Një fëmijë në parashkollor mund të marrë 6-12 ftohje në vit. Ndonjëherë, veçanërisht në dimër, mund të duket se fëmija juaj është i sëmurë për javë të tëra, dhe mezi kalon një ftohje përpara se të marrë një tjetër.
Fëmijët e vegjël ftohen shumë sepse nuk kanë pasur mundësi të krijojnë imunitet ndaj shumë viruseve që shkaktojnë ftohjen. Ndërsa fëmija juaj rritet, ai gradualisht do të krijojë imunitet dhe do të ketë më pak ftohje. Ftohjet quhen edhe infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.
Shkaqet e ftohjes
Shumica e ftohjeve shkaktohen nga viruset. Në fakt, ekzistojnë mbi 200 lloje virusesh që mund të shkaktojnë ftohje.
Viruset që shkaktojnë ftohjen përhapen nga teshtitja, kollitja dhe kontakti me duar.
Moti i ftohtë nuk shkakton ftohje, por ftohja është më e zakonshme në muajt e dimrit. Kjo për disa arsye:
- Njerëzit janë në kontakt më të ngushtë me njëri-tjetrin sepse qëndrojnë brenda.
- Viruset e të ftohtit qëndrojnë në ajër dhe në sipërfaqe më gjatë në mjedise të ftohta dhe të thata.
- Aftësia e trupit tuaj për të luftuar viruset e ftohjes zvogëlohet në temperatura më të ulëta.
Simptomat e ftohjes
Simptomat ndryshojnë nga fëmija në fëmijë dhe nga sëmundja në sëmundje. Ato mund të përfshijnë:
- hundë të bllokuara ose me rrjedhje
- teshtitje
- dhimbje të fytit dhe veshëve
- kollë
- dhimbje koke
- sy te kuq
- gjëndrat limfatike të fryra
- ethe të herëpashershme.
Shpesh, fëmija juaj do të humbasë oreksin dhe madje mund të ketë edhe të vjella.
Simptomat e ftohjes zakonisht zgjasin nga disa ditë në një javë ose më shumë. Fëmija zakonisht do të shërohet plotësisht pa asnjë problem, nëse nuk ka komplikime si infeksioni i veshit, laringiti, ose infeksione të traktit të poshtëm të frymëmarrjes si bronkioliti ose pneumonia.
Nuk ka asnjë trajtim që mund të bëjë që ftohjet të largohen më shpejt. Por paracetamoli ose ibuprofeni, lëngjet dhe uji fiziologjik mund të ndihmojnë me simptomat.
Nëse simptomat e fëmijës janë të rënda paraqituni menjëherë te mjeku juaj.
Është e vështirë të ndalosh përhapjen e ftohjes, por ju ndihmon larja e duarve dhe mbulimi i gojës kur kolliteni./Gazeta Shëndeti