Jemi mësuar të shohim qytetarë që denoncojnë fenomene apo problematika, por jo personel mjekësor që del para kamerës dhe tregon kushtet e vështira të punës. Infermieri Frrok Bardhi e bëri këtë gati një vit më parë, kur tregoi për mediat kushtet mizerabël të urgjencës mjekësore të Tiranës, ku ka shërbyer për 15 vite. Pamjet e një autoambulancë të rrënuar pa asnjë lloj pajisje dhe një birucë pranë poliklinikës nr.9 për qëndrimin e mjekëve dhe infermierëve, thyen rrjetin. Qindra vetë e quajtën Frrokun “heroi im”.
Por çfarë ka ndodhur me të pas më shumë se një viti? Çfarë reagimesh ka patur pas denoncimit? Si po funksionon aktualisht urgjenca dhe a e kanë kërcënuar infermierin për largim nga puna për guximin që pati të flasë publikisht në media.
Në një intervistë për Gazeta Shendeti, infermieri Frrok Bardhi rrëfen jo vetëm që është kërcënuar për largim nga puna, por kanë arritur deri atje që të ndërhyjnë edhe në jetën private, duke përndjekur familjarët, madje edhe fëmijët në shkollë.
Një vit e gjysmë më parë, 6 muaj me radhë, keni bërë disa denoncime publike për sistemin shëndetësor dhe Urgjencat në Shqipëri, çfarë ka ndryshuar tek shërbimi që nga ajo kohë?
Faleminderit për interesimin, kam pasur shumë kërkesa për intervista gjithë këto kohë, por kisha menduar të mos flisja më, pasi një person i vetëm nuk mund ta zgjidhë këtë punë. Por, meqë sot kam një përvjetor të hidhur në punën time, për shkak të denoncimeve, po pranoj të flas dy fjalë.
Çfarë ka ndryshuar në shërbimin e Urgjencës që deri atëherë?
Shumë pak gjë, për mos të thënë asgjë fare. Janë po ato ambulanca, po ato pajisje mjekësore për dhënien e ndihmës së parë, thjesht kanë sjellë disa mjete higjienike dhe janë dhënë dy apo tre dhoma në shërbim të personelit për t’u çlodhur në kohën e lirë.
Nga mediat vizive dhe sociale i është bërë shumë promovim përmirësimit të Urgjencave, sa të vërteta janë këto?
Reklamat janë reklama, e vërteta është e vërtetë! Në Urgjencën e Tiranës që unë punoj, nuk ka vend për ato reklama, pasi realiteti zbulohet për 20 apo 30 minuta. Në Urgjencën e Tiranës nuk ka asnjë përmirësim, përveçse çfarë ju pohova dhe dyfishimit te personelit pa asnjë lloj studimi.
Çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj që nga muaji shkurt 2017 kur denoncuat për herë të parë kushtet e Urgjencës së Tiranës?
Po, është e vërtetë, në jetën time kanë ndryshuar shumë gjëra. E para,ndjej një respekt dhe mbështetje popullore e cila me motivon çdo ditë që të kundërshtoj edhe më shumë padrejtësitë në sistemin shëndetësor në vendin tonë.
E dyta, më kanë kontaktuar shumë njerëz të mediave dhe të organizatave shoqërore, të cilët kanë shfaqur një respekt dhe besim të jashtëzakonshëm tek unë. I falënderoj të gjithë.
E treta, shikoj kolegë të cilët më përgëzojnë për guximin, por nga ana tjetër kanë frikë të dalin hapur dhe të flasin për gjendjen e sistemit shëndetësor.
Si i keni marrëdhëniet me drejtuesit?
Unë në kohen që u shkatërrua Urgjenca isha caktuar si pjesë e Spitalit të Traumës, kam pasur dhe kam marrëdhënie korrekte, serioze dhe ligjore, dhe i falënderoj për seriozitetin dhe korrektësinë që kanë treguar ndaj meje, pasi nga disa drejtues, sidomos nga drejtuesi i Urgjencës Kombëtare, një drejtor i cili quhet Skender Brataj, kam pasur një përndjekje dhe hakmarrje te paimagjinueshme.
Skënder Brataj është drejtues i Qendrës Kombëtare të Urgjencës, i emëruar nga Ministria e Shëndetësisë së kohës, i cili në dy raste më ka kërcënuar në vendin e punës dhe në sy të disa personave të tjerë. Pikërisht me 19 qershor 2017 dhe 23 qershor 2017, kërcënimi ka qenë në sy të disa personave dhe publik, si dhe provokues, shantazhues, gjë për të cilat kam njoftuar organet e shtetit në fuqi.
Çfarë e lidh atë me ju dhe me punën tuaj?
Ligjërisht asgjë nuk e lidh me mua dhe punën time, pasi unë jam pjesë e Spitalit të Traumës, por ky është personi i cili ka dorë të drejtpërdrejtë në shpërbërjen e Urgjencës së Tiranës, denoncimet e mia mediatike këtij personi i kanë prishur interesa të mëdha, dhe si pasojë ky më është kundërvënë në mënyrat më hakmarrëse.
Çfarë mënyrash hakmarrëse konkretisht ka kryer dhe pse?
Ky person më ka kërcënuar më 19 qershore 2017 tek Urgjenca e Tiranës pas dhënies së një interviste për emisionin Të Paekzpozuarit në Tv News 24 të Ylli Rakipit, më ka përzënë nga puna në ndërtesën e QKUM më 23 Qershore 2017, dhe për këto kam fakte dhe prova të cilat i kam dërguar në organet e shtetit.
Ndjej përndjekje çdo ditë, në punë, tek marketi i lagjes, tek pikat e internetit të lagjes, tek puna në urgjencë, më kanë përndjekur familjen, fëmijët tek shkolla, të cilat i dinë mirë i gjithë personeli i Urgjencës dhe QKUM.
Ky person dhe varësit e tij kanë tentuar disa herë të ndërhyjnë në jetën time private, montojnë histori fallco, vetëm e vetëm të më trembin dhe frikësojnë, arrijnë deri aty sa ndjekin dhe përndjekin familjen time. Zotëria ankohej tek ish drejtori i Spitalit te Traumës, ankohej tek Presidenti i Urdhrit të Infermiereve të Shqipërisë që ata të më largonin nga puna, ndërhynë në Gjykatat Shqiptare, ndërhynë kudo ku mundën. Por, a mundet dot të trembin një njeri të drejtë, i cili nuk është ankuar për veten e tij, dhe për interesin e familjarëve të tij, por që është ankuar për sistemin e deformuar dhe për shëndetin e bashkëkombësve të tij./ Shendeti.com.al
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve