
Pas situatës së krijuar në QSUT, ku mjekët e urgjencës së sëmundjeve të brendshme paralajmëruan dorëheqjen, ka folur për Pro Pacientit dhe gazetën Shëndet + mjeku Petrit Vargu. Edhe pse është njëri prej mjekëve që nënshkruan dorëheqjen paraprake nga vendi i punës, Vargu pohon se nuk e kanë thirrur të jetë i pranishëm në takimin e zhvilluar me zv. ministren Mira Rakacolli.
“Takimi me zv. ministren Rakacolli ishte selektiv. Pjesëmarrës nuk ishin ata që organizuan këtë protestë të mjekëve. Stafi që zhvilloi takimin u zgjodh nga drejtuesit. Unë nuk u ftova të jem pjesë e atij takimi. Po ashtu edhe një pjesë tjetër e atyre që kanë firmosur nuk ishin. Kjo është një mënyrë për të mbyllur këtë çështje. Natyrisht kjo do të shoqërohet edhe me masa tjera të përkohshme dhe kush del i humbur në këtë mes do të jenë pacientët”, thotë Vargu.
Mjeku i urgjencës deklaron gjithashtu se gjatë ditës së sotme ka patur dhjetëra pacientë që nuk kanë marrë shërbim për shkak të fluksit. Ndërkohë sipas tij, në dhomat për 2 persona qëndronin 4 apo 5 pacientë.
“Flitet që sot ka patur 70 kartela të pacientëve të pashtruar në urgjencë, që prisnin në radhë dhe kjo ishte e padurueshme për mjekët në një kohë që nga dhoma dyshe, të gjitha dhomat e urgjencës janë bërë dhoma katërshe apo me 5 veta. Por edhe zgjidhja që do të japë ministria do të jetë e përkohshme dhe afatshkurtër”, shton mjeku Vargu.
Ndërkohë, pas takimit të zhvilluar me zv. ministren, zyra e shtypit pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka shpërndarë edhe një reagim të shefit të urgjencës, Edmond Zaimit.

“Situata është e ngarkuar. Ka të sëmurë nga e gjithë Shqipëria dhe numri i kalon kapacitetet e shërbimit tonë. Në këto kushte i gjithë stafi i shërbimit të urgjencës ka nënshkruar një peticion për drejtorinë në mënyrë që të normalizohet gjendja. Problemi ka agravuar ditët e fundit, pasi kemi fluks të madh. Sa i përket dorëheqjes ne nuk kemi ikur në ’97. Vazhdojmë të jemi në punë, megjithëse ngarkesa është tejet e madhe”, tha Zaimi.
Paraditen e sotme mjekët e Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme Petrit Vargu, Eqrem Hasani, Elton Çalliku, Etionema Braçaj, Jonida Kito, Petrit Gjorgji, Besnik Koçia dhe Afrim Yzeiraj, nënshkruan një dorëheqje paraprake për shkak të mbingarkesës dhe kushteve të vështira të punës.
Pas takimit të zhvilluar me zv. ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është vendosur që do të vijojnë diskutimet me mjekët në lidhje me kërkesat e tyre për respektimin e të drejtave në vendin e punës.
Autor: Emanuel Smaka
Pro Pacientit
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve