Ndërtesës që ka shërbyer për 25 vite me radhë si urgjenca kryesore e Tiranës së shpejti mund t’i vihet dryni. Edhe pse ministria e Shëndetësisë vitin e kaluar mohoi çdo pretendim se do të mbyllet Urgjenca Mjekësore dhe do të ketë një shkrirje të këtij institucioni, duket se vendimi për t’u mbyllur tashmë është marrë.
Në një letër dërguar në redaksinë e Pro Pacientit nga një ekip mjekësor i Urgjencës së Tiranës, bëhet e ditur se në kuadër të reformës së shërbimit të urgjencës, tani dhe në vazhdim nuk do të bëhen më vizita apo mjekime në këtë ndërtesë.
Me anë të kësaj letre ata kërkojnë që të vënë në dijeni qytetarët pranë kësaj zone, të cilët, duke mos pasur asnjë lajmërim paraprak, konfliktohen me personelin sepse nuk u ofrojnë shërbime si më parë.
Letra e ardhur në redaksinë e Pro Pacientit:
Për qytetarët e nderuar të Tiranës
Jemi një grup i personelit mjekësor të Ish Urgjencës së Tiranës që kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve të Tiranës, në veçanti të banorëve të zonës afër, për punën në ish këtë urgjencë. Në kuadrin e reformës në shërbimin e urgjencës (sipas Ministrisë së Shëndetësisë) dhe të shkatërrimit të kësaj urgjence (siç është e vërteta) në këtë ndërtesë që funksionoi për 25 vjet, tani dhe në vazhdim nuk do të bëhen më vizita, injeksione dhe mjekime.
Ish drejtuesit hajdutë të këtij shërbimi bashkë me hajdutët dhe mashtruesit e rinj, nuk kanë guximin të vendosin një lajmërim që është shkrirë ky shërbim për qytetarët. Paaftësia, paturpësia dhe babëzia e tyre për të vjedhur sa më shumë mund të sjellë keqkuptime dhe acarime te panevojshme midis personelit dhe qytetarëve, siç ndodhi para disa ditësh në ambulancën e Kombinatit. Ne nuk besojmë të ndodh.
Edhe në qoftë se ndodh, ne e mirëkuptojmë revoltën e tyre dhe për këtë i falim nga ana jonë, pavarësisht se është faji i qeverisë dhe hajdutëve të saj. Ne gjithnjë kemi qenë në shërbimin tuaj dhe ju na keni mirëkuptuar për kushtet në të cilat kemi punuar: me autoambulanca të vjetra, pa pajisje mjekësore, pa oksigjen dhe pa ilaçet e domosdoshme. Për këtë gjë duhet t’ju falënderojmë për qytetarinë tuaj. Na vjen keq që ndonjë ditë të afërt këtë godinë mund ta shikoni të rrethuar me llamarina. Shumë shtetarë dhe politikanë shpesh edhe na kanë falënderuar për shërbimin që kemi bërë edhe brenda kësaj ndërtese, sidomos natën. Tani ka ardhur koha e reformave të mëdha në shëndetësi, që çdo shërbim shëndetësor për qytetarët t’i jepet privatit (me koncesion apo PPP). Edhe njëherë faleminderit për mirëkuptimin. Ne si gjithnjë do te jemi në shërbimin tuaj në çdo rast që ju do të keni nevojë për ne. FALEMINDERIT.