Kopshti “Liri Çomo Pogradec”, atje ku 2-3 fëmijë flenë në një krevat

 

Nga monitorimet e bëra deri tani në kopshtet e Pogradecit, në kuadër të projektit rrjeti “Lëviz për kopshtin tim”, janë evidentuar problematika të shumta që lidhen me mosrespektimin e standardeve.

Kopshti me ushqim “Liri Como”, i cili ndodhet  në qendër te qytetit në rrugën “Rinia”,  frekuentohet cdo ditë nga 113 fëmijë të  cilët janë të ndarë në tri grupe dhe pesë klasa.

Gjatë fazës së monitorimint në këtë kopsht, u vu re mungesa e shtretërve nëpër grupe. Në një grup prej 23 apo 28 fëmijë gjenden vetëm 10 krevate spitalesh. Edukatoret treguan se mungesa e krevateve i detyron ato të vendosin dy apo tre fëmijë në një krevat, gjë e cila shpesh ka krijuar shqetësim te prindërit.

Drejtoresha e këtij institucioni,  znj. Klara Hyka ndau me përfaqësuesit e shoqatës Egnatia, që po kryejnë monitorimet në kopshtet e  Bashkisë së Pogradecit, rastin e një fëmije prindërit e të cilit janë detyruar ta çrregjistrojnë nga kopshti për shkak të shtretërve të papërshtatshëm për këto grupmosha.

“Duke qenë se fëmija kishte kaluar shumë kohë në spital për arsye shëndetësore, përballja me të njëjtën krevate në ambientet e kopshtit i shkaktoi shqetësim. Prandaj prindërit e tij u detyruan ta largojnë nga kopshti”, rrëfen drejtoresha.

Përveç problemit të shtretërve, në këtë kopsht mungon gjithashtu një lavanderi apo lavatriçe dhe prindërit detyrohen t’i marrin rrobat e fëmijëve (çarçafët apo mbulesat) për t’i larë në shtëpi.

Një shqetësim jo më pak madhor është ai i tualeteve të fëmijëve, që janë jashtë çdo standardi. Në këto ambiente gjen kudo  mure me lagështirë dhe tualete aspak të përshtatshme për këtë grupmoshë. Lavamanet e këtyre klasave janë alumini me kënde të mprehta të cilat shpesh krijojnë aksidente të vogla për  fëmijët.

Sipas drejtueses së kopshtit, ndërtesa dykatëshe është rikonstruktuar në vitin 1997 dhe ka nevojë emergjente për një rikonstruksion total.

Projekti  ka për qëllim të mobilizojë prindërit, opinionin publik mbi trasparencën dhe buxhetimin e kopshteve si dhe të transferojë modelin pozitiv të Tiranës në 3 qytete të tjera ( Pogradec, Sarandë dhe Delvinë).

Ky shkrim u realizua në kuadër të projektit rrjeti “Lëviz për kopshtin tim”, me mbështetjen e Lëviz Albania dhe me financimin nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SD.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*