbi të cilën kryhen llogaritjet.
“Më parë një nënë që lindte fëmijën në vitin 2014, llogaritja e të ardhurave për barrëlindje bëhej me pagat e vitit 2013. Pavarësisht nëse të lindte e drejta në janar, shkurt apo dhjetor, për bazë llogaritjeje merrej paga e një viti më parë. Ndërsa tani, është bërë një ndryshim, që nuk do të merren pagat e vitit të mëparshëm kalendarik, por të vitit të fundit nga momenti që i lind e drejta.
Ka një ndryshim sepse është bërë jo paga bruto, por neto, e cila do të jetë si bazë për llogaritjet e të ardhurës për barrëlindje”, deklaron drejtoresha e Përfitimeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Solida Dibra. Në ligjin e ri të sigurimeve specifikohet se e ardhura për barrëlindje i paguhet gruas që ka:
12 muaj periudhë sigurimi, për çdo rast përfitimi
Përjashtohen nga rregulli për periudhën e sigurimit rastet në të cilat e drejta e pagesës për barrëlindjen e radhës ndodh brenda 24 muajve nga data e lindjes së fëmijës së mëparshëm. Lidhur me kohëzgjatjen e përfitimit, ligji detajon se: “ Periudha e përfitimit do të jetë 365 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 35 ditësh para dhe 63 ditësh pas lindjes së fëmijës. Për gruan që do të ketë në barrë më shumë se një fëmijë, periudha e përfitimit do të jetë 390 dite kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 60 ditësh para dhe 63 ditë pas lindjes së fëmijëve”.
Drejtoresha e Përfitimeve në ISSH, Solida Dibra, thotë se një tjetër risi e skemës, që tashmë ka nisur të aplikohet ka të bëjë edhe me zgjatjen e periudhës së lehonisë. Ndërkohë që të drejtën për leje pas lindjes do mund ta gëzojnë edhe burrat, pas 63 ditëve, po ashtu edhe nënat birësuese. “E drejta për të përfituar barrëlindjen, ose të ardhurat, është një e drejtë që i takon jo vetëm nënës, po dhe babait.
Nëna duhet të jetë e siguruar minimalisht një vit për të përfituar lejen e lindjes, duhet të jetë e siguruar në momentin që i lind e drejta për të përfituar që është 35 ditë para lindjes së fëmijës dhe një ndryshim ligjor është rritja e afatit nga 42 ditë në 63 ditë pas lindjes së fëmijës, që është periudha e lehonisë”, thekson Dibra.
Sipas përcaktimeve të bëra lidhur me masën mujore të pagesës së lejes së lindjes, në ligj specifikohet se masa e pagesës për periudhën e paralindjes dhe 150 ditë pas lindjes për gruan e punësuar, do të jetë sa 80 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar. Ndërsa për periudhën tjetër në vazhdim, deri në plotësimit të 12 muajve pagesa do të jetë sa 50 për qind e mesatares ditore të përfitimit.
Përfitojnë:
E ardhura për barrëlindje i paguhet gruas së siguruar për barrën dhe lindjen e fëmijës, kur ajo ka 12 muaj periudhë sigurimi për çdo rast përfitimi. Përjashtohet nga rregulli për periudhën e sigurimit rasti, kur e drejta e pagesës për barrëlindjen e radhës ndodh brenda 24 muajve nga data e lindjes së fëmijës së mëparshëm.
Kohëzgjatja e pagesës
Periudha e përfitimit do të jetë 365 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 35 ditësh para dhe 63 ditësh pas lindjes së fëmijës. Për gruan që do të ketë në barrë më shumë se një fëmijë, periudha e përfitimit do të jetë 390 dite kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 60 ditësh para dhe 63 ditë pas lindjes së fëmijëve.
Masa e lejes së lindjes
E ardhura për barrëlindje për gruan e siguruar do të jetë sa 80 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të 12 muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës për pagesë për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindje. Në raste të tjera do të jetë 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të 12 muajve të fundit, nga data e lindjes së të drejtës për pagesë për periudhën tjetër në vazhdim.
Për gratë e vetëpunësuar
E ardhura për barrëlindje për gratë e siguruara si të vetëpunësuara në bujqësi llogaritet sipas përcaktimeve të mësipwrme. Për periudhën deri në barazimin e kontributeve që paguajnë të vetëpunësuarit në bujqësi, me të vetëpunësuarit në aktivitete jobujqësore, e ardhura për barrëlindje caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Përfitojnë edhe nënat birësuese
Nëna që birëson fëmijën e moshës deri në 1 vjeç dhe që ka qenë e siguruar për një periudhë jo më të pakët se sa 12 muaj, ka të drejtë për leje pas lindjes, e cila fillon ditën e birësimit, por jo më parë se mbas ditës së 63-të të lindjes së fëmijës, dhe vazhdon jo më shume se 330 ditë nga dita e lindjes së fëmijës. Minimumi i lejes për birësuese është 28 ditë. Kur një fëmijë është birësuar gjatë lejes së lindjes, nëna që ka lindur do të ketë një periudhë përfitimi deri në ditën e birësimit, por jo më pak se 63 ditë pas lindjes.
Leja pas lindjes për baballarët
Pas periudhës prej 63 ditësh pas lindjes, të drejtën e lejes për kujdes ndaj fëmijës e ka edhe babai, ose birësuesi i siguruar, nëse këtë të drejtë nuk e ushtron apo nuk ka kushte për të përfituar nëna./ Dita