Covid-19/Burimet njerëzore në shëndetësi të shpërndara në mënyrë të pabarabartë, ja spitalet pa infeksionistë

Tirana vazhdon të jetë qarku që ka numrin më të lartë të spitaleve dhe të shtretërve spitalorë. Kjo lidhet jo vetëm me numrin e lartë të popullsisë në këtë rajon, por dhe me përqendrimin e shërbimeve spitalore universitare në funksion të popullsisë për të gjithë vendin. Për sa i takon burimeve njerëzore, sistemi shëndetësor publik vuan nga numri i pamjaftueshëm i profesionistëve. Raporti mjekë për banorë është 1.2:1000 dhe raporti mami/infermierë për banorë është 3.6:1000. Burimet njerëzore në shëndetësi janë shpërndarë në mënyrë të pabarabartë. Mjekët specialistë janë përqendruar në Tiranë dhe në disa qytete të mëdha.

Referuar të dhënave nga Urdhri i Mjekut të Shqipërisë, aktualisht numri i përgjithshëm i mjekëve të regjistruar pranë UMSH-së është 6315. Në këtë numër janë përfshirë të gjithë mjekët që ushtrojnë profesionin në Republikën e Shqipërisë, të gjithë mjekët që janë larguar nga Shqipëria, por që nuk janë çregjistruar, mjekët pensionistë që nuk e ushtrojnë profesionin, si dhe mjekët e huaj.

Për trajtimin e pacientëve me COVID-19 është i nevojshëm një ekip multi-disiplinar mjekësh i përbërë nga pneumologu, kardiologu, reanimatori (për komplikacionet dhe trajtimin në reanimacion) dhe infeksionisti; Pasja e vetëm një specialisti ose mungesa e tij çon në cilësi të ulët të trajtimit mjekësor ose mungesë të këtij trajtimi.

  • Spitalet e Kukësit dhe Gjirokastrës nuk kanë mjekë infeksionistë
  • Spitalet e Beratit, Dibrës, Elbasanit dhe Kukësit deklarojnë praninë e vetëm një pneumologu
  • Spitalet e Beratit, Dibrës dhe Gjirokastrës kanë vetëm nga një reanimator

Këto të dhëna u prezantuan ditën e djeshme në një takim të zhvilluar nga Shoqata “Together for Life”, në prezantimin e raport studimor mbi kapacitetet infrastrukturore dhe të burimeve njerëzore, të spitaleve rajonale. Raporti theksoi se spitalet e Shqipërisë kanë aktualisht 31 shtretër për 10 mijë banorë dhe 1 mjek për 1 mijë banorë.

“Përqëndrimi drejt spitaleve të kryeqytetit i gjithë menaxhimit të pandemisë i stërmundoi pacientët nga gjithë vendi si dhe mjekët e kryeqytetit. Monitorimi nxori se mjekët specialistë janë përqendruar në Tiranë dhe Durrës, ndërsa në spitalet e largëta ata janë shumë të pakët” – thotë Denisa Canameti, përfaqësuese e organizatës Together for Life.

Sipas raportit, spitali rajonal me më shumë specialistë është ai i Durrësit, ndërsa spitalet me më pak specialistë janë në Dibër, Kukës dhe Gjirokastër.

 

Përqëndrimi i gjithë vëmendjes tek Pandemia Covid prishi sistemin e menaxhimit të sëmundjeve kronike, thuhet në raport. Gjatë pandemisë në spitale janë vënë re pamjaftueshmëria e mjekëve dhe e shtretërve, mungesa e mjediseve të posacme për pacientët me Covid, mungesa e një protokolli të unifikuar për parandalimin e përhapjes së infektimit, një numër i kufizuar i pajisjeve të terapisë intensive dhe respiratorëve, si dhe mungesa e pajisjeve të lëvizshme për frymëmarrjen, që të sigurohej transporti i pacientëve me Covid.

Në raport veçohet se asnjë spital nuk ka impiant oksigjeni të tijin me qëllim plotësimin e nevojave të rritura dhe sidomos spitali i Kukësit, i cili nuk ka asnjë infrastrukturë për gazrat mjekësorë, çka e bën këtë spital të papërshtatshëm për trajtimin e pacientëve me covid-19.

Në raport theksohet se reduktimi i përhapjes së infeksionit në spital është një nga pikat e dobëta të tyre në menaxhimin e pandemisë Covid 19.

Sipas monitorimit, vetëm 5 spitale kanë krijuar mjedise të ndara për stafin mjekësor dhe pacientët. Në spitalet rajonale të planifikuar për pavionë COVID, shtretërit ishin të pamjaftueshëm të përballonin numrin e pacientëve, që kishin nevojë për trajtim reanimator. Monitorimi vërejti se vetëm 5 spitale kishin respiratorët mekanikë të lëvizshëm për transportin e pacientëve drejt spitaleve COVID, dhe këto pajisje nuk i kanë spitalet në Dibër, Lezhë dhe Gjirokastër.

Po ashtu edhe mungesa e ventilatorëve të lëvizshëm e bën të vështirë transferimin e pacientëve në gjendje kritike, ndaj këto spitale, edhe pse të planifikuar për pavione COVID, nisin drejt spitaleve COVID në Tiranë çdo pacient, pavarësisht nga niveli i prekjes së mushkërisë prej infeksionit.

Nga marsi I vitit të kaluar dhe deri sot gjatë 20 muajve nga Covid-19 humbën jetën 2 mijë e 718 qytetarë shqiptarë, edhe janë ende 8 mijë 655 raste aktive me këtë sëmundje.

 

Artikulli është realizuar si pjesë e projektit “Shëndeti është e drejta ime! Transparencë dhe llogaridhënie për menaxhimin e Covid-19” të mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë. 

Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*