Lirohen mjekët dhe personeli i spitalit në Shkodër

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka lënë të lirë të gjithë mjekët e personelin e spitalit të arrestuar  pak ditë më parë, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Katër nga të ndaluarit u liruan me garanci pasurore, ndërsa tre të tjerë u lanë të lirë apo me masë “detyrim paraqitjeje”. Gjatë seancës mjekë dhe të afërm të të arrestuarve protestuan para gjykatës.

Mjekët dhe drejtues të Spitalit të Shkodrës të arrestuar dy ditë më parë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës me një dëm rreth 34 milion lekë, u liruan nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër.

Ish-drejtori Përparim Çela është liruar me garanci pasurore prej 500 mijë lekësh, po ashtu me garanci pasurore prej 300 mijë lekësh u la e lirë farmacistja Karmen Kaçulini, ndërsa Amanda Matlija dhe Juliana Zhuri u lanë të lira me garancinë pasurore prej 200 mijë lekësh. Për infermierin Renato Kepi është lënë masa “detyrim paraqitje”. Për mjekun Luan Dragusha dhe infermieren Albana Mehmetaj u revokua masa e sigurisë dhe u lanë të lirë.

Në sallën e gjyqit prokuroria e përfaqësuar nga Blerta Hamza ka kërkuar masë shtërnguese ndaj këtyre 7 shtetasve por pala mbrojtëse ka kundërshtuar duke thënë se mjekët dhe infermierët nuk kanë asnjë lidhje me atë çfarë akuzoheshin. Avokati i mjekut Dragusha i tha BIRN se prokuroria nuk kishte asnjë provë për akuzën e ngritur. “Si mbrojtje kam kërkuar së paku një prove që të vërtretonte përfshirjen e mjekut Dragusha në blerjen e stendave për ndërhyrjet në zemër. Prokuroria nuk kishte asnjë provë”, tha avokati Bujar Hoti./ Reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*