KLSH “nxin” shëndetësinë: Mungojnë shërbimet, pacientët kanë perceptim negativ!

Shëndetësia, një nga shërbimet më jetikë, është në kolaps. Konkluzioni ka ardhur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni që ka audituar Ministrinë e Shëndetësisë dhe disa spitale rajonale. Megjithëse qeveria ka akorduar plot 311 milionë euro me koncesione, ose të ashtuquajtur Partneriteti Publik Privat, sistemi nuk është efikas.

Tpz.al ka siguruar këtë raport të KLSH-së, ku thuhet se perceptimi i qytetarëve shqiptar është e ulët, përsa i përket cilësisë së shërbimeve shëndetësore. “Procedurat e zgjatura dhe me shumë hallka në sistemin e referimit për pacientët, pakënaqësia e pacientëve për cilësinë e dobët të shërbimeve shëndetësore, financimi i ulët i sistemit shëndetësor, rritja e kostove të shërbimeve në mungesë të protokolleve të miratuara, etj., përbëjnë problemet kryesore dhe tregojnë performancën e ulët të sistemit shëndetësor” – thuhet në raport.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, mungesa e protokolleve klinike të përshtatshme sipas praktikave më të mira reflektohet në mënyrë të drejtpërdrejtë në cilësinë e ulët të kujdesit shëndetësor parësor dhe rritjen e kostove financiare të këtyre shërbimeve. Gjithashtu dhe mungesa e akreditimit të spitaleve publike dhe jopublike, ka ndikuar në mungesën e sigurimit të cilësisë së kujdesit shëndetësor, sipas standardeve të kërkuara.

“Protokollet klinike dhe procedurat standarde të punës nuk janë miratuar akoma zyrtarisht në spitalet rajonale dhe universitare, duke ndikuar ndjeshëm në keqpërdorimin dhe abuzimin me furnizimin dhe përdorimin me barna dhe materiale mjekësore. Karta e shëndetit është një hap i rëndësishëm për të patur një informacion më të plotë shëndetësor të digjitalizuar, por është ende larg shtrirjes së plotë në kuadrin e programit për shëndetësisë elektronike (e-health)” – thuhet në raport.

KLSH vëren se karta e Shëndetit ngelet përsëri një dokument jo shumë efikas për marrjen e shërbimeve shëndetësore, pasi mungesa e shtrirjes të implementimit të sistemeve të reja të iniciuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si: kartela mjekësore elektronike, nënshkrimi elektronik, e-ekzaminime, apo sistemet informatike për uljen e barrës administrative për dhënësit e shërbimit shëndetësor, kanë ndikuar në uljen e eficiencës në marrjen e shërbimit të kujdesit shëndetësor.

Raporti vijon më tej duke thënë se sistemi aktual i vlerësimit të kostove për shërbimet spitalore është një vlerësim që mbart shpenzime të tepërta dhe nuk reflekton kostot e vërteta, duke orientuar kërkesat e institucioneve shëndetësore spitalore drejt vlerësimit të shpenzimeve dhe jo sipas kostove të tyre.

“Mungesa e specialiteteve pranë shërbimeve në spitalet rajonale dhe bashkiake, si dhe mungesa e performancës së shërbimit parësor ka krijuar rritjen e kostove dhe përqendrimin e pacienteve në qendrën më të madhe universitare QSUT. Implementimi i paketave shëndetësore përbën një nismë të mirë për miratimin e protokolleve për këto paketa, por mënyra e vlerësimit financiar të tyre bie ndesh me ligjin e prokurimeve publike, duke rritur kostot e këtyre shërbimeve shëndetësore” – thotë KLSH.

Në pesë vjet qeverisje, kryeministri Rama dhe i besuari i tij, Ministri Ilir Beqaj, dështuan në mbajtjen e premtimit për shëndetësi falas. Gjatë mandatit të parë, u dhanë me koncesion “kontrollin shëndetësor falas –Check up”, “hemodializën” dhe “sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale”, koncesione që kapin vlerën e 311 milionë dollarëve.

Prokuroria nisi hetimet pasi regjistroi procedim penal për tre tenderat e mësipërm, për korrupsion dhe shkelje të barazisë në tendera dhe deri më tani mësohet se hetimet vazhdojnë. Në strategjinë e Shëndetësisë 2017-2020 thuhet se Partneriteti Publik Privat do të shtrihet drejt programeve dhe shërbimeve madhore shëndetësore, si instrumenteve kirurgjikalë; dializa; paketa e trajtimit të SJT; shërbimeve laboratorike; mbetjeve spitalore, monitorimit oline të barnave dhe të dhënave shëndetësore./TPZ.AL

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Download Premium Magento Themes Free | download premium wordpress themes free | giay nam dep | giay luoi nam | giay nam cong so | giay cao got nu | giay the thao nu