Shërbimi shëndetësor në Kamëz është larg standarteve më minimale. Mungesa e investimeve në infrastrukturë, burime njerëzore e materiale mjekësore ka bërë që një numër shumë i lartë qytetarësh të mos marrin asnjëherë shërbimin e kërkuar në kohë dhe me cilësi. Pavarësisht numrit shumë të lartë të popullsisë që mbulon, duket se shërbimi shëndetësor në Kamëz nuk është parë asnjëherë si prioritet. Kjo mungesë vëmendje ka sjellë jo në pak raste ankesa nga Poliklinikat e kryeqytetit dhe nga QSUT-ja, të cilët etiketojnë banorët e Kamzës, si më problemtikët dhe abuzues me sistemin e referimit.
“Edhe për një serum banorët e Kamzës vijnë në QSUT”. Në fakt mund të duket e habitshme, por në shumë raste ky serum edhe nuk gjendet në spital. Pacientët duhet ta blejnë privatisht në farmaci. Mungesa të tilla detyrimisht sjellin konflikte midis mjekëve dhe pacientëve, çka ka krijuar një atmosferë mungese besimi totale. Të lodhur nga i njëjti refren banorët dynden në QSUT, aty ku të paktën një serum edhe gjendet.
Krahas mungesës së theksuar në materiale mjekësore edhe ato më baziket Kamzës i mungojnë edhe shumë mjekë specialistë. Nuk janë të paktë mjekët të cilët edhe pse kanë dalë në pension vazhdojnë të ofrojnë shërbim shëndetësor, me qëllim mos lënien zbuluar të shërbimit.

840 milionë lekë për rikonstruksionin e Qendrës Shëndetësore në Kamëz
Qytetarëve të Kamzës, iu premtua që në maj të këtij viti realiteti i shërbimit shëndetësor do të merrte një tjetër fytyrë.
Ministria e Shëndetësisë përmes një deklarate për shtyp, në dhjetor të 2016-s, deklaroi se janë vënë në dispozicion rreth 640 milionë lekë për rikonstruksionin e godinës ndërsa 200 milionë lekë të tjera do të shkojnë për pajisjet mjekësore dhe mobilimin, në mënyrë që 77 mjekë dhe infermierë të kësaj Qendre t’ju ofrojnë pacientëve një shërbim më të mirë të kujdesit shëndetësor.
Ministri i Shëndetësisë së asaj kohe Ilir Beqja u shpreh midis të tjerash se “në maj të vitit të ardhshëm qytetarët e Kamzës(pra në 2017-n) këtu të kenë një Qendër Shëndetësore dinjitoze për të plotësuar nevojat e kujdesit shëndetësor parësor që të mos shkojmë në mënyrë të panevojshme në spitalet e Tiranës”.
A u mbajt premtimi?
Jo në maj, por në ditët e para të qershorit të 2017-s u bë inagurimi i ambjenteve të qendrës shëndetësorë të Kamzës. *Edhe pse në statut ky institucion mban emrin Qendër Shëndetësore, për shkak të numrit të lartë të popullsisë që mbulon dhe specialiteteve që ka, qytetarët dhe vetë mjekët e konsiderojnë spital.
Ditën e inagurimit nuk pati një njoftim zyrtar për median. çka do të thotë askush nuk pati mundësinë të komentonte apo të pyeste rreth efikasitetit të atij investimi.
A ofrohet sot shërbim dinjitoz në Qendrën Shëndetësore të Kamzës?
Një investim kaq i madh dhe i sapo kryer sigurisht që ngjall shpresat e qytetarëve që diçka ka ndryshuar, sigurisht jo gjithçka. Ajo diçka përkthehet në krijimin e kushteve për ofrimin e shërbimit shëndetësor minimal: disa analiza, disa egzaminime imazherike dhe materiale mjekësore për mbulimin e urgjencës.
Ashtu siç edhe ishte parashikuar, i gjithë ai investim rezultoi thuajse nul. Pamja e Qendrës në brendësi vazhdon të jetë e njëjta. Shtretërit janë po ato që kanë qenë, të vjetër e të ndryshkur. (Pamjet vijnë nga qytetarët e Kamzës). Shumë analiza nuk kryhen për shkak të mungesës së kiteve. E shumë egzaminime vazhdojnë të mos bëhen për shkak të mungesës së aparaturave.

Natyrshëm lind pyetja: Ku shkuan 840 milionë lekë?! 840 milionë lekë kanë shkuar vetëm për fasadën e godinës së qendrës shëndetësore?!
Besojmë se shumë gazetarëve përfshirë edhe ne, na vijnë në mendje disa pyetje, midis të tjerash dhe më e rëndësishmja:
A është bërë një plan paraprak investimi para nisjes së punimeve në këtë Qendër Shëndetësore?
Duket se investime të tilla më shumë sesa për interesin e qytetarëve, shërbejnë si fasadë për të abuzuar. Emra të njohur e të panjohur vazhdojnë të vjedhin para në emër të përmirësimit të sistemit shëndetësor.
Banorët e Kamzës, me këtë vizion që kanë drejtuesit për të, do vazhdojnë të mbeten problematik në sytë e kryeqytetasve.
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve