Dr. Helidon Nina: Pandemia nuk e ndërpreu shërbimin në onkologjik! Kontrolle jo vetëm në Tetor  

Askush nuk e di shkakun e vërtetë të kancerit të gjirit, apo nëse kanceri i gjirit ka një shkaktar të vetëm, apo jo. Dimë se disa njerëz janë më të rrezikuar për të zhvilluar kancer gjiri. Dimë se disa faktorë duken se rrisin rrezikun për të zhvilluar kancer gjiri. Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë në gratë. Ai mund të gjendet në çdo moshë, por shumica e rasteve gjendet në gratë në moshë mbi 50 vjeç. Vitet e fundit është konstatuar një ulje e moshës së grave të prekura nga kjo sëmundje. Ndërsa sa i takon shifrave, mjekët raportojnë se sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri diagnostikohen mbi 700 raste të reja çdo vit, me kancer te gjirit. Në një intervistë për gazetën “Shëndet Plus” Prof. Asc. Helidon Nina njëkohësisht edhe drejtues mjekësor në spitalin onkologjik tregon më shumë rreth kësaj patologjie.

Doktor, sa është numri  i të sëmurëve me kancer gjiri në Shqipëri?

Nëse flasim për shifra zyrtare nga Insituti i Shëndetit Publik, raportohen mbi 700 raste të reja në vit.

Nëse bëjmë një krahasim me vitet e kaluara, si qëndrojnë këto shifra? Pra, a kemi rritje të rasteve të diagnostikuar me kancer gjiri nga viti në vit?

Ne prej 2-3 vitesh jemi me 710 raste, shifër kjo e stacionuar. Është arritur ky nivel dhe nuk kemi më shtim të rasteve. Më përpara ka qënë me e ulët kjo shifër po tani jemi qëndrueshëm.

Cila është mosha më e prekur?

Grupmoshat më të prekura janë 45-65 vjeç. Kjo moshë është piku i shfaqjes së kësaj sëmundje.

Po tek moshat e reja, kemi ulje apo rritje të rasteve me kancer gjiri?

Është vënë re një shtim i rasteve tek moshat e reja, kjo nuk do të thotë që ne duhet të vendosim alarmin, por është parë që ka një shtim të lehtë këto vitet e fundit dhe kjo për shumë arsye. Më përpara kjo patologji bënte lajm në rrethin shoqëror kur ishte zbuluar tek një moshë e re. Shpesh herë shikojmë mosha 30-35 vjeç me këtë sëmundje.

Në cilën moshë kjo sëmundje ka një ecuri më të vështirë apo më shumë komplikacione?

Për moshat e reja mund të themi që patalogjia është pak më shumë agresive. Por, patologjia e gjirit sa më herët të diagnostikohet aq më të mirë e ka ecurinë e trajtimit.

Trajtimi?

Trajtimi i një pacienti me kancer të gjirit është kompleks, duke filluar nga: kirurgjia, kimioterapia, radioterapia dhe të gjithë trajtimet imunologjike që bëhen suportive dhe kombinimi i tyre. Pacientit i bëhet një anamnezë dhe dëgjojmë nga ai nëse ka patur një histori familjare me këtë patologji. Me këtë histori famijare një mjek arrin dhe në një përfundim të vetin. Po nga kjo vizitë e parë nëse ne kemi një historic familjar ku janë diagnostikuar më pare me kancer gjiri tezja, halla, vajza e tezes, e hallës etj., pas kësaj është një konsultë me gjenetistin dhe më pas bëhen testet e tjera dhe nëse janë teste positive për këtë pacient që është mbartës  i një mutacioni dhe mund të japë një kancer të gjirit , atëherë normalisht duhet bërë kirurgji profilaktike. Ku hiqen gjinjtë e vihen proteza.

Kirurgjia tashmë është një kirurgji më fine, nuk hiqet i gjithë gjiri por vetëm një pjesë e gjirit.

A vazhdon të jetë një problem kapja në kohë? Nëse po, nga vjen ky hezitim?  

Nëse flasim edhe për të dhënat që ka nxjerr ISHP-ja, nëse në vitet 2005 informacioni për mamografinë, pap testet etj., ishte shumë i ulët, vitet e ka patur një ndërgjegjësim më të madh. Ky ndërgjegjësim vjen edhe falë medias. Por, ky sensibilizim në media bëhet vetëm në muajin tetor, #TetoriRozë dhe 11 muajt e tjerë kemi një stopim.

Si ka funksionuar shërbimi gjatë kohës së Covid -19, a ka patur problematika për këtë kategori të sëmurësh?

Që në muajin mars, spitali Onkologjik me urdhër të ministrit por edhe me bindjen e vetë mjekëve spitalu onkologjik nuk është mbyllur asnjëherë dhe nuk është ndërprerë trajtimi për sëmundjet onkologjike. Gjatë kësaj periudhe kirurgjia, kimioterapia dhe raditerapia kanë funksionuar, po flas për periudhën mars-prill kur ishte dhe mbyllja. Sa për kimioterapinë u pa mundësia që të bëhen në rrethe. U morën masa që në spitalet rajonale që mbulojnë kimioterapinë ti ofrojnë trajtimet atje që pacienti të mos bënte vajtje –ardhje. U kufizuan rastet e kontrollit dhe pse jo u përdorën edhe metoda online, ku bisedonim me pacientin. Gjatë kësaj periudhe kemi zbatuar edhe rregullat e shoqatës Onkologjike të Kirurgjisë, për disa raste kemi filluar kimioterapinë dhe kur nuk ishte rast i avancuar për të filluar që të shtyhej kontakti i pacientëve me spitalin, kjo futet në konceptet e kimioterapi neo-adjuvante. Pas muajit maj vizitat filluan normalisht dhe deri më sot.

A ka ndikuar kjo situatë në gjendjen psikologjike të pacientëve?

Mund të themi që këta pacientë kanë një ankth pak të shtuar! Por, duhet thënë dhe tjetra, që duke qenë pacient onkologjik ky pacient ka kujdesin më të madh. Këto pacientë e ruajnë veten shumë mirë.

Keni patur pacientë të diagnostikuar me kancer të gjirit por që janë infektuar edhe me COVID-19?

Po! Ka raste që janë diagnostikuar gjatë bërjes së kimioterapisë, kanë marrë trajtim për  COVID-19 dhe më pas janë bërë operacion. Post Covid kemi operuar, po flas për kirurgjinë. Për hir të vërtetës këto pacientë kanë qenë të kujdesur. Janë zbuluar nga një temperaturë gjatë kohës që kanë qenë këtu, ju është bërë tampon dhe ka marrë trajtimin për COVID-19 pas trajtimint janë rikthyer për të marrë mjekimin ku është ndërprerë.

Në rrethe a funksionon  kimioterapia?

Problematika organizimi ka, por janë disa nga spitalet rajonale që e ofrojnë kimioterapinë si spitali i Durrësit, Korçës, Vlorës.

Çfarë i shtyn pacientët të vijnë ta marrin kimiterapinë në Tiranë, derisa ofrohet edhe në disa spitale rajonale?

Mendojnë se në Tiranë bëhet më mirë trajtimi. Por, këto pacientë duhet të jenë të qetë, skema e parë caktohet në Tiranë, më pas bëjnë kontrolle tek mjeku onkolg atje dhe të fillojnë kimioterapinë. Është tendenca e pacientëve që ti bëjnë të gjitha në Tiranë. Kjo është një skemë shumë e mirë që edhe këto pacientë të mos vijnë këtu, eleminohen grupimet këtu në onkologjik por nuk kemi as ne ngarkesë.

Kam një apel për të gjitha vajzat dhe gratë, që të bëjnë kontrolle të gjirit jo vetëm në muajin tetor. Unë kam dhe një parrullë timen që “kanceri i gjirit nuk trajtohet vetëm në tetor”! Shumë herë na pyesin që kur është momenti për kontaktin me mjekun specialist? Përgjigja është: mbi moshën 20 vjeç. Mjekët specialist kryesisht janë kirurgët e gjirit por jo rrallë shumë individë vijnë edhe nga ekzaminimet imazherike sepse kanë ndjerë diçka vetë.

Bisedoi: Desara Çela

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*