E vërteta e rastit në shërbimin e onkohematologjisë

Denisa Canameti

Prej dy ditësh në rrjete sociale ka qarkulluar një denoncim, sipas të cilit një fëmijë i prekur nga tumori nuk po trajtohet nga personeli mjekësor. Fëmija ndodhet në ambientet e shërbimit të onkohematologjisë në QSUT.

Sipas denoncuesit, mjekët nuk i kanë ofruar ilaçet dhe prej dy ditësh nuk i ndërrojnë fashën një foshnjeje, vetëm pse prindërit nuk kanë mundësi financiare.

“Fëmija vetëm 16 muajsh, ka 5 ditë aty dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Mëse 10 muaj më parë, pasi u dignostikua me tumor, fëmija iu nënshtrua një operacioni për heqjen e syrit të majtë, kurim i ofruar falas nga një prej spitaleve private në vend” thuhet në denoncim.

Menjëherë pas këtij denoncimi drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka reaguar me një deklaratë, ku përgënjeshtron situatën:

“Drejtoria e QSUT “Nënë Tereza” sqaron lidhur me rastin e publikuar në një portal online ditën e sotme datë 20.07.2018, lidhur me fëmijën S.H shtruar në pavionin e Onkohematologjisë Pediatrike.

Pacientja me diagnozë “retinoblastome bilaterale”, pas operacionit në një spital privat është hospitalizuar në këtë shërbim dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve duke vazhduar ciklin e kemioterapisë sipas protokolleve mjekësore.

Drejtoria e QSUT-së sqaron se nuk ka asnjë mungesë të medikamenteve me të cilat mjekohet pacientja dhe në asnjë rast nuk ka munguar kujdesi shëndetësor ndaj saj.

Vëmendja e stafit mjekësor është e fokusuar vetëm tek përmirësimi i gjendjes shëndetësore të fëmijës. Deklarata të tilla të pavërteta nuk shërbejnë për tjetër gjë, përveçse denigrimin e figurës së bluzave të bardha dhe për të hedhur poshtë gjithë mundin dhe punën e tyre” përfundon deklarata e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Personeli shëndetësor i kontaktuar sot nga gazetarët e “Pro Pacientit” lidhur me situatën, janë shprehur se nuk ka asgjë të vërtetë.

“Ishte Ministrja për të parë situatën sot sepse normalisht, ai mesazh apo denoncim, nëse do të ishte i vërtetë, duhet të na kishin pushuar të gjithëve. Nuk është as njerëzore, përveçse jo profesionale, të thuash që kemi lënë pa mjekim një fëmijë sepse nuk ka lekë. Jemi të keqardhur! Për ne e rëndësishme është të bëjmë punën dhe nuk duam të prononcohemi për rastin konkret”, shprehen mjekët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*