E drejta për informim, e drejtë publike

E drejta e informimit në Shqipëri është një e drejtë e garantuar në Kushtetutë, neni 23/1 i saj.  Gjithsesi, ende institucionet shtetërore e shohin si kërcënim dhënien e informacionit, çka lidhet drejtpërdrejtë me transparencën dhe llogaridhënien e këtyre institucioneve për punën e tyre.

Në fakt, në nenin 24 të ligjit Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, parashikohet se “çdo person, kur çmon se i janë shkelur të drejtat e parashikuara nga ky ligj, ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në përputhje me këtë ligj dhe Kodin e Procedurave Administrative”.

Në të vërtetë, sipas ligjit, çdo qytetar shqiptar ka të drejtë të kërkojë informacione publike dhe nuk ka pse të japë arsye se për çfarë i duhen informacionet që ai po kërkon.

Duhet kuptuar se informacion publik është çdo e dhënë e regjistruar në çfarëdo lloj forme apo formati, gjatë ushtrimit të funksionit publik, pavarësisht nëse është përpiluar ose jo nga autoriteti publik.

Çdo shtetas ka të drejtë të njihet me informacionin publik nëpërmjet dokumentit original ose duke marrë një kopje të tij në formën ose formatin që mundësin akses të plotë në përmbajtjen e dokumentit.

Autoriteti publik (apo institucioni publike, siç jemi mësuar të shprehemi) është i detyruar të informojë kërkuesin nëse e ka ose jo në zotërim informacionin e kërkuar. Ky autoritet duhet ta trajtojë kërkesën për informim duke vendosur në dispozicion informacionin e kërkuar sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 10 ditë pune nga dita e dorëzimit të saj (përveç rasteve kur ligji i posaçëm parashikon ndryshe). Mostrajtimi i kërkesës për informim brenda afateve do të konsiderohet refuzim.

Por, kur refuzohet e drejta për informim?

E drejta e informimit mund të kufizohet në rast se është e domosdoshme, proporcionale dhe nëse dhënia e informacionit dëmton interesat e mëposhtëm:

  • Të drejtën për një jetë private
  • Sekretin tregtar
  • Të drejtën e autorit
  • Patentat
  • Si dhe rasteve të tjera të parashikuara në nenin 17 të ligjit nr.119/2014

Gjithsesi, duhet pasur parasysh se interesat e mësipërme nuk merren parasysh në rastet kur publikimi i informacionit i shërben të mirës së publikut, si për shembull: tenderat publikë.

Ky shkrim është publikuar në kuadër të projektit “Nxitje transparencës dhe luftës ndaj korrupsionit në prokurimet publike në shëndetësi”, i cili zbatohet nga shoqata “Together for Life” dhe mbështetet financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur. Qëllimi i këtij shkrimi është informues. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*