Ish ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili vë gishtin në disa plagë që vuan sistemi ynë shëndetësor sot. Konstatimet e tij erdhën gjatë tryezës së diskutimeve organizuar nga Shoqata Together for Life, ku u prezantua raporti me temën “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – A mbulon skema nevojat reale të kujdesit shëndetësor”, mbështetur nga National Endoëment for Democracy.
“Ajo që vjen nga qeveria është një produkt, i cili vetëm votohet,edhe kur në tavolinë vendosen mediokritete të padëgjuara në lidhje me fenomene të caktuara. Sistemi që keni marrrë në monitorim, nuk kam pse t’i kursej lëvdatat, sepse shëndetësia ka qenë gjithmonë e vështirë për t’u analizuar për shkak të komplikushmërisë së saj e karakterizuar me ca vështrime nga sipër, në kuadër pereceptimesh dhe analiza të tilla në rradhë të parë ndihmojnë ata që menaxhojnë sistemin. Mund të jenë të hidhura, por problemet këto janë. Me problemet duhet të përballesh, për t’ju ikur është shumë kollaj. Sistemi në përgjithësi vuan nga paqartësia, të cilën e ka sjellë politizimi pa kuptim në shërbim të propagandës. Sistemet kanë një gjë kokëforte, kanë nevojën dhe detyrimin e vijimësisë. Pra ndërtohen katet me shumë vështirësi, por gjithmonë hidhen kate të tjera. Ideja e rrënimit dhe bërjes nga e para është budallallëk, mungesë horizonti, në zhargon njerëz që nuk ia dinë zanatit. Ju e dini që ne kemi vuajtur idenë e “shëndetësisë falas”, të cilën po ua them haptas që edhe politikisht nuk e kam mbështetur kurrën e kurrës, sepse ishte jo realiste, solli një konfuzion të jashtëzakonshëm, gjë e cila u verifikua, nuk e ndryshoi modelin. Të njëjtin ligj kemi këtu, ligjin e 2010, me ndryshime të vogla, pra sistemi miks është me sigurime shëndetsore dhe kontribute nga shteti. E gjithë dogma ra, por çfarë krijoi? Konfuzion. Shëndetësia nuk e duron dot paqartësinë, kërkon një linjë shumë të qartë, së pari. Së dyti, ashtu siç thatë me ligjin e autonomisë ne hapim një epokë të re. Këto budallaliqe unë i kam dëgjuar në kohën e partisë së Punës. Pse duhet të themi fillon nga e para?! Pse s’duhet të përdorim atë që ka qenë më përpara e ta shpiem edhe më tutje? Tani e ka bërë publike dhe nuk ka pasur prononcime nga asnjë njeri”, tha Vasili.
Në lidhje me propozimin për autonomi spitalore, që parashikon delegimin gradual të vendimarrjes financiare dhe administrative nga strukturat e qeverisjes së përgjithshme te spitalet, ai shprehet se është një handikap i kompromentuar.
“Nismat për autonomi spitalore datojnë që në vitin 2000-2001 dhe duhet t’jua themi shqiptarëve, jo t’i gënjëjmë. Banka Botërore, OBSH dhe të tjera institucione në atë kohë ndërmorën nismën në atë kohë, spitali pilot, spitali i Durrësit. Që në 2001, është nisur nga socialistët në atë kohë.
Por çfarë ndodhi më tutje, a pati thellim? Po në 2010 buxhet i parë, fondi që quhet sot të tëra paratë e administrimit spitalor i kaloi fondit dhe MSH mbante vetëm fondet minimale për programet e shëdetit publik edhe elementë të tjerë të promocionit.
Elementët e autonomisë u shtrinë deri në qendrat shëndetësore, të cilat dolën me llogari më vete dhe administronin veten e tyre, përfshirë edhe emërimin e personelit, që në atë kohë e kishte komuna, drejtori i Shëndetit Publik, drejtori i Parësorit dhe kryetari i komunës ishin njerëzit që përzgjidhnin personelin shëndetësor për t’ju përgjigjur ekzigjencave që kishte terreni. Gjithashtu, elementë të administrimit, të gjithë spitalet fondet e blerjes së barnave i bënin ata, dhe u decentralizuan. Nuk kishta më ministra që mbanin vulën e MSH dhe firmosnin barnat, por gjithë spitalet rajonale blinin vetë barnat. U rikthyen mbrapsht të gjitha dhe për më tepër u fut dhe praktika e koncensioneve. I bie që një autonomi do të bashkëjetojë me koncesione, që janë iniciativë e centralizuar, e kompromentuar fillim e mbarim.”
Sipas Vasilit, “Të thuash shëndetësi falas , mbulim universal dhe në të njëtën kohë ka edhe sigurime shëndetësore…” është një paradoks, ndërkohë që pesha e shpenzimeve nga xhepi nga 40% ka shkuar në 60%.