Kërkuesit po studiojnë Covidin e gjatë. Rezultatet janë alarmante

Në vitet 1890, bota u godit nga një prej pandemive më të mëdha në histori, e njohur në atë kohë si “gripi rus”. Ajo rezultoi në 1 milion të vdekur. Tani mendohet se gripi rus, në fakt, është emërtuar gabimisht, shkruan The Economist.

Ai ndoshta nuk ishte grip, por një koronavirus paraardhës i një virusi që tani shkakton simptoma që zakonisht përshkruhen nga të sëmurët si “ftohje”. Megjithatë, kur sapo u shfaq, pak njerëz kishin imunitet ndaj sëmundjes, kështu që ajo shpesh ishte vdekjeprurëse. Dhe jo vetëm kaq. Pasi kaloi, pandemia la pas një valë çrregullimesh nervore.

Një valë e ngjashme ndodhi me pandeminë tjetër të madhe, “gripin spanjoll” të vitit 1918 (sëmundje e cila, megjithëse nuk kishte lidhje me Spanjën, ishte me të vërtetë një formë gripi). Një simptomë tipike e saj ishte letargjia, aq e rëndë saqë në Tanganyika (Tanzania e sotme) një nga pasojat që solli sëmundja ishte zija e bukës, sepse shumë njerëz ishin tepër të dobësuar fizikisht dhe nuk mund të vilnin të korrat.

Diçka e ngjashme po ndodh edhe tani, me pandeminë Covid-19. Vala e “Covidit të gjatë” po shfaqet në vendet ku rastet akute kanë rënë. Formalisht, gjendja quhet “sindroma post-Covid” (SPC). Por edhe përkufizimi zyrtar i simptomave të kësaj gjendjeje nuk është shumë i saktë, sepse ende po njihen më shumë detaje. Për shembull, Instituti Kombëtar i Britanisë për Kujdesin Shëndetësor, e përcakton sindromën post-Covid si “shenja dhe simptoma që zhvillohen gjatë ose pas një infeksioni Covid-19, vazhdojnë për më shumë se 12 javë dhe nuk shpjegohen nga një diagnozë alternative”. Megjithatë, instituti nuk përcakton një listë të simptomave të tilla.

Ato në fakt janë të shumta. Një sondazh i pothuajse 3,800 njerëzve në të gjithë botën raportoi 205 lloje simptomash. Një i sëmurë zakonisht ka disa në të njëjtën kohë. Tre më të zakonshmet janë: vështirësi në frymëmarrje, lodhje dhe “mjegull truri”.

Zyra e Britanisë për Statistikat Kombëtare (ONS) vlerëson se 14% e njerëzve që kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, kanë simptoma që zgjasin për më shumë se tre muaj (shih grafikun 1). Në më shumë se 90% të këtyre rasteve, simptomat fillestare nuk ishin aq të rënda sa të kërkohej shtrim në spital. Sipas ONS, katër javë pas 6 shkurtit, gati gjysmë milion njerëz në Britani raportuan se kishin pasur Covid të gjatë për më shumë se gjashtë muaj – dhe kjo nuk përfshin të infektuarit deri në fund të vitit 2020 gjatë valës së dytë në vend.

Në kohën kur ONS mblodhi këto të dhëna, të paktën 1.1% e popullsisë së Britanisë, përfshirë 1.5% të të rriturve në moshë pune, raportuan se simptomat vazhdonin për tre muaj ose më gjatë. Po ta shumëzojmë këtë shifër me qindra miliona të infektuar në të gjithë botën nga sars-cov-2, virusi që shkakton Covid-19, mund të jemi në prag të një katastrofe të shëndetit publik. Në planin afatshkurtër, ishte e drejtë që përpjekja të përqendrohej në trajtimin e sëmundjes akute. Por tani, duhet të merren parasysh edhe pasojat kronike të Covid-19.

Ende nuk ka ardhur fundi

Jo të gjitha simptomat që njerëzit mendojnë se janë pasojë e Covid-19, shkaktohen me të vërtetë nga sars-cov-2. Edhe para se të përhapej virusi, shumë të rinj të shëndetshëm zhvillonin simptoma të ngjashme dobësuese për arsye të pashpjegueshme mjekësore. Shembulli klasik i një sëmundjeje të tillë misterioze është sindroma e lodhjes kronike (CFS), e cila shpesh shkaktohet nga një infeksion viral ose bakterial. Migrena kronike dhe simptoma të tjera, të cilat janë të zakonshme për Covidin e gjatë, kanë prekur shumë njerëz edhe para se të shfaqej pandemia.

Megjithatë, të dhënat tregojnë se efektet e Covidit të gjatë kanë mbizotëruar këto simptoma. Studiuesit në Britani krahasuan kohëzgjatjen e një duzine simptomash të zakonshme për Covidin e gjatë në gati 22,000 njerëz që kishin rezultuar pozitivë për sars-cov-2, me shkallën e simptomave në një grup të ngjashëm personash të cilët nuk kishin Covid-19. Njerëzit e të dy grupeve u përmirësuan me kalimin e kohës (shih grafikun 2). Por pas 12 javësh, shkalla e simptomave në grupin e infektuar me Covid-19, ishte tetë herë më e lartë se në grupin e painfektuar.

Kush po vuan

Fakti se kush duhet të diagnostikohet me sindromën post-Covid është ende i paqartë. Shumë nga personat me simptoma të Covidit të gjatë nuk kanë testuar pozitivë as për sars-cov-2 dhe as për antitrupat kundër tij – ndoshta sepse testet nuk ishin në dispozicion kur këta persona ishin të sëmurë ose testet nuk ishin aq të sakta sa të dallonin antitrupat para se ato të zhdukeshin (një problem i zakonshëm me testet e para të antitrupave).

Studimet që krahasojnë individët simptomatikë me dhe pa një test pozitiv viral ose test pozitiv për antitrupa, zakonisht zbulojnë të njëjtat simptoma në të dy grupet. Megjithatë, shumë mjekë po i shpërfillin individët për të cilët nuk ka prova laboratorike se kanë qenë të infektuar në të kaluarën.

Njerëzit që paraqiten në klinikat e posaçme për të trajtuar Covidin e gjatë në Amerikë dhe Europë, janë zakonisht persona të moshës së mesme dhe kryesisht gra. Pakicat etnike janë të nënpërfaqësuara, edhe pse vuajnë nga nivelet më të larta të infeksioneve akute. Shumë mjekë dyshojnë se kjo ndodh për shkak se personat e bardhë në këto pjesë të botës shpesh kanë një pozitë më të mirë financiare se të tjerët dhe kështu kanë mundësinë për t’u kujdesur për veten.

Një studim nga King’s College London zbuloi se mosha mesatare e personave me Covid të gjatë ishte 45 vjeç, duke konfirmuar të dhënat e frekuentimit të klinikës. Por ndryshe nga të dhënat klinike, studimi tregoi se gratë kishin vetëm paksa më shumë gjasa se burrat për t’u prekur nga Covidi i gjatë, megjithëse është e paqartë nëse llojet e simptomave të përjetuara nga gratë mund të jenë më të rënda.

Në përgjithësi, ekzistojnë tre lloje pacientësh me Covid të gjatë, thotë Avindra Nath nga Instituti Kombëtar Shëndetësor në Amerikë. Grupi i parë karakterizohet nga “intoleranca në ushtrime fizike”, që do të thotë se këtyre personave u merret fryma dhe ndihen të lodhur edhe nga detyrat më të vogla që përfshijnë aktivitet fizik. Personat e grupit të dytë ankohen nga mjegulla e trurit dhe probleme me kujtesën. Ndërsa personat e grupit të tretë kanë probleme me sistemin nervor autonom, një grup nervash që kontrollojnë veprimtari si rrahjet e zemrës, frymëmarrjen dhe tretjen. Pacientët e këtij grupi vuajnë nga simptoma si rrahjet e shpeshta të zemrës dhe marrje mendsh.

 

3 simptomat e Covidit të gjatë

  1. “Intoleranca në ushtrime fizike”, që do të thotë se këtyre personave u merret fryma dhe ndihen të lodhur edhe nga detyrat më të vogla që përfshijnë aktivitet fizik.

  2. Mjegulla e trurit dhe probleme me kujtesën.

  3. Probleme me sistemin nervor autonom, si rrahjet e shpeshta të zemrës dhe marrje mendsh.

 

Dëmtimet e sistemit nervor autonom njihen me emrin “disautonomi”, një term gjithëpërfshirës për një sërë sindromash. Igor Koralnik nga Northwestern Memorial Hospital, në Çikago, i cili ka trajtuar pacientë me Covid të gjatë me simptoma neurologjike, thotë se ka vënë re një rritje të dukshme të disautonomisë që nga fillimi i pandemisë. David Putrino, drejtori i inovacionit rehabilitues në Spitalin Mount Sinai, në Nju Jork, thotë se afërsisht 80% e njerëzve që paraqiten në klinikën e tij, kanë simptoma që janë “të ngjashme me disautonominë”, pavarësisht nga shkaku i tyre. “Dhe deri tani këto simptoma janë më dobësuese, kështu që nëse i rehabilitojmë personat, mund të kemi një ndikim më të madh në jetën e tyre”.

Bazuar në këto modele të simptomave dhe testeve të ndryshme laboratorike të pacientëve me Covid të gjatë, mjekët po përqendrohen në tre shpjegime të mundshme biologjike. Një shpjegim është se Covidi i gjatë është një infeksion i vazhdueshëm viral. Sipas shpjegimit të dytë, ai është një çrregullim autoimun. Dhe sipas të tretit, ai është pasojë e dëmtimit të indeve të shkaktuara nga inflamacioni gjatë infeksionit fillestar akut.

Sipas hipotezës së parë, në disa pacientë, virusi nuk zhduket kurrë plotësisht. Këta persona nuk janë infektues, thotë doktor Nath, kështu që mund të kenë një formë të ndryshuar të patogjenit, që nuk shumohet, dhe si rrjedhojë nuk mund të zbulohet nga testi standard për sars-cov-2, por që gjithsesi prodhon njëfarë sasie produkti viral që antitrupat përpiqen ta luftojnë. Diçka e tillë ndodh edhe me viruse të tjerë, si fruthi, ethet dhe Ebola. Viruset që përmbajnë ARN, midis të cilëve sars-cov-2, janë veçanërisht të prirë ndaj kësaj dukurie, thotë doktor Nath.

Për këtë hipotezë mungojnë prova konkrete, por ka të dhëna të ndryshme. Studiuesit po kërkojnë sars-cov-2 ose produktet e tij, në të gjitha llojet e lëngjeve dhe indeve te njerëzit që kanë kaluar infeksionin paraprak. Ka tashmë prova që virusi mund të vazhdojë të mbetet në trup, megjithëse këto të dhëna janë kryesisht nga persona që nuk kanë përjetuar një Covid të gjatë. Një studim i publikuar së fundmi në Nature tregoi se disa njerëz kishin gjurmë të proteinave sars-cov-2 në zorrë, edhe katër muaj pasi ishin shëruar nga Covid-19 akut. Produktet virale nga sars-cov-2 janë gjetur edhe në urinën e njerëzve disa muaj pas shërimit. Doktor Putrino thotë se materiali viral është zbuluar në mostrat e jashtëqitjes në disa pacientë në klinikën e tij, por jo te të gjithë.

Hipoteza e dytë për Covidin e gjatë, sipas së cilës virusi është një sëmundje autoimune, thotë se virusi zhduket nga trupi pas njëfarë kohe, por edhe pasi zhduket, ai lë pas pasoja në sistemin imunitar duke shkaktuar çrregullime dhe duke bërë që ky i fundit të sulmojë gabimisht vetë indet e trupit. Prova në rritje po e mbështesin këtë ide.

 

Reagime të këqija

Sistemi imunitar është një makineri komplekse, me shumë përbërës qelizorë dhe molekularë, ku secili prej tyre mund të dëmtohet dhe të shkaktojë simptoma. Disa nga personat që vuajnë nga Covidi i gjatë kanë anomali në sjelljen e makrofagëve, qelizat përgjegjëse për dallimin dhe eliminimin e baktereve dhe viruseve. Persona të tjerë kanë anomali në qelizat B – qeliza të bardha të gjakut që prodhojnë antitrupa të posaçme për të vrarë patogjenë specifikë.

Në këto raste, qelizat B të këtyre personave, duket se prodhojnë një sasi dhe larmi të pazakontë të “auto-antitrupave”, të cilët sulmojnë qelizat e trupit në vend të patogjenëve. Persona të tjerë kanë nivele të ulëta të interferoneve, një grup molekulash që ndihmojnë në luftimin e infeksioneve virale. Dhe disa të tjerë kanë probleme me qelizat T, të cilat janë pjesë e sistemit imunitar dhe shkatërrojnë qelizat e infektuara, si dhe sinjalizojnë qelizat B për praninë e patogjenëve, në mënyrë që të prodhohen antitrupat e duhur.

Studime të ndryshme kanë zbuluar një numër të ulët të qelizave T tek njerëzit që kanë pasur Covid-19 akut, dhe qelizat T që kanë mbijetuar janë “të rraskapitura”, që do të thotë se ato krijojnë një përgjigje të dobët ndaj infeksioneve. Studimet laboratorike nga ekipi i doktor Koralnik, kanë zbuluar se tek pacientët me Covid të gjatë që ankohen nga “mjegulla e trurit”, qelizat T kanë përgjigje të ndryshme në krahasim me qelizat T të njerëzve që dikur ishin infektuar me Covid-19, por tani janë asimptomatikë.

Kjo tregon se disa individë nuk mund ta luftojnë dot virusin plotësisht, ose se pjesë të sistemit të tyre imunitar veprojnë në mënyra që mund të jenë të dëmshme për vetë trupin. Disa mjekë mendojnë se njerëzit që janë më të rrezikuar nga një sëmundje autoimune, e kanë këtë rrezik edhe më të theksuar nga stresi dhe lodhja që shkakton Covid-19 në trupin e tyre. Çrregullime të tilla diagnostikohen zakonisht te personat e moshës së mesme, dhe janë më të zakonshme te gratë se te burrat, megjithëse me një diferencë shumë të vogël, ashtu si Covidi i gjatë.

Hipoteza e tretë, sipas së cilës shkaku i Covidit të gjatë është inflamacioni, thotë se trupi i njeriut, pasi ka luftuar me egërsi kundër sëmundjes akute, pëson dëme të pariparueshme kolaterale. Kjo ndodh shpesh gjatë një infeksioni viral, por mund të jetë veçanërisht e mundshme me Covid-19. Inflamacioni jashtë kontrollit, i shkaktuar nga citokinat (molekulat që nxisin inflamacionin) është një shenjë dalluese e sëmundjes.

Një hamendësim për shkakun e mjegullës së trurit, është se inflamacioni që ndodh kur njerëzit janë të sëmurë, dëmton disa pjesë të sistemit të tyre nervor autonom. Ndërsa doktor Koralnik mendon se në disa pacientë, sars-cov-2 mund të dëmtojë qelizat që veshin enët e gjakut, qoftë duke i infektuar ato drejtpërdrejt ose përmes inflamacionit. Kjo si pasojë ndryshon mënyrën e rrjedhjes së gjakut në tru, dhe shkakton mjegullën e trurit.

 

Në kërkim të shpjegimit

Po kryhen studime për të hetuar secilën nga këto mundësi. Por tre teoritë nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Në të vërtetë, shumica e studiuesve pajtohen se Covidi i gjatë është ndoshta një term i cili përfshin disa kushte me shkaqe të ndryshme.

Përcaktimi i këtyre shkaqeve do të ndihmojë në gjetjen e trajtimeve dhe ilaçeve. Nëse infeksioni i vazhdueshëm viral rezulton të jetë një shkak, kërkimi shkencor do të përqendrohet në gjetjen e ilaçeve antivirale. Trajtimi në këtë rast do të bazohej ose në marrjen e rregullt të ilaçeve, që e pastrojnë plotësisht trupin nga virusi (siç është tani e mundur për hepatitin C), ose në marrjen e ilaçeve të rregullta për të mbajtur larg virusin, një qasje që përdoret ndaj pacientëve me HIV/SIDA.

Tashmë ekzistojnë trajtime për çrregullimet imune, dhe disa mund të funksionojnë edhe për Covidin e gjatë. “Sapo të përcaktojmë anomalinë imune në këta pacientë, do të bëhet shumë e qartë se si duhet t’i trajtojmë ata”, thotë doktor Nath. “Është shumë e mundshme që mund të kemi nevojë për trajtime të shumëfishta për lloje të ndryshme të përgjigjes imunitare dhe duhet të jemi në gjendje t’i realizojmë edhe ato”.

Disa nga personat me Covid të gjatë janë ndier shumë më mirë pas vaksinimit. Por zakonisht lehtësimi është i përkohshëm. Mjekët e kanë parë këtë edhe në raste të tjera. Për shembull, njerëzit që vuajnë nga sindroma e lodhjes kronike, ndonjëherë ndihen përkohësisht më mirë pas një vaksine kundër gripit ose vaksinave të tjera. Arsyeja nuk dihet ende. Një mundësi është që sistemi imunitar i riaktivizuar, i lehtëson përkohësisht simptomat e tyre. Akiko Iwasaki, imunologe në Universitetin Yale, ka propozuar prova klinike të vaksinave Covid-19 për Covidin e gjatë. Ajo argumenton se duke parë se cila vaksinë funksionon, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, mund të zbulohet anomalia specifike e sistemit imunitar, duke treguar edhe se çfarë lloj ilaçesh mund të funksionojnë.

Për momentin, trajtimi i vetëm është rehabilitimi. Për të hartuar protokolle për Covidin e gjatë, ekipi i doktorit Putrino ka punuar me ekspertë të çrregullimeve me simptoma të ngjashme, duke përfshirë disautonominë, sindromën e lodhjes kronike dhe sëmundjen Lyme. “Ne jemi përpjekur të përqendrohemi tek simptomat”, thotë ai. “Përpiqemi të thellohemi në jetën e një personi për të kuptuar se çfarë po i shkakton simptomat më të mëdha që pengojnë më tepër jetën e përditshme”.

Ai përshkruan disa shembuj tipikë. Shumë pacientë që vijnë në klinikë kanë humbur mjaft peshë, sepse nëse hanë një vakt të plotë “simptomat e tyre përkeqësohen dhe nuk mund të hanë më asgjë për gjithë ditën”. Kjo është e zakonshme në çrregullime si disautonomia, ku tendosja e stomakut shkakton një reagim të sistemit nervor autonom. Këta pacientë këshillohen nga dietologët për të ngrënë vakte më të vogla dhe ushqyese dhe për të zbuluar se cilat ushqime janë më të lehta për t’u ngrënë.

 

Disa pacientë përjetojnë rënie të tensionit të gjakut kur lëvizin dhe ndihen të trullosur – një tjetër shenjë dalluese e disautonomisë. Edhe veprime të thjeshta si veshja e çorapeve të ngjeshura për të parandaluar grumbullimin e gjakut në këmbë, mund t’i ndihmojë shumë këta njerëz. Gjithashtu, ata duhet të shmangin daljet jashtë në mot të nxehtë dhe të lagësht. Personat me lodhje kronike janë mësuar që të dallojnë periudhat e ditës kur ndihen paksa më energjikë dhe të kryejnë detyrat më të rëndësishme të ditës gjatë kësaj kohe.

Ekipi i doktorit Putrino ka identifikuar një problem tjetër të zakonshëm. Ata testuan 25 pacientë me Covid të gjatë dhe zbuluan se të gjithë kishin nivele shumë të ulëta të dioksidit të karbonit. Kjo mund të duket e habitshme, duke pasur parasysh se CO2 është produkt mbetës i procesit të frymëmarrjes dhe është i dëmshëm nëse është i pranishëm në një përqendrim shumë të lartë. Por ai gjithashtu ndihmon në rregullimin e aciditetit dhe aciditeti i pasaktë mund të çrregullojë proceset metabolike. Nivele të ulëta të CO2 shpesh vihen re në çrregullime si disautonomia dhe sindroma e lodhjes kronike. Zgjidhja është kryerja e ushtrimeve të frymëmarrjes për të ndihmuar në mbajtjen e CO2. (Diku tjetër, këngëtarët e operës po u mësojnë pacientëve me Covid të gjatë teknika të dobishme të frymëmarrjes.)

Në klinikën e neurologjisë së doktorit Koralnik, po përdoret një qasje e ngjashme. Pacientët me Covid të gjatë fillimisht vlerësohen për të parë nëse problemi i tyre specifik ka të bëjë me kujtesën, vëmendjen, rrjedhshmërinë në gjetjen e fjalëve, “ose çfarëdo gjëje tjetër që mund të jetë ndryshe nga dikush tjetër që gjithashtu ka mjegull në tru”. Më pas, rehabilitimi përshtatet me nevojat e tyre.

Kjo është një punë vërtet e lodhshme. Pas rreth 150 ditësh rehabilitimi, ku përfshihen edhe dy seanca gjysmë orëshe çdo javë me një terapist, plus shqyrtimi në distancë i gjendjes shëndetësore, pacientët në klinikën e doktorit Putrino raportojnë  përmirësim 30-40% të niveleve të lodhjes. Një përmirësim i tillë nuk ndodh në pacientët që nuk i janë nënshtruar rehabilitimit, kështu që ekipi i tij ka besim se efekti është i vërtetë. Por nga rreth 100 pacientë rezultatet e të cilëve po monitorohen për qëllime kërkimore, vetëm tre thonë se janë shëruar plotësisht.

Kjo do të thotë se, edhe me kujdesin e duhur shëndetësor, shumë prej personave që vuajnë nga një Covid i gjatë, do të vazhdojnë të kenë vështirësi në jetën e përditshme. Një sondazh në Britani, zbuloi se sëmundja ka ndikuar në aftësinë për të punuar për 80% të personave që vuanin prej saj dhe rreth 40% thanë se ka ndikuar në aftësinë për t’u kujdesur për të tjerët (shih grafikun 3).

E gjithë kjo tregon se, edhe kur të trajtohet pandemia e Covid-19, do të mbetet një problem i madh. Sindromat post-virale të kësaj shkalle prekin jo vetëm ata që i përjetojnë ato drejtpërdrejt. Ato gjithashtu kanë pasoja të rënda për të gjithë të tjerët./ Monitor

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*