Shumë çifte në Shqipëri janë bërë prindër falë trajtimit kompleks të fekondimit In Vitro. Por kostot e shtrenjta dhe mungesa e këtij trajtimi në sistemin shëndetësor publik i privon shumë të tjerë nga prindërimi.
Denisa Canameti në Tiranë
Elona* tregon me lot në sy se si përpjekjet e saj 10-vjeçare për t’u bërë nënë shkuan dëm. Gruaja – e cila foli për Propacientit në kushtet e anonimatit është e lënduar, e lodhur dhe e indinjuar nga përvoja e saj e gjatë me spitalet private.
“Kemi shitur të gjitha gjërat me vlerë për të patur një fëmijë dhe prapë pa arritje. Ka 10 vite që spitalet na rrjepin e s’na dhanë asnjë shpresë, pavarësisht se të fusin në procedurë,” tha ajo.
“Në një spital privat kam shpenzuar 10 mjë euro për dy tentativa dhe pa sukses. Nuk kanë as minimumin e sjelljes, nuk të pyesin as nëse lëndohesh apo të të japin kurajo,” shtoi ajo.
Elona dhe bashkëshorti i saj janë një nga shumë çiftet që po përballen me problemin e infertilitetit në Shqipëri dhe përgjatë një dekade, kanë sakrifikuar gjithçka për të sjellë në jetë një fëmijë.
Ata iu nënshtruan gjithashtu fekondimit In Vitro, por pa rezultat. Gruaja tregon se përveç dhimbjes shpirtërore dhe asaj fizike, u përball me kosto financiare të papërballueshme.
Fekondimi In Vitro është trajtimi më kompleks i infertilitetit, i cili realizohet prej viteve ’70 në Europë. Në Shqipëri, ky trajtim i kushtueshëm nuk ofrohet nga sistemi publik shëndetësor, por vetëm nga spitalet private.
Infertiliteti përllogaritet që prek 15% të popullsive, ndërsa në Shqipëri raportohet informalisht se kryhen 1 mijë cikle të fekondimit In Vitro. Megjithatë, shifrat zyrtare mungojnë dhe për këtë ndikon fakti se procedura nuk kryhet nga institucionet publike dhe shpeshherë të dhënat nuk deklarohen plotësisht.
Mungesa e këtij trajtimi nga spitalet publike penalizon çiftet që nuk kanë mundësi financiare.
“Të paktën të bëhej në shtet, që të kishim më pak shpenzim, të kishim vetëm dhimbjen e shpirtit, jo dhe peshën e buxhetit,” tha Elona.
Kostot e In Vitro
Diagnostikimi dhe trajtimi i infertilitetit është kompleks dhe i gjatë në kohë, i kushtueshëm dhe shpesh jo i suksesshëm. Fekondimi In Vitro ofrohet në dhjetra spitale dhe klinika private në Shqipëri, pasi është një procedurë që nuk kërkon një strukturë spitalore me shtretër.
Në një kërkim të thjeshtë në rrjete sociale, rezulton se çmimet për një cikël të freskët fertilizimi in Vitro variojnë nga 2500-3500 euro. Në këtë paketë, nuk përfshihen kostot e medikamenteve, ekot apo analizat që duhet të bëjnë pacientët.
Elona i tha Propacientit se një paketë IVF i kushtoi 2.799 euro ose 345.788 lekë.
Ndërsa kostoja e analizave dhe e medikamenteve për stimulim nuk është e llogaritur në këtë faturë, por ajo thekson se ishin në vlerën e mbi 1000 eurove – duke e çuar koston e një pakete In Vitro në gati 4 mijë euro.
Problematika tjetër e kësaj procedure është se shanset e suksesit bien drastikisht me kalimin e moshës. Çka do të thotë që procedura në shumë raste duhet të përsëritet më shumë se 1 herë.
“Suksesi i fekondimit në një çift normal shkon deri në 80%. Tek një femër që është tek të 40-tat, edhe nëse nuk ka asnjë problem tjetër, suksesi shkon 20% dhe jo më shumë se kaq”, thotë mjeku obstetër gjinekolog, Blerti Cami.
Vajza me iniciale S.B sapo ka sjellë në jetë një djalë përmes fekondimit In Vitro. Ajo tregon se nuk është drejtuar në spitalet shtetërore, pasi kishte marrë informacion më herët që aty nuk ofrohet si shërbim.
“Që nga momenti kur jemi shfaqur tek mjeku gjinekolog e deri në përfundim të procesit In Vitro them se ka kushtuar mesatarisht rreth 4500-5000 euro. Në këtë kosto përfshijmë procedurën, analizat dhe çdo medikament që kemi përdor të rekomanduar nga mjeku,” tha ajo për ProPacientin.
Me të njëjtin emocion e rrëfen eksperiencën e saj edhe pacientja me iniciale L.B., e cila mban në krah bebin e saj të ardhur në jetë vetëm 2 ditë më parë.
“I gjithë trajtimi ka kushtuar 5 milion lekë të vjetra. Por që unë tashmë nuk i mendoj ato para të hedhura për të mbetur shtatzanë,” tha ajo.
“Duke marrë parasysh të ardhurat tona është goxha shifër e lartë. Për mua fat i madh ishte që kam kryer vetëm një procedurë dhe pata sukses me të parën. Por ka raste kur proceduara e parë dështon dhe ty të duhet t’ja nisësh nga e para të gjithë gjënë, është një ngarkesë shumë e madhe psikologjike dhe monetare, sepse nëse e fillon nga e para ti duhet të paguash përsëri,” shtoi ajo.
Burimi: The Society for Assisted Reproductive Technology (SART)
Premtimet mbetën në letër
Sipas ligjit për Shëndetin Riprodhues në Shqipëri, çdo shtetas shqiptar ka të drejtë të përfitojë shërbime të përshtatshme të kujdesit shëndetësor për të pasur shtatzani dhe lindje të sigurta. Legjislacioni parashikon gjithashtu të drejtën për të përfituar nga progresi shkencor dhe teknologjitë e reja lidhur me riprodhimin e seksualitetin.
Në praktikë, kërkesa për shërbime që korrigjojnë infertilitetin mund të pengohet nga burimet e kufizuara për kujdes shëndetësor që ka vendi. Por më së shumti duket se pengohet nga mungesa e vullnetit.
Prej vitit 2012, qeveria shqiptare premtoi realizimin e shpejtë të fekondimit In Vitro në sistemin publik dhe përmes një projekti të nënshkruar me Bashkimin Europian, filloi nga puna. Asokohe u deklarua se nga ky projekt do të përfitonin falas metodën e riprodhimit të asistuar, të gjithë ata qytetarë që paguanin sigurime shëndetësore.
Një dekadë më vonë, ky trajtim nuk ofrohet ende në sistemin publik shëndetësor, ndonëse në maternitetin “Koço Gliozheni” ekziston prej vitesh një kabinet me aparaturat e nevojshme për realizimin e kësaj procedure.
Mjekët paralajmërojnë se rritja e moshës së riprodhimit do t’i ekspozojë shqiptarët gjithnjë e më shumë ndaj problemeve të infertilitetit.
“Në ditët e sotme, pothuajse në tërë vendet perëndimore dhe ato në zhvillim, përfshirë Shipërinë, ka një tendencë në rritje të moshës së femrës në shtatzaninë e saj të parë,” tha mjeku obstertër gjinekolog, Rustem Celami.
“Në fakt, që një popullatë të riprodhojë veten e saj raporti i fertilitetit duhet të jetë 2.1 shtatzani/lindje për çdo femër. Pra që një popullatë të rizëvendësoje veteveten në mënyrë progresive, të paktën duhet që të kemi 2 lindje për çdo femër, ndërkohë në Shqipëri, aktualisht, ky raport është 1.5 lindje për femër…,” shtoi mjeku.
Edhe të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se gjatë 9-mujorit 2021, lindjet në shkallë kombëtare ranë me 7.8% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, krahas çifteve që nuk mund të kenë fëmijë për shkak të kufizimeve financiare për ti rritur, apo për shkak të dëshirës për të patur një familje të vogël, janë edhe ato çifte që pavarësisht dëshirës, nuk mund t’i kenë për shkaqe shëndetësore.
Mungesa e trajtimit nga spitalet publike apo e një pakete të rimbursueshme pengon mjaft çifte me të ardhura të ulëta apo mesatare në Shqipëri që të përfitojnë avantazhet e fekondimit In Vitro për t’u bërë me fëmijë.
*Emri i vërtetë është ndryshuar për të ruajtur anonimatin.