OBSH e përkufizon shëndetin si një gjendje të mirëqenies së plotë fizike, mendore dhe sociale, dhe jo thjesht mungesë sëmundjesh ose dobësie. Të bërit e shëndetit realitet për të gjithë dhe lëvizja drejt përmbushjes progresive të të drejtave të njeriut, kërkon që të gjithë individët të kenë akses në kujdes shëndetësor cilësor, duke përfshirë shërbime gjithëpërfshirëse të kujdesit për abortin – që përfshin informacionin, trajtimin e abortit dhe kujdesin pas abortit. Mungesa e aksesit në kujdesin e sigurt, në kohë, të përballueshëm dhe të respektueshëm të abortit përbën një rrezik jo vetëm për mirëqenien fizike, por edhe mendore dhe sociale të grave e vajzave.
Aborti i induktuar është një procedurë e thjeshtë dhe e zakonshme e kujdesit shëndetësor. Çdo vit, pothuajse gjysma e të gjitha shtatzënive – 121 milionë – janë aksidentale; 6 nga 10 shtatzënitë e padëshiruara dhe 3 nga 10 nga të gjitha shtatzënitë, përfundojnë me abort të induktuar. Aborti është i sigurt kur kryhet duke përdorur një metodë të rekomanduar nga OBSH, e përshtatshme me kohëzgjatjen e shtatzënisë dhe nga dikush me aftësitë e nevojshme. Megjithatë, kur gratë me shtatzëni të padëshiruara përballen me pengesa për të arritur një abort cilësor, ato shpesh përdorin abort të pasigurt.
Garantimi që gratë dhe vajzat të kenë akses në kujdesin për abortin që bazohet në prova – që përfshin të qenit të sigurta, të respektuara dhe jo të diskriminuara – është thelbësore për përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të lidhura me shëndetin dhe mirëqenien e mire, si edhe barazinë gjinore.
Impakti
Kufizimi i aksesit ndaj abortit nuk e redukton numrin e aborteve; gjithsesi ndikon në mënyrë dramatike tek fakti nëse aborted janë të sigurta.
Gati gjysma e të gjitha aborteve janë të pasigurta dhe vendet në zhvillim mbajnë barrën e 97% të këtyre aborteve të pasigurta. Në nivel global, abortet e pasigurta përbëjnë 4.7-13.2% të të gjitha vdekjeve të nënave, duke prekur në mënyrë disproporcionale njerëzit në rajonet në zhvillim. Për më tepër, çdo vit vlerësohet se rreth 7 milionë gra në vendet në zhvillim trajtohen në ambientet spitalore për komplikime nga aborti i pasigurt.
Barrierat për kujdesin e sigurt, në kohë, gjeografikisht të arritshme, të përballueshme, të respektueshme dhe jodiskriminuese për abortin mund të shkaktojnë shqetësim emocional dhe të shkelin të drejtën e grave dhe vajzave për privatësi; e drejta për barazi dhe mosdiskriminim; dhe të drejtën për të qenë të lirë nga tortura, trajtimi dhe dënimi mizor, çnjerëzor dhe poshtërues. Ai gjithashtu ka ndikime financiare dhe sociale për njerëzit dhe komunitetet, duke përfshirë ndikimin negativ në mundësitë e grave dhe vajzave për të marrë arsim dhe pjesëmarrje të plotë dhe efektive në shoqëri.
Rregulloret e abortit që i detyrojnë njerëzit të udhëtojnë për të marrë kujdesin ligjor, ose që kërkojnë periudha të detyrueshme këshillimi ose pritjeje, ngarkojnë sistemet shëndetësore dhe mund të rezultojnë që gratë të përjetojnë kosto udhëtimi, humbje të të ardhurave ose nevojën për t’iu drejtuar abortit të pasigurt.
Kujdesi për abortin i përqendruar tek personi, i barabartë dhe i arritshëm, mbështet përdorimin efikas të burimeve dhe u mundëson grave të arrijnë kujdesin në përputhje me vlerat, preferencat dhe rrethanat e tyre. Kjo mbështetet nga sistemet shëndetësore që funksionojnë mirë; disponueshmëria dhe aksesueshmëria e informacionit; dhe respektimi i të drejtave të njeriut brenda një kuadri ligjor dhe politikash mbështetëse.
Sigurimi që kujdesi i sigurt dhe dinjitoz për abortin është i arritshëm në praktikë nga të gjithë ata që kanë nevojë për të, ndër të tjera nënkupton që:
- Një numër i madh punonjësish shëndetësorë ofrojnë kujdes për abortin brenda mundësive;
- Aksesi në kujdesin për abortin mundësohet përmes një sërë qasjesh, duke përfshirë vetë-menaxhimin e abortit;
- Kujdesi për abortin nuk shkakton vështirësi financiare për gratë;
- Ligjet dhe politikat që shkaktojnë barriera për kujdesin cilësor të abortit (përfshirë kriminalizimin e abortit, periudhat e detyrueshme të pritjes dhe kërkesat e autorizimit nga palët e treta) të hiqen;
- Punonjësit shëndetësorë janë të trajnuar për të ofruar kujdes të sigurt dhe të respektueshëm dhe për të interpretuar ligjet dhe politikat në përputhje me të drejtat e njeriut;
- Aksesi në abort nuk ndikohet negativisht nga refuzimi i punonjësve shëndetësorë për të ofruar kujdes të bazuar në bindjet personale;
- Personat kanë akses në informacione të sakta dhe jo të njëanshme për të parandaluar shtatzënitë e padëshiruara dhe për të marrë vendime autonome për abortin.
Përshtati në shqip: Redina Çanaku
Burimi: https://www.who.int/health-topics/abortion#tab=tab_3