E drejta për kujdes shëndetësor (njihni të drejtat tuaja)

Kujdes shëndetësor është tërësia e masave dhe veprimtarive të ndërmarra nga institucionet e kujdesit shëndetësor, punonjësit shëndetësor dhe shtetasit me qëllim përmirësimin e mirëqenies fizike, mendore e sociale siç përcaktohet në Kushtetutën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Shërbimet e kujdesit shëndetësor janë ndërhyrjet mjekësore, për të rritur  mbrojtjen dhe trajtimin shëndetësor nëpërmjet parandalimit, diagnostikimit, masave kurative dhe rehabilituese të siguruara nga ana e ofruesve të regjistruar të kujdesit shëndetësor. E drejta për kujdes shëndetësor është një e drejtë themelore e njeriut ku rolin themelor e luan shteti si garantues i sigurisë së pacientit bazuar në mosdiskriminimin.

Kuadri ligjor, mbi bazën e të cilit Avokati i Popullit ka ushtruar veprimtarinë e tij ne këtë fushë të të drejtave të njeriut, me qëllim mbrojtjen dhe garantimin e saj, ka të bëjë me: Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Neni 55/1.

Shtetasit gëzojnë në mënyrë të barabartë të drejtën për kujdes shëndetësor nga shteti. 55/2. Kushdo ka të drejtë për sigurim shëndetësor sipas procedurës së caktuar me ligj. Ligjin Nr.3766, datë 17.12.1963 “Për Kujdesin Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, Ligjin Nr.8092, datë 21.03.1996 “Për Shëndetin Mendor , Ligjin Nr.7870 datë 13.10.1994 “Për Sigurimet Shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, Ligjin Nr.7895 datë 27.01.1995 neni 97, ‘Kodi Penal i republikës së Shqipërisë” .Karta e të Drejtave të Pacientit reflekton një dokument zyrtar ndërkombëtar të aprovuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë. Miratimi i Kartës është bërë në 31 Janar 2011, nga Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë dhe përmban 16 pika. Me këtë Kartë pacientët zotërojnë një dokument me të cilin ata do “të mbrohen, do të kompensohen në rast dëmtimi dhe do të kenë akses në shërbimet shëndetësore”.

Rëndësia e këtij procesi qëndron jo vetëm ne evidentimin e gjendjes së respektimit dhe zbatimit të ligjit, i cili reflekton respektimin e të drejtave dhe lirive të individit në këto institucione, por dhe për vlerësimin e funksionimit të strukturës institucionale, të përshtatur me profesionalizëm, sipas standardeve të kërkuara konform ligjit, si dhe vlerësimit të kushteve infrastrukturore ekzistuese në ambientet e këtyre institucioneve.

Nga inspektimet e kryera si dhe nga rastet e trajtuara qe lidhen me të drejtën për kujdesin shëndetësor, është arritur në konkluzionin se në përgjithësi, shërbimet shëndetësore dhe sociale që u ofrohen individëve në këto qendra kanë nevojë për më shumë fonde investimi, plotësim organike, shpejtësi në realizimin e projekteve, përqendrim dhe vëmendje më të madhe në trajtimin human të të sëmurëve. Inspektimet dhe vizitat e kryera ne këto institucione, kanë pasur një rol të madh në evidentimin e problematikave që ekzistojnë në këto institucione, lidhur me kushtet dhe mënyrën e trajtimit të shtetasve në përputhje me dispozitat ligjore sipas fushës përkatëse./ https://propacientit.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*