Denisa Canameti
Shërbimi i Kontrollit Mjekësor Bazë për moshën 35 – 70 vjeç ofrohet në të gjithë Republikën e Shqipërisë, përfshirë dhe vendet e thella ku nuk është i mundur mbulimi nga një Qendër Shëndetësore. Ky shërbim ofrohet nëpërmjet mjeteve lëvizëse, ambulanca, në 35 Qendra Shëndetësore me probleme të infrastrukturës rrugore si dhe në zona të cilat bllokohen nga bora. Në total, Kontrolli Mjekësor Bazë ofrohet në 415 Qendra Shëndetësore.
Pacienti mund të drejtohet në Qendrën Shëndetësore përkatëse dhe të kryejë procedurën.
Kur mund të kryej Kontrollin Mjekësor Bazë, Check-up?
Ky shërbim ofrohet çdo ditë, nga e hëna në të shtunë, nga ora 08:00 deri në orën 12:00.
Sa herë kam mundësi të kryej Kontrollin Mjekësor Bazë, Check-up?
Çdo person mund të paraqitet një herë në vit për t’iu nënshtruar Kontrollit Mjekësor Bazë.
Ku dhe kur mund të marr përgjigjen?
Përgjigjet e analizave do të kthehen në Qendrat Shëndetësore, brenda një afati kohor prej 14 ditësh. Ju do të njoftoheni nga infermieria e Qendrës Shëndetësore kur përgjigjet të mbërrijnë.
A duhet t’i blej kontenitoret për marrjen e analizave?
Për pajisjen me kontenitoret e nevojshëm mund të drejtoheni pranë Qendrave Shëndetësore.
Çfarë më duhet për të kryer procedurën?
Është i detyrueshëm një mjet identifikimi, kartë identiteti ose pasaportë e lëshuar nga Republika e Shqipërisë. Regjistrimi juaj në programin e check-up realizohet nëpërmjet NID (numrit të identitetit). Mund të kryhen analizat dhe pa pasur librezë shëndetësore, pa qenë të siguruar, apo në marrëdhënie pune.
Çfarë kujdesi duhet të tregoj në mënyrën e ushqyerjes?
Ju duhet të jeni esëll në momentin që paraqiteni për të kryer procedurën. Kjo nënkupton që duhet të kenë kaluar të paktën 9 orë nga konsumimi i ushqimit për herë të fundit. Këshillohet një dietë e pasur me fibra dhe moskonsumimi i vitaminës C, mishit dhe nënprodukteve të tij deri në 3 ditë para kontrollit.
Çfarë lloj analizash përfshin Kontrolli Bazë Shëndetësor?
Kontrolli bazë shëndetësor përfshin: vlerësim, këshillim, trajtim dhe ndjekje për faktorët e stilit të jetesës: ushqyerja, konsumimi i duhanit dhe alkoolit, si dhe niveli i stresit dhe depresionit. Analiza e urinës komplet dhe feçe për gjak okult. Gjithashtu në Qendrat Shëndetësore kryhet edhe marrja e gjakut për analizat bazë: Gjak komplet dhe biokimik. Në Qendrën Shëndetësore kryhet dhe EKG.
Si duhet të veproj nëse nuk më kthehet përgjigjja?
Në rastin e mungesës së përgjigjjeve, ju duhet t’i drejtoheni Qendrës Shëndetësore dhe t’i komunikoni shqetësimin tuaj. Stafi i qendrës shëndetësore do t’ju informojë mbi arsyen e moskthimit të përgjigjes.
Infermieria e Qendrës Shëndetësore më ka njoftuar për tu rikthyer në qendër për të dhënë përsëri gjak për analizat? Përse?
Kampioni juaj mund të ketë patur probleme të ndryshme, të cilat pengojnë analizimin e mëtejshëm të tij. Shkaqet mund të jenë: hemoliza, koagulime, pamjaftueshmëri materiali etj. Për të gjitha këto shkaqe infermieria e Qendrës Shëndetësore informohet menjëherë sapo konstatohet problemi. Në të tilla raste, ju keni mundësi të dorëzoni edhe një herë kampionin tuaj në mënyrë që të analizohet dhe të merrni një përgjigje.
A ruhen të dhënat e mia?
Në çdo hallkë të procesit, ruhet konfidencialiteti juaj. Të dhënat tuaja i zotëron vetëm mjeku i familjes dhe Ministria e Shëndetësisë.
Çdo shtetas me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, që I përket grupmoshës 35-70 vjeç, ka të drejtën e kontrollit mjekësor bazë, pa diskriminim.
♥ Kontrolli mjekësor bazë 35-70 vjeç është pa pagesë për shtetasit përfitues të programit.
♥ Kontrolli mjekësor bazë 35-70 vjeç ofrohet dhe realizohet nga punonjësit e shëndetësisë në Kujdesin Shëndetësor Parësor, të kontraktuar nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor.
♥ Kontrolli mjekësor bazë realizohet në infrastrukturën e 415 Qendrave Shëndetësore, të shtrira në të gjithë territorin e vendit.
♥ Çdo shtetas gëzon të drejtën të japë pëlqimin për kujdesin shëndetësor që do t’i ofrohet.
♥ Çdo shtetas gëzon të drejtën e trajtimit me dinjitet.
♥ Çdo shtetas, që i përket grupmoshës 35-70 vjeç, pas kryerjes së kontrollit mjekësor bazë, gëzon të drejtën e këshillimit, trajtimit dhe referimit sipas kuadrit rregullator në fuqi.
*Informacioni u mor nga faqja zyrtare e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor./ ProPacientit