Dr Eris Mësonjësi: Alergjia ndaj poleneve, ccfarë është dhe a ndikon në cilësinë e jetës?

D.Sh.M. Eris Mësonjësi, Alergologe & Imunologe Klinike, Shërbimi i Alergologjisë

Stina e pranverës, ringjallja e natyrës sjell gëzim për shumë njerëz ndërsa për individët që vuajnë nga sëmundjet alergjike sjell shqetësime të mëdha. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për 50 milion persona, kjo stinë nënkupton teshtima, prurit, lotim të syve dhe bllokim të hundëve me një kosto prej 18 miliard dollarë. Mbështetur në Studimin Ndërkombëtar të Astmës dhe Alergjisë në Fëmijëri (ISAAC), prevalenca globale e alergjisë nga polenet në fëmijët e moshës 13-14 vjeç është 22,1%.

“ Alergjia ndaj Poleneve -Të përshtatemi ndaj ndryshimeve të klimës”

Studimet tregojnë se nivelet e dioksidit të karbonit në atmosferë janë rritur, duke mbështetur të dhënat për ngrohjen globale; pemët po prodhojnë më shumë polenë dhe për më shumë kohë, pra do kemi sasi më të larta e kohëzgjatje më të madhe të poleneve në ajër dhe rrjedhimisht kemi rritje të ekspozimit ndaj tyre. Jo vetëm alergjia ndaj poleneve por dhe ndaj alergenëve të tjerë si pluhuri i shtëpisë (akarienet) apo mykrat po rriten në prevalencë dhe në severitet në të gjithë botën dhe do vazhdojnë të jenë një shqetësim përderisa temperaturat dhe ekspozimi po rriten.
Studiuesit kanë raportuar që ndryshimet në klimë imponojnë simptoma të ndryshme në pacientët alergjike ndaj poleneve. Tashmë pacientëve duhet t’ja fillojmë trajtimin 2 javë më herët në këto 10 vitet e fundit në krahasim me më parë.
“Të dhënat tregojnë që sezoni i alergjive nga polenet po vjen më shpejt por nuk po mbaron më shpejt. Çdo vit është i ndryshëm. Ne po shohim një stinë më të gjatë për shkak të temperaturave më të larta”,- thotë Mario Sanchez-Borges, President i Organizatës Botërore të Alergjisë.
Alergjia nga polenet ul cilësinë e jetës duke ndikuar në funksionet fizike, psikologjike dhe sociale të individëve alergjikë. Shënjat dhe simptomat e pacientëve me polinozë janë teshtima (5-10 teshtima në grup ose breshëri), të kruara dhe rrjedhje të hundëve, të kruara të shprehura dhe lotim të syve, bllokim të hundëve, marrje fryme. Mund të shaktojë dhe sinusitis. Gjithashtu pacientët janë të lodhur, të irrituar, kanë gjëndje ankthi, depresion, dëshpërim dhe ulje të energjive. Simptomat e alergjisë nga polenet kanë dhe kosto ekonomike si humbje të ditëve të punës ose ulje të përqendrimit e produktivitetit në shkollë.
Për pacientët me alergji nga polenet ka shumë vlerë vendosja në kohë e diagnozës dhe marrja e mjekimit të duhur. Mënyra më e mirë për të menaxhuar simptomat e alergjisë është mjekimi përpara fillimit të sezonit polenik. Specialistët Alergologë kanë aftësinë profesionalë për të identifikuar dhe vërtetuar alergjinë dhe për të këshilluar mbi trajtimin dhe masat mbrojtëse që mund të ulin simptomat dhe të rrisin cilësinë e jetës.

1. Çfarë është Alergjia nga polenet (Alergjia e barit)?

Alergjia nga polenet, e quajtur ndryshe “Alergjia e barit” ose “Polinoza”, është një patologji alergjike që prek mukozën e hundës dhe të syve. Ajo zakonisht karakterizohet nga rinorea e ujshme, bllokimi i hundëve, lotim të syve, të kruara (prurit) të syve, të hundës, të veshëve dhe fytit. Këto simptoma shkaktohen nga hipersensibilizimi ndaj poleneve që qarkullojnë në ajër si: polenet e barërave, pemëve, e shkurreve. Kur alergeni bie në kontakt me imunoglobulinat E (IgE) në inde dhe në mukozën nazalë (të hundës) aty çlirohen mediatorë të shumtë si histamina, leukotriene etj. që çojnë në shfaqjen e simptomave alergjike.

2. Cila është prevalenca globale e kombëtare e Alergjisë nga polenet?

Duke u mbështëtur në Studimin Ndërkombëtar të Astmës dhe Alergjisë në Fëmijëri (ISAAC), prevalenca e Alergjisë nga polenet në fëmijët e moshës 13-14 vjeç është 22,1% në të gjithë botën. Ajo varion në vende të ndryshme: 29,5% në Afrikë, 23,9% në Azi, 20,1% në vendet e Mesdheut Lindor, 23,7% në Amerikën Latine, 33,3% në Amerikën Veriore, 12,3% në Europën Veriore dhe Lindore, 39,8% në vendet e Oqeanit Paqësor dhe 21,2% në Europën Perëndimore.
Bazuar në të dhënat e fundit të Studimit Alb-ISAAC 2011-2012, në Tiranë, drejtuar nga Shërbimi i Alergologjisë, QSUT, vlera mesatare e Rinitit Alergjik Sezonal në fëmijët e moshës shkollore rezultoi në 6.2% me një rritje prej 2-3 fish krahasuar me 16 vite më parë, pra një rritje e rëndësishme e prevalencës së sëmundjes.

3. A janë personat alergjikë ndaj poleneve të ndjeshëm dhe ndaj alergënëve të tjerë të ambjentit apo ushqimore?

Përsonat alergjike nga polenet mund të jenë të ndjeshëm dhe ndaj alergenëve të tjerë. Për shembull, “sindroma alergjike polen-ushqim” e njohur ndryshe dhe si “sindroma orale alergjike” është një tip i Alergjisë Ushqimore që shfaqet në individë të sensibilizuar ndaj poleneve. Pacientët ndjejnë prurit dhe/ose irritim dhe/osë edemë të lehtë të gjuhës dhe fytit menjëherë pas ngrënies së frutave të papërpunuara (si mollë, dardhë, lulështrydhe, pjeshkë, qershi dhe disa lloje frutash të thata) ose perime të papërpunuara. Simptomat shfaqen si urtikarie kontakti në orofaring, sepse këto ushqime përmbajnë proteinave të lidhura me polenet, të cilat japin reaksionet e kryqëzuara alergjike .
Në lidhje me këto ushqime, shumë pacientë që kanë alergji nga polenet mund të kenë alergji edhe ndaj mykrave. Me ngrohjen e motit, kemi shtim të lagështirës brënda në ambjente të mbyllura që favorizon rritjen e mykrave. Moti i ngrohtë favorizon prodhimin e mykrave, të kërpudhave. Izolimi i shtëpive, mosajrosja e tyre, ajri i kondicionuar janë akuzuar gjithashtu si nxitës të rritjes së përqëndrimit të phuhurave të shtëpisë apo të kërpudhave, myqeve.

4. Cilat janë disa nga mënyrat sesi ndryshimi i klimës ndikon në alergjinë nga polenet?

Ndryshimi i klimës po e zgjat sezonin e alergjive nga polenet dhe gjithashtu po rrit intensitetin e tyre. Alergjia nga polenet dhe alergjitë e tjera përfshirë dhe mykrat, po rritën si në prevalencë ashtu edhe në severitet dhe do të vazhdojnë të jenë shqetësim përderisa ndryshimet e klimës po shkaktojnë një rritje të tëmperaturave dhe nje zgjatje të sezoneve polenike si pasojë shtim të ndjeshmërisë ndaj alergenëve.

5. Si mundët Alergjia nga polenet të dëmtojë cilësinë e jetës?

Shënjat dhe simptomat prezente në pacientë gjatë sezonit alergjik prishin cilësinë e jetës. Bllokimi i hundëve është i lidhur me prishjen e gjumit, me zgjime të shpeshta natën, që çojnë në lodhje dhe pagjumësi dhe ulin gjithashtu funksionet konjitive. Këto shoqërohen me çrregullime të performancës në punë e shkollë, çrrëgullime të sjelljes dhe vëmendjes në fëmijë. Të rriturit për shkak të këtyrë simptomave mungojnë në punë dhe ulin edhe produktivitetin.

6. Cfarë duhet të bëjnë personat me alergji nga polenet për tu përshtatur ndaj efekteve të ndryshimeve klimaterike?

Pacientët me alergji nga polenet duhet të jenë të vetëdijshëm për ndryshimet që mund të ndodhin në zonën e tyre për ti ndihmuar ata të përshtaten. Këto ndryshime përfshijnë zgjatjen e sezonik polenik, rritjen e intensitetit të alergjisë dhe shfaqjen e papritur të poleneve të reja në disa zona. Për pacientët është shumë e rëndësishme të kenë një diagnozë të saktë dhe një mjekim të përshtatshëm. Mjeku specialist Alergolog vendos diagnozën, shpjegon pacientin për masat parandaluese dhe kujdesin që duhet të ketë vetë ai në periudhën e polenizimit; përcakton mjekimin e duhur, i cili në rastin e rinitit është i personalizuar në varësi të severitetit të simptomave. Gjithashtu harton një plan ndjekjeje të saktë dhe paraqet alternativat terapeutike siç është mjekimi dhe imunoterapia specifike ndaj alergenëve. Imunoterapia specifike me alergenë është i vetmi mjekim sot që mund të modulojë dekursin e sëmundjes, ndihmon në uljen e simptomave dhe nevojën për mjekim, por nëse ajo kryhet sipas protokolleve të standartizuara nën ndjekjen rigoroze të mjekëve alergologë, të familjarizuar tashmë me këto skema./QSUNT

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*