
Emanuel SMAKA/Pro Pacientit
Të paktën 3 nga drejtorët e rinj të spitaleve janë eksponentë të rëndësishëm të Partisë Socialiste në pushtet, ç’ka hedh dyshime mbi mënyrën e përzgjedhjes së tyre nga konkursi.
Eduart Bejko (Foto në qendër), drejtori i ri i spitalit të Beratit është ish-deputet i Partisë Socialiste në këtë qark. Ai njihet në Berat për kontribututin e dhënë në shërbim të së majtës.
I dyti në listë që së fundmi Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e rikonfirmoi si fitues të konkursit është Alban Ramohitaj (Foto në të djathtë). Një CV e shkurtër e Ramohitjat mund të kontrollohet shumë lehtë në faqen zyrtare të Partisë Socialiste. Ai është kryetar i Këshillit Bashkiak të Durrësit nga radhët e PS-së.
Vilson Masmalaj (Foto në të majtë), drejtori i ri i Spitalit Rajonal të Shkodrës ka qenë gjithashtu ish-kandidat për deputet i Partisë Socialiste në këtë qark. Masmalaj edhe pse nuk bën pjesë në fushën e mjekësisë, në konkurs sipas ministrisë arriti të linte pas Senad Hallunin dhe ish-drejtorin e spitalit Përparim Çelën. Drejtori i zgjedhur Masmalaj administron një kompleks blegtoral në Shkodër, ndërsa nga viti 2014-2016 ka punuar në Departamentin e Financës tek FSDKSH.
Ndërkohë, si drejtor i spitalit të Pneumologjisë “Shefqet Ndroqi” në Sauk është rikonfirmuar Perlat Kapisyzi. Ky i fundit është bashkëshorti i zv ministres aktuale të Shëndetësisë Mira Rakacolli.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është rikonfirmuar Enkelejd Joti. Joti u emerua drejtor i spitalit menjeherë pas shkarkimit nga drejtimi i TV Top Channel.
Spitali Rajonal i Dibrës do të drejtohet nga Spartak Koltraka, spitali i Fierit nga Nevila Shuke, spitali i Kukësit nga Ismet Nika, Leon Kaza do të drejtojë Spitalin e Lezhës, Arben Zenelaj spitalin universitar të Traumës dhe Eliona Demaliaj maternitetitn “Koço Gliozheni” dhe “Mbretëresha Geraldinë”.
Në lidhje me postet drejtuese të spitaleve rajonale në Gjirokastër, Korçë, Elbasan dhe Vlorë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njofton se ka rihapur konkursin për drejtuesit e rinj.
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve