Denisa Canameti / Shendeti.com.al
E drejta për informim iu mohohet pacientëve shqiptar. Referuar pikës 3 të Kartës së të Drejtave të Pacientit, pacienti ka të drejtë të informohet. “Çdo pacient ka të drejtën për akses ndaj çdo lloj informacioni lidhur me gjendjen e tij shëndetësore, për shërbimet shëndetësore dhe mënyrën e përdorimit të tyre, si dhe për çdo kërkim shkencor apo inovacion teknologjik që mund të jetë i përdorshëm”.
A e dini se për ata pacientë që vuajnë nga sëmundje të rënda, apo duhet të kryejnë ndërhyrje të vështira, për të cilat shëndetësia shqiptare nuk ofron pajisje diagnostikuese, nuk ofron kushte të specializuara dhe në rastet kur të sëmurët shqiptarë kanë nevojë për mjekim të veçantë, shteti shqiptar ka një marrëveshje bashkëpunimi për trajtimin e këtyre rasteve jashtë vendit?
Mjekët, duhet t’ju vënë në dijeni të kësaj të drejte në momentin që shëndetësia shqiptare “dorëzohet” përpara një rasti, për arsyet e sipërpërmendura. Duket se pacientët ende nuk e njohin këtë të drejtë, dhe mjekët nuk i informojnë rreth saj. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka asnjë informacion të lehtësisht të aksesueshëm në faqen e saj zyrtare.
E.K: QSUT nuk e trajtoi rastin, nuk dhanë asnjë orientim për trajtim jashtë
Kryefamiljari vuan nga një sëmundje e rrallë e cila nuk trajtohet në Shqipëri. Pas dy operacionesh dhe 2 muajsh shtrim në kirurgjinë e QSUT-së pacienti është përcjellë me porosinë për të shkuar jashtë vendit, për trajtim. E cilësojmë “porosi” sepse pacienti nuk është informuar në asnjë moment për të drejtën e aplikimit për trajtim jashtë vendit, duke u vënë përballë përgjegjësisë së përballimit të çdo shpenzimi. Përveç kësaj, familjarët janë përballur edhe me një tjetër problem: spitali i ka lëshuar një epikrizë të pafirmosur, duke i vështirësuar akoma më shumë punën me institucionet e huaja shëndetësore ku kanë trokitur.
E.K janë incialet e vajzës së pacientit. Ajo tregon gjendjen e të atit dhe shpjegon se mjekët e kanë nxjerrë nga spitali, duke mos i dhënë asnjë orjentim tjetër.
“Babai ka qenë i shtruar në spital për një periudhë 2 mujore. Ka bërë dy operacione në zorrën e trashë por për fat të keq gjendja nuk u përmiresua. Doktori kur e pa që gjendja po rëndohej na tha që ketu nuk bënin dot më shumë, nuk kishim shpresë edhe duhej nxjerrë jashtë shteti sa më parë që të shpëtonim jetën. Spitali nuk na dha asnjë lloj ndihme për jashtë, as Ministria e Shëndetësisë, kështu që në pamundësi e dërguam privatisht. Në ditën e daljes nga spitali na dhanë epikrizën të pa firmosur edhe pa vulosur që nuk shërben si dokument edhe nuk na dhanë raportet për kohën e qëndrimit në spital. Theksoj që babi ka qenë i punësuar dhe ka derdhur kontribute për vite me rradhë.
“Mjekët na kanë thënë që diagnoza e babit nuk kurohet në Shqipëri, kështu që mjekët e nxorrën se nuk kishin çfarë të bënin më shumë. Por, nuk kemi marrë asnjë orjentim se ku të shkojmë. Si të aplikojmë për ndihmë nga shteti, nga Ministria e Shëndetësisë sepse shpenzimet janë të papërballueshme për ne. E kemi çuar në Janinë një herë, jemi kthyer. Nuk dimë sesi të veprojmë. Nuk e dimë se cilat janë rrugët që duhet të ndjekim për të marrë ndihmë nga shteti.”
Avokati i Popullit: Dokumentacioni për aplikim për trajtim mjekësor në Turqi
Të panjohur me kompetencat e institucioneve familjari i pacientit i ka dërguar shkresë Avokatit të Popullit, duke e vënë në dijëni të situatës dhe kërkuar informacion për institucionin që duhet ti drejtohet dhe dokumentacionin që duhet të plotësojë. Avokati i Popullit përmes një shkrese zyrtare, sqaron pozicionin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si institucioni përgjegjës për trajtimin e këtyre rasteve, si dhe ka listuar dokumentat që duhet të plotësojë pacienti në mënyrë që të procedohet me aplikimin për trajtim mjekësor në Turqi. Përmes kësaj shkresë Avokati i Popullit sqaron Avokati i popullit ka sqaruar se nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bazuar në Marrëveshjen në fushën e shëndetësore nëpërmjet Qeverisë së Republikës të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë mund të realizohet trajtim mjekësor i specializuar në Turqi, pë rata pacientë shqiptar, të cilët janë pajisur dhe dorëzojnë pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dokumentacionin si më poshtë:
- Epikrizën, të lëshuar nga shërbimi përkatës që ka ndjekur pacientin, I cili I drejtohet Komisionit Ndërspitalior pranë QSUT-së, për trajtim mjekësor të specializuar.
- Vendimin e Komisionit Ndërspitalor, nëpërmje të cilit përcaktohet nevoja për trajtim të specializuar të pacientit jashtë vendit.
Për sa më sipër, pas pajisjes me këto dokumente, lutemi, paraqitjen e pacientit apo një përfaqësues të tij në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
MSHMS: Për 3 vite i njëjti numër kërkesash për trajtim jashtë vendit
Gazeta “Shëndet plus” i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përmes një shkrese zyrtare ku i ka kërkuar informacion lidhur me numrin e kërkesave për trajtim jashtë vendit për vitet 2016- 2017- 2018.
Sipas përgjigjeve nga Ministria e Shëndetësisë sqarohet se ky institcion që nga viti 1999, ka një bashkëpunim aktiv me Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë, në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë. Kjo Marreveshje është e vetmja në fuqi, që parashikon trajtim falas, çdo vit, të 100 pacientëve shqiptarë, në spitalet publike turke.
Viti | Numri i kërkesave për trajtim jashtë vendit | Përgjigje negative nga MSH Turke |
2016 | 104 | 4 |
2017 | 103 | 3
|
Janar 2018- 16 korrik 2018 | 114 (69 pacientë janë fillestare dhe 45 pacientë janë për rikontroll) |
* Numri i pacientëve që MSHMS ka dërguar jashtë shtetit për trajtim (është pranuar kërkesa), për periudhën 1 Janar 2018 – 16 Korrik 2018, është 48 pacientë nga te cilët 30 pacientë janë fillestare dhe 18 pacientë janë për rikontroll.
Shkresa e Ministrisë vazhdon duke sqaruar se “gjithashtu ju informojmë qe, në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Nr. 394, datë 16.05.2018, “Mbi trajtimin nga Komisionet Ndërspitalore pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, të rasteve për rikontroll të pacientëve të trajtuar në Turqi”, të gjitha rastet për rikontroll të pacientëve të trajtuar në Turqi, do të vlerësohen fillimisht nga komisionet ndërspitalore pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
“Trajtimi jashtë vendit mund te kërkohet për cdo diagnozë, ose kompleks diagnozash, që nuk mund të kurohen në vendin tonë, pa përjashtuar asnjë patologji te cila shoqërohen me vendim të Komisionit Nderspitalor ne QSUT. Në vijim, kërkesat vlerësohen nga MSH Turke dhe po zyrtarisht kemi një përgjigje negative, ose pozitive, për vazhdim të tratimit mjekësor pranë spitaleve publike turke” thuhet në shkresë.
Sipas këtyre të dhënave të vëna në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale duket se numri i kërkesave për trajtim jashtë vendit nuk ka ndryshuar shumë nga viti në vit. Në një kohë që të gjitha statistikat tregojnë për një rritje të sëmundshmërisë, veçanërisht të diagnozave të rënda, numri i kërkesave qëndron në vend numëro. Kjo tregon qartazi se pacientët janë të painformuar për të drejtën e trajtimit jashtë, duke i lënë ata përballë zgjedhjes së shfrytëzimit të rrjeteve sociale, të cilat kohët e fundit po shfrytëzohen masivisht për mbledhje fondesh me qëllim trajtimin e rasteve në spitale të specializuara.
Mungon informacioni në faqen zyrtare të MSHMS
Informimi i pacientëve përmes faqes zyrtare të Ministrisë së Shëndëetësisë mund të ishte një mënyrë që do të lehtësonte çështjen si për pacientët ashtu dhe për institucionet. Pas një hulumtimi në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duket tejet e vështirë gjetja e një informacioni lidhur me rastet që përfitojnë nga trajtimi jashtë vendit si dhe dokumentat që duhet të plotësohen. Përmes një ikone të dukshme, Ministria mund të bëjë një vendosje të informacionit, lehtësisht të aksesueshme për qyetarët e interesuar.
Marrëveshja: Vetëm 100 pacienti mund të trajtohen jashtë vendit
Ministria e Shëndetësisë që nga viti 1999, ka një bashkëpunim aktiv me Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë, në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë. Kjo marrëveshje është e vetmja në fuqi, që parashikon trajtim falas, çdo vit, të 100 pacientëve shqiptarë, në spitalet publike turke.