Për gazetën “Shëndet+” dhe Shëndeti Online: Denisa Canameti, Elona Tereziu
Gjendje rrëmuje dhe alarmi në shërbimin e hematologjisë. Vonesat në nënshkrimin e kontratave për citostatikët kanë prodhuar një situatë kaotike në këtë shërbim. Të sëmurët me kancer gjaku prej disa ditësh po përcillen pa trajtim. Pacientët po detyrohen të lënë krevatët edhe të ikin pa një datë se kur mund të kthehen për të bërë ciklin e kimioterapive.
“Po na çojnë në shtëpi pa na bërë kimiot. Nuk duam të ikim. Po na detyrojmë që të firmosim fletëdaljen”, shprehen pacientët për gazetën “Shëndet+”.
Pavarësisht premtimeve se problemi me ilaçet shumë shpejt nuk do të jetë më problem, situata vazhdon njësoj, mungesat janë të theksuara. Ky shërbim duket krejtësisht i harruar dhe jashtë vizionit/vëmendjes së politikave shëndetësore.
Pavarësisht këtij alarmi, të sëmurët me kancer janë ata që vuajnë më shumë nga mungesat në trajtimin e tyre dhe që pothuajse gjithmonë duhet t’i blejnë vetë ilaçet. Vëzhgimet kanë treguar se këta të sëmurë trajtohen zakonisht me ilaçe të cilat i blejnë vetë dhe që shpesh janë sjellë në Shqipëri kontrabandë. Sipas pacientëve, shteti po e neglizhon vazhdimisht faktin e furnizimit të spitaleve me ilaçe.
“Sot në mëngjes vdiq një djalë këtu. Ne që e kemi parë, e dimë që se ka bërë trajtimin. Nuk duam të vdesim këtu”, tregojnë pacientët, të cilët sot, më datë 16 janar 2017 janë gjendur pa asnjë lloj mjekimi.
Pacientët, në konflikt me mjekët: Po na detyrojnë të firmosim fletëdaljen, nuk kemi bërë mjekimin. Njerëzit po vdesin.
Në korridoret e katit të tretë, ku është edhe shërbimi i hematologjisë, ka dhjetëra njerëz që presin jashtë derës. Familjarë dhe pacientë që këmbëngulin të qëndrojnë në shërbim pasi, sipas tyre, nuk kanë bërë mjekimin. Sot u ishte premtuar që do të bënin kimion, kur në fakt në duar iu dhanë copa letrash si fletëdalje.
“Ne na kanë firmosur fletëdaljen. Sapo u zura me mjeken. Se me tha nuk kam asnjë gjë në dorë, jam mjeke. I thashë që ju keni në dorë që t’i mbeshtesni pacientët, duhet të protestoni. Shefen nuk e gjejmë, se ka vdekur njëri në mëngjes nga mungesa e ilaçeve dhe s’po e gjejmë. Ka vdekur sot. Më tha babi.
Babi ka bërë vetëm chop-in. Nuk dua ta nxjerr babin. Dua të pres. Isha tani në drejtori dhe më thanë që nuk kemi akoma informacion nga farmacia”, shprehet e bija e njëri prej pacientëve. Ajo nuk ngurron të na vërë në dispozicion edhe fletëdaljen, ku tregohet edhe fakti që pacienti nuk e ka bërë mjekimin e plotë.
2 vëllezër me kancer gjaku: I lirojmë krevatin njëri-tjetrit. Mjekim nuk marrim asnjëri
Ndërkohë në korridor takojmë edhe pacientin me iniciale S.B. historia e të cilit kalon çdo pritshmëri njerëzore. Ai dhe vëllai vuajnë nga e njëjta diagnozë: limfomë malinje. Sot duhet të çohet me pahir nga krevati për t’ia liruar vendin të vëllait. Edhe pse asnjëri prej tyre nuk ka pasur fatin të bëjë të plotë ciklin e kimioterapive.
“Dëgjo si është puna. Xhaxhi ka 5 vjet që vjen këtu. Sipas rregullit që ka qenë më përpara, bënim përpara Mabt’hera pastaj bënim shoqëruesen. Tani s’ka fare, vetëm disa shoqëruese dhe ikim. Bëra tre vjet pushim. M’u rizgjua sëmundja, rifillova.
Kur erdhi Mabthera, mua nuk më njoftuan. Problemi është se ilaçin e merr ai që është këtu. Se të gjithë për një qëllim. Të gjithë vijnë për t’u shëruar.
U shtrova sot java, I mbarova shoqërueset e Mabtherës. Pritëm një javë, sot do bënim Mabt’herën, vetëm kur na vijnë me fletëdalje. Fajin s’e kanë këta, e kanë ata lart.
E kërkojmë nga Ministri, jo nga këta këtu.
Sot ka pasur pacientë të tjerë. Ku do t’i shtrojnë? Duhet të bëjmë protestë. Unë jam bashkë me vëllanë. U ngrita unë, që të ulet vëllai. Jemi të dy me limfomë malinje. Me të njëjtën diagnozë”, shprehet pacienti për “Shëndet+”.
Tatjana Caja, shefe e shërbimit të hematologjisë: Çdo ditë bëjmë kërkesa
Përballë pyetjes së gazetarëve për mungesën e medikamenteve: Mabthera, Velcade, Endoxan, Nepogen etj. shefja e shërbimit vendos të heshtë. Pas një këmbëngule shumë të madhe, ajo thotë vetëm se nuk është faji i saj.
“Mos më implikoni më me këto gjëra. Nuk kam dëshirë të flas. Çdo ditë bëjmë kërkesë. Sot janë 8 kërkesa. Shko kërkoje atje ku duhet, në drejtori dhe te farmacia qendrore”.
Narvina Sinani, drejtoreshë e farmacisë në QSUT: Nuk jap asnjë informacion
E njëjta heshtje edhe në drejtorinë e farmacisë në QSUT. Drejtoresha refuzon të kthejë përgjigje. “Unë jam Narvina. Informacionin për çdo medikament, kërkojeni te zyra e infomacionit. Vetëm atje mund t’ju përgjigjen”.
Drejtoria e QSUT-së: Jemi në fazë nënshkrimi kontratash
Burime brenda shërbimit të hematologjisë pyeten lidhur me kontaktet që ata kanë pasur me drejtorinë.
“Drejtoria na thotë që po firmosim kontratat. Nuk i presim ilaçet këto ditë, na kanë thënë që nuk vijnë. Kështu që pacientët shtrohen ose jo në pavion, nuk kanë mjekim”.
Mjekët lëshojnë receta për blerjen e medikamenteve jashtë
Mjekët janë totalisht të tërhequr me mediat dhe në luftë me pacientët. E vetmja zgjidhje, është plotësimi i recetave për të blerë jashtë ato medikamente që kanë një kosto relativisht të lirë. Citostastikët si Mabthera apo Velcade janë të pamundura të sigurohen privatisht, pasi kushtojnë me mijëra euro.
Mungesa e ilaçeve zgjat ditëqëndrimin në spital. Familjarët: Vjen erë e rëndë
Shtrimi në spital mund të zgjasë për javë të tëra. Pacientët që vijnë nga rrethet, janë të shoqëruar nga të paktën një familjar që është i detyruar t’i zbardhë ditët afër krevatit të pacientit. E për ata që nuk kanë të afërm në Tiranë, qëndrimi kthehet në makth. Dhe makthi më i madh lidhet me mungesën e higjienës që, siç shprehen, disa të afërm: ‘Jemi gati të zëmë morra’. Veç të tjerash, pacientët shprehen se jo në pak raste janë konfliktuar edhe me bluzat e bardha, pasi shpesh janë të detyruar që të gatuajnë në ambientet e shërbimit. Po ashtu, në spitale hasesh edhe me probleme të tjera, si infrastuktura e keqe dhe kapacitet e pakta. Përtej fasadës, muret dhe tavanet e spitaleve sot janë në gjendje të mjerueshme, pasi kanë shumë vite pa u restauruar. ‘Vaktet për pacientët janë të mira. Por ne familjarët çfarë të bëjmë? Jemi të detyruar të qëndrojmë këtu. Dhe jo nga qejfi. Por do presim sa të vijnë ilaçet’.
“Vjen një erë e rëndë këtu. Nuk ka fare higjienë”, shprehen pacientët.
Gjatë një vëzhgimi të kryer në pavionin e hematologjisë duket se problemet nisin që në infrastrukturë. Ministria e Shëndetësisë edhe pse duhet të plotësojë disa kritere të pastërtisë në spitale, përsëri godinat duken sikur janë thjesht të pabanuara.. Me mure me lagështirë në të gjithë hapësirën e jashtme janë të gjitha ndërtesat që shërbejnë për të kuruar njerëzit në QSUT. Nëse do të veprohej sipas ligjeve dhe kritereve, këto godina do të dilnin jashtë përdorimit për mungesë të kushteve higjieno-sanitare.
Rrëfimi i pacientit: Çdo dy ditë vdes një pacient në atë pavion
“Çdo dy ditë vdes një pacient në atë pavion. Të jetë ilaçi në magazinë dhe të mos jepet… Më kanë thënë, person i brendshëm, që ilaçi është. O ata bëjnë matrapazllëqe dhe e shesin diku tjetër, ose nuk arrijnë që me lekët që ka shteti të marrin aq doza sa duhet”.
Rasti i pacientes G.D, 61 vjeçe.
Pacientja, me diagnozë Mielomë Multiple, nuk ka mundur që të mbyllë asnjëherë ciklin e kimioterapisë pa mungesa. Bashkëshorti i saj P.D, tregon për “Shëndet+”, gjithë kalvarin e stërmundimeve për t’i siguruar gruas së tij ilaçet, që nga takimet në ministri, takimet me deputetë e deri te marrëdhënia me magazinieret e farmacive të spitalit.
“Gruaja është shtruar në pavion me datë 18/10/2016 dhe ka dalë me datë 3/11/2016, sipas edhe kartelës, e ka bërë vetëm një herë Velcaden, vetëm 1 flakon. Ka pasur raste që kemi qëndruar edhe një muaj e gjysmë në spital se nuk ka pasur. Nuk ke ku rri 1 muaj e gjysmë në spital se nuk ke ku të lahesh, se nuk ka dush, të zënë morrat. As tani që po flasim nuk ka “Velcade”, shprehet bashkëshorti i pacientes.
Atë që nuk e ofron spitali, e ofrojnë farmacitë privat, në mënyrë krejt të jashtëligjshme. P.D tregon një copë letër ku është shkruar emri i farmacisë private që e ka “Velcade”-n dhe numrin e telefonit.
“I bie Tiranës rreth e rrotull dhe më thonë që e kemi pasur ilaçin, por nuk na e lejojnë. Dhe vetëm një farmaci e ka. E kemi ilaçin, thotë farmacia: 2100 euro një flakon. Gruas i duhen 3 flakonë në muaj.
“Marr 13 mijë lekë të reja pension, si mund t’ia dal unë këtu në spital kur ajo është invalide prej 10 vjetësh. Gruaja po e mori ilaçin, është 63 vjeçe, fluturon.
Në Ministrinë e Shëndetësisë është hapur një zyrë ankesash, në katin e parë, ku dhjetëra qyetarë, çdo ditë, shkojnë dhe shënojnë kërkesë/ankesën e tyre. Kjo “zgjidhje”, veç të tjerash, ka shmangur edhe kontaktin e drejtpërdrejtë të ministrit me pacientët.
“Shkoj te magazinerja e spitalit. E njoh prej 10 vitesh dhe më thotë jam e ndershme. I thashë: Po ilaçin asaj të Pogradecit që të foli mjekja x për të, ia dhe? Po. Atëherë si qenke e ndershme ti? Ilaçin e gruas që është me kancer të zëntë ty, jo atë. Dhe ilaçin e keni brenda. S’kam pasur frikë në kohën e Enverit. Jemi bërë të thërrasim: Ku je, Enver?!” Më flasin të shtëpisë dhe të fisit. Më thonë, do të të vrasin. Le të më vrasin, por të më japin të drejtë.
“Ne shtrohemi në hematologji 1 herë në 18 ditë. Kemi fëmijë dhe i kemi bërë copë-copë. Gruaja është operuar një herë në onkologjik. Ndenji tre ditë dhe ka dalë. Është histori e gjatë puna e kësaj. Bëja analizat në shtet i dilnin mirë, i bëja në privat i dilnin keq. Ku të vesh, o i zi? Si është e mundur, më thoshte mjeku. Po habitem. Ku kisha unë fuqi që të përballoja shpenzimet. Të rrish 11 vjet në spital. Çdo dy ditë vdes një në atë pavion. Dje ndërroi jetë njëri që erdhi nga Saranda”.
Burime jozyrtare pranë këtij shërbimi thonë për “Shëndet+” se është e vërtetë që në pavionin e hematologjisë aktualisht mungojnë shumë medikamente.
“Është e vërtetë që mungojnë shumë ilaçe. Pacientët kanë të drejtë”.