Analizat në shtet bëhen! Por, duhet pritur 3 muaj

Qytetarët ankohen çdo ditë për kostot e larta që duhet të paguajnë kur përballen me sistemin shëndetësor publik. Slogani shëndetësia falas nuk përkufizon aspak realitetin në terren. Sepse për të marrë shërbimin falas, duhet pritur 1 deri në 3 muaj, e për rrjedhojë pacientët zgjedhin të shkojnë në klinika private, aty ku shëndetësia kushton shtrenjtë. Sot, gazetarët e shëndetit online, ishin në terren në poliklinikën e Specialiteteve nr.4 në Paskuqan.

Pacientët që presin në rradhë aty, tregojnë se detyrohen të presin me ditë (në rastin më të mirë), javë por edhe me muaj (në rastin më të keq) për të bërë një analizë.

“Kalova Covid-19 dhe më është shfaqur diabeti nuk kam vuajtur më para nga diabeti. Erdha për të bërë planifikimin që të bëja  analizën dhe më tha ka datë të lirë në qershor. Shkova e bëra ke një klinikë private dhe më bërë 12 mijë lekë të vjetra, nuk pres dot deri në qershor për një analizë. Tani po pres radhën këtu tek mjekja që të ma shikojë se si më ka dal analiza e të iki”, shprehet një nga pacientët që është në rradhë përballë derës së mjekes endokrinologe.

Ndërsa pacienti tjetër i cili e ka mandatin e rekomandimit nga mjeku i familjes për të bërë një analizë gjaku shprehet duke thënë:

Ja shikoje e kam me datë 09.06.21 për të bërë analizën, është analiza e gjakut komplet. Me 9 qershor, po a pres dot unë deri me 9 qershor? Do shkoj ta bëj në privat se nuk kam çfarë të bëj, nuk rri dot pa bërë analizat, më duhet të kontrollohem”.

Gazetarja kontaktoi me drejtoren e  Poliklinikës nr. 4 në Paskuqan Dr. Hane Hakorja duke e pyetur për situatën e krijuar dhe se pse pacientët duhet të presin për një kohë të gjatë. Drejtoresha u shpreh se:

“Në këtë Poliklinikë vijnë pacientë nga 5 zona të vendit të cilat janë:

  • Babrru
  • Paskuqan
  • Kamëz
  • Bathore
  • Kodër Kamëz.

“Janë afërsisht 200 mijë banorë. Me 200 mijë banorë vetëm me një aparaturë është e pa mundur që të bëhen brenda ditës. Aktualisht, jemi në proces blerje të një aparature më të mirë që të rritet numri i ekzaminimeve, atëherë edhe pritja nuk do jetë kaq e madhe. Kjo është arsyeja që ka radhë dhe planifikime. Planifikimi varet nga analiza. Nëse është urgjencë i bëjmë dhe brenda ditës. Gratë shatzëna i bëjnë brenda ditës analizat me planifikim nga mjeku i familjes. Pacientët të cilët janë me kimioterapi, pacientët të cilët janë për intervente bëhen brenda ditës. Ndërsa analizat e tjera duhet të presin.

Ndërsa për të sëmurin kronik nuk është urgjencë. Kur e gjykon specialisti i është bërë dhe brenda ditës” thotë drejtoresha. Por kur specialisti e gjykon që ky pacient nuk është problem se kur e bën analizën me planifikim, thjeshtë për terapi mbajtës nuk quhet urgjencë.

Theksoj që jemi Poliklinikë Specialitetesh dhe jo urgjencë. Poliklinika i ka vizitat e planifikuara. Por ne përsëri i kemi pritur edhe urgjencat.”/Desara Çela

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*