
Autor: Emanuel Smaka / Pro Pacientit
Një premtim i Kryeministrit Rama për rimbursimin e fishave të diabetit tek fëmijët, bërë në mes të muajit nëntor të vitit të kaluar, ka rikthyer çështjen në qendër të vëmendjes me akuza dhe kundërakuza nga mazhoranca dhe opozita. Premtimi i kryeministrit u bë gjatë një vizite në familjen Bakiu, ku vajza 12 vjeçare e familjes vuan nga sëmundja e diabetit.
Ka qenë kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili në ditën e katërt të 2018-s tha se Edi Rama mashtroi me premtimin për rimbursimin e fishave për matjen e diabetit.
“Edi Rama i premtoi Damiana Bakiut, familjes së saj dhe, nëpërmjet saj, 1500 familjeve të tjera që jetojnë me dhimbjen e diabetit të fëmijëve të tyre, se fishat e matjes së diabetit do të rimbursohen që nga janari 2018.
Janari erdhi, por as Damiana, as 1500 femijët e tjerë nuk do të rimbursohen, sepse qeveria e Edi Ramës nuk ka miratuar akoma Listën e Barnave të Rimbursueshme për vitin 2017. 1500 fëmijët e sëmurë me diabet do të vazhdojnë të blejnë 100 mijë lekë çdo muaj fishat e diabetit, sepse klanet e tregut miliarder farmaceutik, klientë të Edi Ramës, nuk kanë rënë akoma dakord si do të ndajnë fitimet nga Lista” deklaroi Basha përmes rrjetit social Facebook.
Pa kaluar shumë orë, vetë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu rikonfirmoi se fishat për matjen e diabetit për fëmijët do të jenë falas brenda këtij muaji.
“Duke filluar nga Janari 2018, fishat për fëmijët diabetikë, për herë të parë rimbursohen falas. Me një VKM të posaçme qeveria shqiptare miratoi këtë vendim të rëndësishëm. Rreth 1500 fëmijë të moshës 0-18 vjeç, brenda muajit Janar, do të marrin FALAS fishat e diabetit:, u përgjigj ministrja.
Ndërkohë, Manastirliu tha se fondi për rimbursimin e këtyre fishave është 43.8 mln lekë, ndërsa shtoi se viti 2018, përveç fishave nis me 2 vendime të reja për radioterapinë dhe ndërhyrjet në sy.
“Me këtë vendim, Qeveria shqiptare merr përsipër rimbursimin e 2 milion e 190 mijë fishave në vit. Jo vetëm kaq, por do të garantohen edhe aparatet e glicemisë falas, si dhe gjilpërat falas, për fëmijët diabetikë. Fondi i vënë në dispozicion, nga Qeveria Shqiptare, për rimbursimin e fishave të diabetit, është 43.8 milion lekë. Rimbursimin e fishave të diabetit për fëmijët 0-18 vjeç, si dhe ofrimin falas të paketës së radioterapisë dhe paketës së kataraktës për ndërhyrjet në sy, si në spitalet publike ashtu edhe në ato jopublike, për të ofruar më shumë shërbime falas për qytetarët”, përfundoi ministrja.
Kostoja vjetore për çdo fëmijë që përdor të paktën 4 fisha në ditë për matjen e glicemisë, është mbi 700 mijë lekë në vit.
Futja e fishave për matjen e glicemisë në listën e rimbursimit është një premtim i hershëm. Përpjekjet për të rimbursuar këto materiale mjekësore nisën që në muajt e parë të 2016-s.
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve